Andon Zako Çajupi ka lindur në Sheper të Zagorisë (Gjirokastër) më 27 mars 1866. Vazhdoi në Nivan mësimet e shkollës së mesme, të cilat i plotësoi në një lice francez në Egjipt, ku jetonte i ati. Studimet e larta i kreu në Zvicër ku mori titullin  doktor në drejtësi.

andon-zako-cajupi
Më pas u vendos në Kajro, ku punoi për një farë kohe si avokat. Nga fundi i shek. XIX mori pjesë gjallërisht në lëvizjen patriotike shqiptare. Më 1902 botoi librin “Baba Tomorri”, një nga veprat më të shquara të letërsisë së Rilindjes Kombëtare. Rreth viteve 1903-1905 Çajupi përfundoi poemën Baba Musa Lakuriq, e cila mbeti dorëshkrim. Në rrethet atdhetare u bë i njohur me një artikull që shkroi rreth çështjes së alfabetit në të cilin doli kundër adoptimit të alfabetit grek për gjuhën shqipe. Më 1909 botoi shkrimin e njohur “Klubi i Selanikut”, një pamflet kundër armiqve të brendshëm të lëvizjes kombëtare shqiptare. Më 1919 u zgjodh kryetar i shoqërisë “Vëllazëria” me qendër në Kajro. Ai ishet njëri nga hartuesit e memorandumit që shqiptarët e Egjiptit i dërguan Konferencës së Paqes më 1919 në mbrojtje të tërësisë territoriale të Shqipërisë. Më 1920 themeloi “Shoqërinë e Miqve”.Çajupi u mor edhe me përkthime. Përveç vjershave dhe fabulave që botoi tek Baba Tomori, më 1921 botoi “Përralla të zgjedhura” nga La Fonten. Më 1922 u botua “Lulet e Hindit”, përmbledhje me vjersha të poetëve indianë.
U nda nga jeta në Kairo më 13 korrik 1930. Eshtrat e tij u sollën në Shqipëri më 1957 dhe prehen në Memorialin e Rilindasve në Gjirokastër.

Çajupi mbeti një nga përfaqësuesit e mëdhenj të letërsisë përparimtare shqiptare.
Botime:

Baba Tomorri (Kajro, 1902)
Dhjata e vjetër e shfaqur – satirë
Baba Musa lakuriq
Burri i dheut – tragjedi (1908)
Pas vdekjes – komedi (shkruar 1910, botuar më 1937)
14 vjeç dhëndër – komedi