Anjezë Gonxhe Bojaxhiu e njohur si Nënë Tereza lindi në Shkup të Shqipërisë të pushtuar prej Perandorisë osmane, sot Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, më datë 26 gusht 1910. Një ditë pas lindjes u pagëzua në Kishën e Zemrës së Krishtit nga famulltari i atëhershëm Dom Zef Ramaj, ditë të cilën ajo e llogariste si datëlindjen e saj, prandaj në disa enciklopedi gjindet si datëlindje data 27 gusht. Gonxhja ishte fëmija i tretë i Kolë Bojaxhiut me origjinë nga Mirdita dhe e Drane Barnaj Bojaxhiut nga Novo Sella e Gjakovës. Kola dhe Drania patën 5 fëmijë, dy nga të cilët u vdiqën në fëmijërinë e hershme. Gonxhja kishte një vëlla dhe një motër. Vëllai quhej Lazër Bojaxhiu dhe studioi në Grac të Austrisë në Akademinë Ushtarake, por për shkaqe politike emigroi qysh herët në Itali, kurse motra quhej Age Bojaxhiu. Babai i saj merrej me tregti dhe mblidhte në shtëpinë e tij artistë dhe patriotë shqiptarë. Qyteti i Shkupit iu mor Shqipërisë e iu dha Maqedonisë me 1 Janar 1918 në bazë të traktatit të Versajës. I ati, që ishte i përfshirë në lëvizjet politike e asaj kohe, vdes në 1919 kur Gonxhja ishte 8 vjeçe.
Gonxhja mësimet e para i mori në një shkollë shqipe në Shkup, ku po ashtu e kreu dhe gjimnazin, që ishte në gjuhën serbo-kroate. Pasionet e rinisë së Gonxhes ishin: të bëhej mësuese, të shkruante dhe recitonte poezi dhe të kompozonte e të luante muzikë. Emrin “Tereza” e mori kur ishte 18 vjeçe dhe u dorëzua murgeshë.
Nënë Tereza u largua më 26 shtator 1928 nga Shkupi në drejtim të Dublinit, Irlandë. Prej kësaj dite, nënë, bijë e motër nuk do të shiheshin më kurrë. Më 12 shtator 1928, Gonxhja kishte shkruar këtë letër drejtuar tezes së saj:
“Shkup 12. 09. 28 E dashura Teze Lis! Më 26 të këtij muaji po nisem prej Shkupit. S’po mund mos me ju shkrue dy tri rreshta për juve. Lamtumirë, e deshiroj që Zoti t’ju nap gjithshka që ju deshron zemna. Dua t’ju fal gjanat ma të përzemërta, Gonxhja”.
Ky ishte momenti kur ajo u nda përfundimisht me familjen dhe vetëm pas 30 vitesh, do të takohej me të vëllanë, Lazrin. Kurse nëna Drania dhe motra Age, shkuan në atdhe, në Shqipëri, qysh para Luftës së Dytë Botërore. Nënë Tereza u vendos në Kalkuta (Indi) ku fillimisht u bë mësuese dhe shumë shpejt drejtore e shkollës së vajzave. “Nënë Tereza e Kalkutës” u quajt kur themeloi urdhërin “Misionaret e Dashurisë” (1951) për t’u shërbyer më të varfërve dhe më të pashpresëve të Kalkutës, Indisë dhe gjithë botës.
Në vitin 1979, kur mori çmimin Nobel për Paqe, e gjithë bota mësoi se Nënë Tereza ishte shqiptare. Haste vështirësi për të folur rrjedhshëm Shqip pas një largimi prej 70 vjetësh dhe qëndrimi në ambiente joshqiptare. Shkrimet e saj në shqip janë letrat e rinisë dhe më pas me familjen, gjithashtu është përshëndetja në shqip popullit shqiptar pas fitimit të çmimit Nobel me 1979 dhe lutja në shqip transmetuar nga Zëri i Amerikës më 17 Qershor 1978.
Në çastin e marrjes së Çmimit Nobel më 1979, ajo deklaroi: “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”.
Por Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë nuk i kishte dhënë vizë as për të parë nënën e saj që jetonte në Tiranë, as për te marrë pjesë në varrimin e saj më 1974, as për të parë varrin.
Nënë Terezës, për të ardhur në Shqipëri iu desh të dërgonte tre letra. Ajo i kishte dërguar më parën letër Komitetit Shqiptar për Marrëdhëniet me Jashtë, por nuk mori kurrë përgjigje. Në letrën e Nënë Terezës dërguar Presidentit të Republikës së Shqipërisë në vitin 1989, ajo theksonte se: “për 60 vjet kam vizituar shumë e shumë vende jashtë atdheut tim”.
Më në fund, e para pasaportë (në këtë rast ishte diplomatike) e dhënë për nënshtetasit e huaj me origjinë shqiptare iu dha pikerisht Nënë Terezës, e cila vizitoi Shqipërine më 1989.
Shqiptarja trupvogël ishte kthyer në një legjendë të gjallë. Ajo ishte nënë kujdestare e 7,500 fëmijëve në 60 shkolla, ishte nënë që mjekonte 960,000 të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja në botë që trajtonte 47,000 viktima të lebrozës në 54 klinika, kujdesej për 3,400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve, në 20 shtëpi pleqsh, kishte birësuar 160 fëmijë ilegjitimë.
Nënë Tereza vdiq më 5 shtator 1997 në Kalkuta, Indi.
Ndër titujt e lartë botërorë që i janë dhënë Nënë Terezes: Pamada Shir, Gjoni XXIII për Paqe; Samaritani i Mirë, John Kennedy, Nëna e te Gjitha Nënave, Balzan; Çmimi Nobel për Paqen; Medalja e Lirise, shpërblimi më i larte amerikan; Medalja e Paqes, shpërblimi më i lartë rus etj.
Për të janë shkruar libra, janë bërë dokumentare, emrin e saj e mbajnë sheshe, ndërtesa e institucione, apo janë bërë statuja në shumë vende të botës. Por ajo mbetet Nëna shqiptare e botës!
Ne Shqiptarët përkulemi me nderim para punës e jetës së Nënës Tonë!
Saint-Albanian of Calcutta – by Mishel Koçiu