Agimi u nda nga jeta mbrëmë (16 maj 2016) në Nju Jork nga një sëmundje e rëndë në moshën 53 vjecare .

Agim Nezaj ka lindur në Tropojë. Në vitin 1987 u diplomua në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Histori-Filologji, për Gjuhë angleze dhe letërsi shqipe, kurse në vitin 1999 u diplomua në Fakultetin e Drejtësisë.

agim-neza
Agim Nezaj

Për 25 vjet punoi si gazetar, pedagog i komunikimit dhe këshilltar për komunikimin në zyrat më të larta të shtetit.
Fillimisht ai punoi si gazetar në gazetën “Alternativa SD”, ndërsa më pas ishte kryeredaktor i gazetës Koha Jonë. Përgjatë kësaj periudhe ai shkroi artikuj dhe analiza politike në gazetat Panorama, Gazeta Shqiptare. Për disa vite që nga 1997 ishte korrespodent i televizionit britanik, Sky News. Agimi ishte themeluesi i institucionit të zëdhënësit në institucionet shtetërore. Ai punoi si zëdhënës dhe më pas këshilltar për mediat fillimisht në Ministrinë e Drejtësisë.
Më pas punoi si këshilltar për mediat dhe komunikimin i Prokurorit të Përgjithshëm, këshilltar dhe shef i kabinetit të Inspektorit të Lartë të Deklarimit të Pasurive, Këshilltar për mediat dhe komunikimin i Ministrit të Jashtëm dhe Zëvëndëskryeministrit, dhe më pas këshilltar për mediat i Kryetares së Parlamentit, deri në vitin 2012.

Pasioni i tij ishte njohja e Shqipërisë për të huajt. Në vitin 1991 ai botoi guiden e parë për turistët nga një autor shqiptar “Albania – Travel Guide”. Kjo guidë u plotësua dhe u ribotua disa herë deri në vitin 2014. Ndërkaq në lëmin e turizmit ai pati edhe botime të tjera të gjitha në anglisht.

Po Agim Nezaj botoi edhe dy libra të tjerë për komunikimin ndërkohë që jepte lëndët e marrëdhëniet me publikun dhe zyrën e shtypit në Universitetin e Tiranës, Departamentin e Gazetarisë si dhe në disa universitete private të kryeqytetit.