Kristo Frashëri u lind 17 dhjetor të vitit 1920 në Stamboll. Ai ishte djali i parë i patriotit dhe rilindasit Anastas Frashëri dhe i Evdhoksi Tole-Ogrenit, rrjedh kështu prej njërës nga dinastitë e familjeve të Frashërit. I pagëzuar në kishën e Shën Triadhës së Fanarit në Stamboll, pati si kumbar Dhimitër Nolin, vëllain e peshkopit Fan Noli.
Familja e Kristos u kthye në Tiranë në vitin 1927. Më 1940 kreu shkollën e mesme dhe u regjistrua në Fakultetin e Shkencave Ekonomike në Universitetin e Firenzes. Më 1942 u burgos dhe u internua nga Administrata fashiste pushtuese. Më 1943 iku dhe u bashkua me partizanët. Mbas çlirimit nga viti 1945 deri në 1952 punoi në Bankën e Shtetit Shqiptar dhe ndërkohë ndoqi studimet në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë në Institutin e Lartë Pedagogjik (1951-1955)
Më pas ai punoi si punonjës shkencor në Institutin e Shkencave, në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Më 1966 u dërgua për riedukim si mësues në shkollën e mesme të Përmetit.
Më 1977 u emërua Zv. Kryetar i Akademisë së Shkencave. Në vitin 1999 doli në pension.

Kristo-Frasheri
Dr. Prof. Akademik Kristo Frashëri

Ndryshimet që ndodhën në Shqipëri në dhjetorin e vitit 1990 u përshëndetën nga Kristo Frashëri. Ai përshëndeti vendosjen e pluralizmit partiak, por në të njëjtën kohë vendosi të qëndronte larg çdo partie. Ai mori pjesë në Komitetin Shqiptar të Helsinkit dhe u angazhua në përpjekjet që ndërmori Komiteti për lirimin e të burgosurve politikë nga regjimi komunist dhe ndërhyri, së bashku me anëtarët e tjerë, për mbrojtjen e qytetarëve nga dhuna e organeve policore.

Prof. Kristo Frashëri ka një prodhimtari shkencore që mbulon një periudhë 70-vjeçare. Që nga viti 1938, kur ka botuar nje shkrim mbi Jeronim de Radën, ka botuar me dhjetëra e dhjetëra artikuj studimorë, referate historike, vëllime dokumentare dhe monografi shkencore, që trajtojnë pa përjashtim ngjarje, personalitete dhe procese të historisë së Shqipërisë. Ka trajtuar temat nga historia politike, zhvillimi ekonomik, probleme shoqërore, mendimi filozofik dhe lëvizja kulturore shqiptare. Ndër to janë sprovat për të ndriçuar mjegullnajën shqiptare gjatë Mesjetës së hershme, rendin feudal mesjetar në viset shqiptare, formacionet shtetërore mesjetare, shqiptarët në Betejën e Kosovës (1389), figurën e errët të Musa Arvanitasit, tiparet e regjimit feudal turk në Shqipëri, jetën kulturore shqiptare gjatë shekujve të sundimit osman, Rilindjen Kombëtare Shqiptare, Luftën çlirimtare të Vlorës, zhvillimin e ekonomisë së tregut gjatë shekujve XIX-XX, jetën dhe veprimtarinë e Pjetër Bogdanit, Sami Frashërit.

Kristo Frasheri për veprimtarinë e tij të gjatë dhe të pazëvendësueshme shkencore ka marrë Titujt Doktor, Profesor, dhe ishte akademik. Ai mban edhe Titullin e lartë “Nderi i Kombit”
Kristo Frashëri u nda nga jeta me 31 janar 2016 në shtëpinë e tij në Tiranë.
Botime

Historia e Çamërisë – 2015
Principata e Arbërisë : 1190-1215 – 2014
Jeta e një historiani – 2014
Ahmet Zogu : vështrim historik – 2014
Etnogjeneza e shqiptarëve – Vështrim historik – 2013
Historia e Dibrës – 2012
E vërteta mbi Shqiptarët e Maqedonisë dhe shtrembërimet e Enciklopedisë së Shkupit – (2010)
Historia e Kosovës. Dardania (Kosova Antike) – (2009)
Skënderbeu i shpërfytyruar – (2009)
Bajroni në Shqipëri dhe takimet me Ali Pashë Tepelenën (Vjeshtë 1809) – (2009)
Historia e qytetërimit shqiptar (Nga kohët e lashta deri në fund të Luftës së Dytë Botërore) – (2008)
Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë : (28 Nëntor 1912) – (2008)
Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri dhe e themelimit të PKSH-së (1878 – 1941) – (2006)
Himara dhe përkatësia etnike e himarjotëve – (2005)
Historia e Tiranës – (2004)
Skënderbeu – jeta dhe vepra – (2002)
Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1878-1881 – 1997