obama
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama

 

Washington, D.C. -Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama gjatë një fjalimi të mbajtur në Shtëpinë e Bardhë u zotua për të shkatërruar Shtetin Islamik (IS), duke autorizuar edhe sulme ajrore për herë të parë në Siri.

Vendimi i Obamës për të ndërmarrë sulme ajrore brenda territorit të Sirisë, e cila është e përfshirë nga një luftë civile 3-vjeçare, tregon për rëndësinë me të cilën zyrtarët amerikanë janë duke gjykuar Shtetin Islamik.

“Objektivi ynë është i qartë: ne do të degradojmë dhe në fund do të shkatërrojmë ISIS përmes një strategjie gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme kundër terrorizmit. Kjo do të thotë se nuk do të ngurrojmë të marrim masa kundër ISIS në Siri dhe në Irak. Parimi kryesor është: nëse ju kërcënoni Amerikën, nuk do të gjeni asnjë strehë të sigurt”, u shpreh kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Obama tha se do të zgjerojë listën e objektivave brenda Irakut përtej zonave të izoluara. Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë edhe 475 këshilltarë ushtarakë amerikanë për të ndihmuar forcat irakiane, por nuk do të angazhohen në luftime.