Niko Hoxha lindi në Tragjas të Vlorës më 1 shkurt 1926. Shkollën fillore e kreu në vendlindje e më pas bën shkollën Normale të Elbasanit. Në vitin 1942 merr pjesë në njësitin guerril dhe çetën teritoriale të Vlorës dhe më pas në Brigadën e V në luftën për çlirim deri në vitin 1945. Studimet e larta i kreu nga viti 1945-1948 në Shkollën e Lartë të Aviacionit në qarkun Saratov në Bashkimin Sovjetik. Më pas nga viti 1949 deri më 1952 vazhdoi Fakultetin e Komandimit në Akademinë e Lartë të Forcave Ushtarake Ajrore të Bashkimit Sovjetik.
Pas kthimit në Shqipëri emërohet Komandant i skuadrilies së parë të Avjacionit Luftarak në Tiranë, por pas dy vjetësh, shkon sërish në Bashkimin Sovjetik në Grozni (Ceçeni), për tu specializuar për avionin reaktiv MIG-15. Në vitin 1955 emërohet Komandant i Regjimentit të Parë të Avjacionit Reaktiv që u krijua në Kuçovë. Në vitin 1962 deri në vitin 1965 kreu detyrën e Komandantit të Regjimentit të Avjacionit Gjuajtes në Rinas në Tiranë.
Momenti i vdekjes ka mbetur në kujtesën e shumë kolegëve pilotë dhe studentëve që ishin në pistë.
Niko, pasi i shpjegoi të dhenat teknike të MIG-19, hipi në njerin prej avioneve dhe u ngrit. Ai ishte mjeshtër i figurave e manovrimit me avionët supersonikë. Pas pak humbi mbi re, por pas disa çastesh kaloi vetëm disa metër mbi tokë, e u ngrit sërish. Ishte ora 10 e 30, Avioni i Nikos u lëshua në pikjatë, por iu afrua aq shumë tokës saqë kur u kthye bishti takoi tokën.
Ra në krye të detyrës më 20 nëntor 1965 në pistën e aeroportit të Rinasit.
Ato ditë Ismail Kadare shkroi:
Ti e deshe kaq shumë këtë tokë
Në stërvitje shpejt i aviteshe
Me të tmerrshmen shpejtësi!
Një ditë kaq shumë
Në pikjate iu afrove
Sa zgjati dorën dhe të mori në gji!
Për kryerjen me zotësi të detyrave të ngarkuara, Niko Hoxha është dekoruar me 12 Urdhëra dhe Medalje, ndër të cilat:
Medalja e Trimërisë
Urdhëri i Skënderbeut.
Pas vdekjes:
Regjimenti i Avjacionit në Rinas iu vu emri “Regjimenti Niko Hoxha”
Dëshmor i Atdheut
Qytetar nderi i Kuçovës