Nga Adela Kolea /
Marrë nga Albania News

“Kinemaja, art figurativ në lëvizje”, citon Federico Felini.
Përsa i përket kinematografisë shqiptare, ajo mund të krenohet me faktin se ka përjetuar dhe është përballur, përveçse me ‘lëvizjen’ figurative në vetvehte, edhe me atë lëvizje të lidhur sidomos me epokat që ajo ka kapërcyer në një Shqipëri të një periudhe gjysëm shekullore diktature, të një Shqipërie tranzicioni të gjatë, të lodhshëm, që dukej sikur nuk do të mbaronte kurrë me gjithë gjurmët e efekteve të tij dhe asaj të Shqipërisë aktuale.

Shqipëria mund të krenohet me ikonat e saj të kinematografisë e teatrit, të formuar gjatë atyre viteve – pa dyshim, të një jete të vështirë përgjithësisht për popullin – nga ana e tyre, të pajisur me disiplinën, përgatitjen serioze e cilësore profesionale artistike, që pa hezitim mund të krahasohen me diva të cilët, në kontekste të tjerë nëpër botë, kanë pasur ndoshta të tjera mundësi njohjeje, vënieje në diskutim të meritave të tyre apo vlerësimi.

Njëri nga këta kolosë të kinematografisë shqiptare, është aktori dhe regjizori Mevlan Shanaj.

Kush është Mevlan Shanaj?

Mevlan Shanaj, Artist i Merituar, është një figurë e shquar në kinematografinë shqiptare si aktor i njërit prej niveleve të saj më të lartë, si regjisor në kinema e televizion, si prodhues filmash e profesor në degën e regjisë pranë Akademisë së Arteve, Tiranë.
Ai lindi më 7 shkurt 1945 në Fier, Shqipëri.

Nga viti 1987 deri më 1992 ka qenë Drejtor i Departamentit të Filmit në TVSH dhe Anëtar i Këshillit Artistik i “Grupi Përzgjedhës i filmave” Kanë, Pragë, Budapest, Bukuresht. Shkëputet për 4 vite nga televizioni dhe kthehet në vitin 2001 si drejtor i Departamentit të Filmit dhe Spektaklit në TVSH. Në vitin 2001 ka filluar punën e producentit dhe regjisorit me “Zig-Zag” Film. Më 2005-2006 ka ushtruar profesionin e pedagogut në Akademinë e Filmit dhe Multimedias “Marubi” e deri më sot në degën e regjisë në Akademinë e Arteve. Në vitin 2008 mori titullin “Mjeshtër i Madh”.

Mevlan Shanaj ka interpretuar në filmat:

Në kërkim të kujt (2009)
Lule të kuqe, lule të zeza – (2003)
Viktimat e Tivarit (1991)
Unë e dua Erën – (1991)
Pranvera s’erdhi vetëm (1988)
Rrethimi i vogël – (1986)
Ballë për ballë – (1979)
Rrugicat që kërkonin diell – (1975)
Malet me blerim mbuluar (1971)
Guximtarët – (1970)
I teti në bronz – (1970)

Si regjisor:

Lule të kuqe, lule të zeza ( 2003)
Fletë të bardha ( 1990)
Të shoh në sy 1986
I paharruari 1984
Një telegram një këngë 1982
Plumba perandorit 1980
Korrierët 1976

Dokumentarë:

Tefta Tashko
Marije Kraja
Berati
Katër mëngjeze
Rruga b.katër
Lasgush Poradeci
Gju më gju
Komani
Pandi Raidhi
Shqiptari i vonuar
Rrugët
Bibla dhe kurani
Ftesë nga Iliri
Përcjellja
Shkronjat e Pavarësisë
Përcjellja( Vangjush Furxhi)
Të fala Ndrekë Luca

mevlan-shanaj
Mevlan Shanaj

Përshëndetje zoti Mevlan, me kënaqësi të veçantë, ju uroj mirëseardhjen në Albania News.

Faleminderit.
Uroj që të keni lexues sa më shumë dhe të mundeni të jepni për shqiptarët informacione serioze, të pandikuara negativisht apo të njëanshme.
Uroj që “Albania News” në Modena të jetë sadopak frymëzuese për bashkëkombësit tanë.

“Aktori shtiret, aktori luan, aktori shndërrohet në…”
Arrihen vërtetë të gjitha këto ‘akte’ dhe nga çdo aktor? Të jetë e lehtë vallë?

Aktori edukohet, mësohet, stërvitet, ushtrohet, drejtohet, kontrollohet, tjetërsohet.
Çdo gjë arrihet me punë krijuese analitike ballafaquese dhe përherë kërkuese. Nuk ka aktor që të shtiret, aktori përcjell besueshmërine e shndërrimit të tij, duke dhënë mishërimin e asaj që ju e besoni më së shumti. Ju më shumë besoni dikë që është i ndershëm me ju, sesa një gënjeshtar. Mashtrimi në art është shumë i sofistikuar, sa njerëzit në përgjithësi nuk arrijnë ta kapin. Krijimi dhe “mashtrimi artistik” vijnë në nivele perfeksioni dhe publiku në sallë sugjestionohet nga magjia e shndërrimit kur ajo është bërë mjeshtërisht.

Që një aktor, të arrijë ta bindë publikun në atë çka ai kërkon të shprehë në atë çast të përcaktuar interpretimi, me ç’cilësi duhet të jetë i pajisur?

-Nuk ka pajisje, ka mjeshtëri krijimi dhe punë të lidhur me aftësinë shprehëse, që quhet ndryshe edhe talent. Nuk ka ndonje profesion në art që mund të bëhet pa pasur në themel talentin dhe më tej, punën e vazhdueshme. Arti i artistit është arti i të ushtruarit dhe të shndërruarit, duke vetëndjerë dhe duke ditur të përzgjedhësh, të krijosh karakterin dhe të ruash masën.
Talenti fillon dhe mbaron me aftësinë e befasisë: humbe befasitë, humbe artin.

Mimika e fytyrës, është diçka e lindur tek aktori apo mësohet?..

Aktori interpreton, krijon dhe vepron, kështu që pamja e jashtme ose shprehuria apo mimika siç quhet nga ju, nuk janë qëllim më vehte. Ato vijnë nga ndjesitë dhe krijimi i karakterit sipas rrethanave.

Lidhur me këtë pyetje është një shembull në ekran, që i përket Charlie Chaplin. Ai krijonte me gjestin dhe mimikën në kohën e kinemasë pa zë. Ndërsa çdo aktor tjetër krijon karakterin dhe nuk krijon mimikën.

Ju keni përshkuar dy epoka themeltare të kinematografisë shqiptare – lidhur me faza vendimtare të politikës dhe shoqërisë shqiptare – ndeshja e filmit ideologjik kundër filmit të vërtetë, sa i kushton një aktori?
Ç’ndjesi i shkaktohej Mevlanit, aktor i ri në moshë, i talentuar në profesionin e tij, ndërkohë që i duhej të përballej me diktimin e rreptë të skenarit apo censurës?

Sot diskutohet dhe hidhet disa herë shumë baltë mbi atë kohë. Gjërat duhet të diskutohen me mendësinë e kohës. Në komunitetin tonë përgjithësisht vepronte sa censura, po aq edhe autocensura. Unë nuk kam qenë ndonjë person i lidhur edhe aq me strukturat e partisë së kohës, pasi nuk kam qenë i përfshirë brenda radhëve, por ka pasur disa aktorë apo regjisorë që kanë qenë brenda partisë dhe kush më shumë e kush më pak, ishte i nënshtruar nga ideologjia e kohës. Vehten do ta konsideroja liberal të përjetshëm, pak i vështirë për t’u rreshtuar, por jo ndonjë rebel i racës. Janë të shumta rastet që na kanë detyruar të ndërhyjmë në punët tona.

I teti ne bronz
Nga filmi “Rrugicat që kërkonin diell” me Yllka Mujo

Kam edhe një dokumentar për Beratin, që kurrë nuk doli në ekran, edhe pse pati vlerësime të larta në shikimin që ju bë nga gjithë punonjësit e Televizionit Shqiptar, apo një sulm të orkestruar për filmin “Fletë të bardha”, deri në kërcënim Natashës si skenariste për t’i hequr të drejtën krijuese. Eshtë një letër e jona (Natasha Lako, Mevlan Shanaj) si krijues të filmit “Fletë të bardha” drejtuar në atë kohë Ramiz Alisë, ku i kërkonim ose të ndërpritej sulmi, ose të na ndëshkonin.

Ju keni interpretuar vetëm role kryesore. Si rrjedhim, keni pasur gjithnjë partnerë nga ajka e kinematografisë shqiptare.
Eshtë më e lehtë të punosh me aktorë të një niveli të lartë e të njohur, apo me aktorë të rinj? Ka pro e kundër në të dyja rastet ?..

Kur u takova për herë të parë me kolosët e skenës dhe ekranit si : Sandër Prosi, Kadri Roshi, Pandi Raidhi etj.. në filmin “I teti në bronx”, padyshim që kisha drojë, por e konsideroj vehten me fat, pasi më vonë ata u bënë edhe aktorët e filmave të mi si regjisor dhe nga këto bashkëpunime ruaj ende madhështinë e thjeshtësisë së tyre dhe përkushtimin miqësor, me të cilët më vonë pata një miqësi të pashlyeshme. Nuk më ka qëlluar në jetë të kem parë aktor më të disiplinuar para kamerës në sheshin e xhirimit si Kadri Roshi, apo miqësinë në orët e vona për xhirimin e së nesërmes, me Sandër Prosin, si edhe miqësinë me kinoaktorin më të suksesshëm në ato vite, Bujar Lako.

Ndërsa nga aktorët e rinj kam pasur disa përvoja, por do të veçoja bashkëpunimin me fillimin e Kastriot Çaushit në filmin “Plumba perandorit”, ka qenë një bashkëpunim i shkëlqyer, që u kthye në një miqësi shumë jetëgjatë.

balle_per_balle_rajmonda_bulku
Ne filmin “Balle pert balle” me Raimonda Bulku

Partnerja juaj e preferuar?..

Ka qëlluar që të kem bashkëpunim shumë të mirë me aktoren e shquar Yllka Mujo edhe si partnere, edhe si aktore nën regjinë time.

Ndërsa, si aktore të huaja e veçanërisht italiane, cila do të ishte e parapëlqyera nga ju si një partnere e mundshme për një film – bashkëpunim?

Në rininë time të hershme kam adhuruar Anna Magnani, Sophia Loren, Gina Lollobrigida, Claudia Cardinale dhe gjithë herët, Marcello Mastroianni apo Alberto Sordin, Vittorio Gassman.

Kur ishit i ri, kishit një aktor që imitonit, idhulli juaj?

Nuk besoj se janë të këshillueshme imitimet, por frymëzimet patjetër.
Në art, imitimi është jetëshkurtër, secili kërkon të jetë vetëvehtja.
Janë disa aktorët që adhuroja, por këta kanë lëvizur me kalimin e viteve. I pandryshuar mbetet mendimi për madhështorin Marlon Brando.

Rolet tuaj si protagonist, zakonisht janë karakterizuar nga një emërues i përbashkët: aftësia juaj drejtuese dhe organizative në rol, këmbëngulja, vendosmëria e shpirti i përgjegjësisë.

Sa gjejnë hapësirë këto tipare në temperamentin dhe jetën tuaj reale?

Aspak, ose plotësisht. Aspak fizikisht dhe plotësisht shpirtërisht.

Proçesi krijues i aktrimit nuk ka lidhje me gjendjen aktuale, ndoshta ka shumë mundësi përjetimi kur ndodhesh në rrethana të provuara, gjithsesi krijimi është pjesë e shndërrimit dhe shndërrimi vjen si rezultat i proçesit të njohjes dhe riaktivizmit të organizuar me vetëdije të përvojes dhe llogjikës.

Ndonjë ‘Nebi Surreli’, si personazhi që kryente punë të rënda, interpretuar mjeshtërisht nga ju shumë vite më parë në “Rrugicat që kërkonin diell” – por, aktual – a ju ka qëlluar të hasni realisht nëpër shqiptarë që të bëjnë atë jetë të -vështirë edhe sot?

Mendoj se sot, kur papunësia është shumë e dallueshme, ka disa Nebi Surrel, për të mos thënë se “Poema e Mjerimit” e Migjenit duhet të riinterpretohet në kanalet e shumta televisive, që më së shumti janë të mbushur me dekoret publicitare njerëzore, të përqindjes më të paktë, ose fare të paktë imponuese të kësaj shoqërie me probleme serioze të mbijetesës.

Ka ndonjë rol që – i besuar ndonjë kolegut tuaj – do t’ju kishte pëlqyer ta interpretonit ju?

Jo nuk kam, unë kam vajtur në film kur më janë krijuar mundësitë si aktor dhe kam realizuar filma kur më janë krijuar mundësitë.
Padyshim, ka shumë raste që nuk ke arritur atë që ke pasur dëshirë apo që ke ëndërruar.

Nëse do te realizonit ndonjë serial televiziv, cila do të ishte sipas jush, tematika më e dashur për publikun shqiptar sot?

Një ide më sillet rreth marrëdhënieve gjyqësore.
Një serial që do të kishte material të mirë komunikimi, pasi jo të pakta janë rastet e kompromentimit gjyqësor, apo të dramava brenda familjeve, jo vetëm morale, por kryesisht për pronësinë.
Temë e gjerë për shoqërinë traumatike shqiptare.

Nëse ju personalisht, sot do të fillonit të ‘vizatonit’ një skenar, cila tema e tij, nga ju e përzgjedhur?

Kam në proçes një skenar me temën e “Pritjes”.
Njeriu, sa herë që pret diçka, ka një pasiguri, ka një tension, kjo ndodh me një çift tek te 60-70, ku fillojnë edhe tensionet nga ana psikologjike apo edhe shfaqje të tjera shëndetësore.

Si regjisor, ka një film tuajin, që mund ta cilësoni si më ambiciozin?

Ndoshta “Plumba perandorit” apo “Lule të kuqe, lule të zeza”. Ende nuk e kam zgjidhur këtë dilemë.

lule_kuqe_lule_zeza
Ne filmin “lule te kuqe, lule te zeza” me Yllka Mujo

Në filmat e interpretuar prej jush, ka një kolonë zanore që ju ka mbetur në zemër veçanërisht? Cili, kompozitori shqiptar?

Gjatë krijimtarisë sime kam punuar me kompozitorët e njohur të filmit si: Limos Disdari, Kastriot Gjini e Josif Minga, Hajg Zaharian, Aleksandër Lalo, dhe në mënyrë të veçantë me Kujtim Laro, që sipas nesh, është quajtur Ennio Morricone i muzikës shqiptare. Muzika e fundit e realizuar nga ai është në filmin tim “Lule të kuqe, lule të zeza”, padyshim një nga realizimet më të arritura muzikore në ekranin shqiptar, për të cilën edhe u vlerësua si muzika më e mirë në festivalin e radhës së filmit shqiptar, ashtu siç u vlerësua në atë film edhe kamera e Afrim Spahiut, si kamera më e mirë.

Nëse Ennio Morricone do të shfaqte dëshirën të kompozonte kolonën zanore të një filmi tuaj, cilin film do t‘i besonit për këtë ndërthurje?

Filmin që nuk e kam bërë ende.

Përvoja më domethënëse si regjisor për ju?

Jam një rast i veçantë në ekranin shqiptar, pasi kam pasur mundësinë të jem në ekran në të gjitha pozicionet. Kam nisur si folës lajmesh kur isha ende student, më pas aktor në “I teti në bronx”, regjisor themelues dhe eksperimentues në Televizionin Shqiptar në të gjitha rubrikat – përveç atyre politike – por edhe aty, në raste të veçanta, nuk kam shpëtuar.

Gjatë jetës sime në ekran kam provuar aktorin, folësin, showman, regjisor i dokumentarit, reportazhit, teatrit, humorit, filmit si në ekranin e madh edhe të vogël , autorit realizues, duke bërë vetë çdo gjë dhe disa herë edhe producentin dhe mësimdhënie.

Më domethënës për mua mbetet sheshi i xhirimit. Atje ndihem me energji dhe përherë sa më emocion, aq edhe jam i lumtur. Atje ndihem me pushtet, ndërsa në çdo hap tjetër të jetës, më duket sikur të gjithë të tjerët janë disa hapa para meje.

Film artistik apo dokumentar?

Unë kam ushtruar veprimtari të gjerë prej disa vjetësh në RTSH. Aty kam eksploruar çdo gjini televizive deri sa arritëm në filmin artistik. Unë nuk arrita të bëja filmin televiziv, edhe pse janë disa filma të realizuar me TVSH ,unë kam bërë filmin kinematografik në televizion, pavarësisht teknikave të perdorura. Në rrugën time shumë të gjatë krijuese prej 1968 deri më sot, janë disa shembuj që më kanë mbetur në kujtesë.

Ndoshta filmi i parë, ndoshta filmi i fundit, di të them se sa herë që filloj një punë, kam emocione si për herë të parë, asnjëherë nuk ndihem i arritur, por gjithëherët në ethe. Ndoshta aventura e filmit të parë si regjisor (Korrierët, 1975) apo madhështia e filmit “Plumba perandorit” 1980, apo sulmi dhe agresiviteti politik i kohës tek “Fletë të bardha” në fillim të 1990 , apo vështirësitë ekonomike në “Lule të kuqe, lule të zeza”( fitues në New York 2004) apo dokumentari “Rrugët” 1997, pra janë disa herë këto mbresa, apo më mirë: nuk ka asnjë rast qetësie në krijimtari.
Dikur nga komisionet, sot nga mungesa e mjeteve financiare.

Regjisor dhe prodhues filmi. Kur këto figura nuk përputhen në të njëjtin person, sa ndikon kjo në ecurinë e filmit?

Në ecurinë e filmit e rëndësishme është në radhë të parë dramaturgjia. Një skenar i mirë për një profesionist të mirë është fat, pasi kurdoherë do të dijë të trokasë në shikuesit.

Krijuesi është përherë në kundërshtim me paratë, ai ka miqësi vetëm me krijimin.
Përgjithësisht mendoj se nuk kanë miqësi, prodhuesit me krijuesit.

Sot, diçka që të bën të njihesh në mënyrë të drejtpërdrejtë e të shpejtë, është paraqitja, sipërfaqësorja.
A bëhet ky, një shkak iluzioni për të rinjtë, se është i lidhur në të njëjtin raport edhe me aktrimin?
Cilat janë këshillat që do t’u jepnit të rinjve që synojnë të bëhen aktorë?

Nuk dëshiroj të jap këshilla. Para disa kohësh botova një libër ”Ekrani është vetë ëndrra”. Aty janë rrugët e thëna nga përvoja e kineastëve të botes, si edhe imja, se si mbërrihet tek ëndrra. Puna dhe vetëm puna sistematike me pasionin, të çojnë në stacionin që ëndërron, por nganjëherë edhe rastësia. Por kjo nuk duhet pritur, ecja pa ndalesa dhe në ngjitje është domosdoshmëri në artin e skenës dhe ekranit, sigurisht freskia mbetet magjia për çdo artsitit.

Ikonat e kinematografisë shqiptare: sipas jush, u është bërë respekti apo vlerësimi i duhur për meritat e tyre të shkëlqyera në këtë fushë në Shqipëri?

Mendoj se kjo pyetje ka dy përgjigje.
E para, respekti dhe vlerësimi për të gjithë ata që i kanë dhënë skenës dhe ekranit shqiptar, vazhdon të mbetet i pandryshuar nga të gjithë shikuesit, të cilët ende janë admiruesit e pandalshëm.

Lidhur me përgjigjen nëse ka brenda kërshëritë ekonomike, edhe artistët shqiptarë janë si një trup i pashkëputur nga gjithë pjesa tjetër e shoqërisë në të gjitha drejtimet.
Pasi artistët nuk vijnë nga një planet tjetër, ata janë të lindur nga populli i vet dhe bëhen të mëdhenj kur dinë të përfaqësojnë denjësisht atë shoqëri që i krijon. Mitet dhe legjendat çdo shoqëri i krijon për madhështinë e vetëvehtes.

Martesa juaj, shembullore për kohëzgjatjen dhe ecurinë e saj: sa rëndësi ka, sidomos në profesionin tuaj, aftësia e një administrimi të rregullt familjar?

Familja për mua ka qenë dhe mbetet kyçi i sukseseve të mia në profesionin tim. Me Natashën kemi udhëtuar së bashku në çdo krijim timin edhe si aktor, dhe mbi të gjitha si regjisor, ku në shumicën e tyre ajo është autorja e dramaturgjisë.

Sigurisht ka qenë një udhëtim i bukur, por me shumë sakrifica, sidomos në rininë e hershme ku puna ishte tepër e madhe dhe fëmijët e vegjël, e gjithçka nuk do të mundej nëse mamaja e saj, Margarita Lako, nuk do të jepte ndihmesën e pallogaritshme në mirëkujdesin e fëmijëve tanë, të Herës dhe Jonit.

Ndonjëri nga fëmijët, ndjek rrugën tuaj profesionale?

Po, djali Joni Shanaj, është regjisor edhe antropolog, ai e ka kapërcyer regjisurën në film me shumë sukses që në fillimet e veta si me filmin dokumentar “Ivi Tirana Punk” dhe së fundi, me filmin e gjatë artistik “Pharmakon” , që sipas kritikës së specializuar ishte një risi në ekranin shqiptar.

Si e përjetoni të qënit ‘gjysh’ ? Një gjyshi aktor – në vend të ndonjë përralle – i qëllon ndonjëherë që, nipit apo mbesës, t’i tregojë ndonjë histori apo fragment të lidhur me ndonjë film të tij?

Është një nga ndjesitë më të bukura të jetës sime, ardhja në jetë e nipit dhe mbesës. Ata janë binjakë dhe së bashku me Natashën, atë mëngjes të 16 gushtit 2010 e ruajmë si emocionin më të bukur dhe më të pashlyer, pasi ishim shumë pranë dhomës së ardhjes së tyre dhe dëgjonim britmat e para të ardhjes në jetë. Tani sapo kanë filluar të ndjekin përrallat, që është më shumë pronë e Natashës, por mua më konkuron Ipad dhe ende nuk mundem të jem siç ju po më pyesni.

Projekte për të ardhmen tuaj profesionale?

Vazhdoj të punoj me përkushtim në Universitetin e Arteve me studentët e regjisë së Filmit dhe TV për master pa u ndalur, në kërkim të vazhdueshëm të kontaktit me audiencën përmes ekranit. Më i fundit ishte një dokumentar për Ndrekë Lucën, që vinte pas atij të Vangjush Furxhi , duke u ndjekur së shpejti për artisten shumë të veçantë, regjisoren Xhanfize Keko.

Zoti Mevlan, ju falënderoj që sot u bëtë mik i “Albania News”.

Faleminderit!

Burimi i fotove: Arkivi Qendror Shteteror i Filmit, Tiranë

Marrë nga Albanian News