Pashk Bardhi lindi në Shkodër, 4 maj 1870 – vdiq në 1948 .
Mësimet fillore i mori në kolegjin françeskan të Troshanit, studimet e mesme e më vonë të teologjisë i kreu në Bosnjë. Ende nxënës, duke vërejtur lëvizjen kulturale e kombëtare të kroatëve, sidomos duke lexuar vjershat e 3 poetëve të mëdhënj të tyne, u përpoq të krijonte në Shqipëri një rrymë shpëtimi nga zgjedhja e huaj, e kështu nisi lidhjen me atdhetarët e tjerë që po punonin pë mëvetësinë e Shqipnisë.
Qëndrimi 13 vjeçar në Mirditë si famullitar, i dha mundësinë të hulumtojë mbi zakonet, frazeologjinë, mbi shprehjet e ndryshme. Visaret e kombit, si kangë, përralla, gojëdhana e në një mënyrë të posaçme fjalët e shqipes, të cilat ma vonë qenë ndihmëse të vlefshme për fjalorin e Shoqnisë “Bashkimi” 1908. Gjithnjë duke vijuar misionin e vet, veproi si mësues i gjuhës shqipe nga 1901 gjer në 1906 në Shkollën Normale të Borgo Erizzo-s afër Zarës. Ku mblodhi gojëdhënat e arbëreshëve të këtij ngulimi, bëri studime mbi dialektin e tyre dhe mori shënime historike të cilat i botoi me titullin Gjuha shqype e arbëneshve në Zarë më 1905. Të gjitha këto, duke u mbështetur në vëllimin e rëndësishëm të prof. Tullius Erber, i cili përmblodhi të gjithë dokumentet përkatëse e shkroi në një mënyrë të sigurtë historinë e kësaj kolonie dhe e botoi në të përkohshmen “Albania” të Konicës. Boton këngën e parë të poetit Kaçiq për Gjergj Kastriot Skënderbeun “Skenderbegovi mejdani” [Dyluftimet e Skënderbeut] në gazetën “Shqipëria” të Bukureshtit, në vitin 1897, nr. 18, f. 4., po ashtu boton këngën e parë dhe gjashtë këngë të tjera të përkthyera në shqip tek “Albania” në vitet 1899 – 1901.
Si publicist do të përdorte emrin e vet ose pseudonimet Vorf Dukagjini apo me anagramin Oshkop Idhrabi, Bibë Gjeta, Ajaks, etj. Bashkëpunëtor i rregullt i “Hyllit e Dritës”, dhe veprimtari më i gjallë i të përkohshmes “Zani i Shna Ndout”, për 29 vjet me radhë. Me marrjen e pushtetit prej partizanëve, burgoset.