Epoka e Re, Prishtinë, njofton se Autostrada “Ibrahim Rugova” është përuruar të martën, me një ceremoni në të cilën merrnin pjesë liderët më të lartë shtetëror.  Kryeministri Hashim Thaçi, ka thënë se kjo autostradë, përveç që përmirëson jetën e përditshme të qytetarëve, do ta nxisë edhe zhvillimin e tregtisë dhe bujqësisë e shumë sektorëve të tjerë.
“Kjo rrugë do ta ofrojë edhe më shumë Kosovën dhe Shqipëri. Kjo është rrugë evropiane dhe ëndërr e shumë brezave më radhë. Jam krenar që po e përuroj një projekt të suksesshëm para afatit, e aq më shumë, projekt ky që fitoi çmime të ndryshme ndërkombëtare”, ka thënë ai.

autostrada-rugova
Autostrada Ibrahim Rugova

Thaçi ka premtuar që shumë shpejtë do fillojnë me punimet në autostradën që lidhë Kosovën me Shkupin. “Kosova është e bekuar nga Zoti për natyrën dhe bukuritë që ka. Kjo autostradë është vetëm fillimi i zhvillimit tonë. Kjo autostradë lidhë një rajon të tërë. Ky është projekti më i madh dhe më i shtrenjtë ndonjëherë. Kishte kritika dhe presion të mos fillohej, por e bëmë”, ka thënë ai.
Ndërsa presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka theksuar se kjo autostradë moderne është simbol i përkushtimit, vullnetit dhe integrimit tonë. “Kjo rrugë është e ndërtuar tërësisht me para të vendit. Kosova dëshmoi se me forcat vetjake është e aftë të bëjë vepra të mëdha”, ka theksuar ajo, duke shtuar se kjo autostradë është arterie që bashkon njerëzit, popujt dhe vendet.