Kancelaria e Gjermanisë, Angela Merkel thotë se pas marrjes së statusit kandidat, Shqipërinë e pret një proces i gjatë reformash deri në hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.
Duke folur pas samitit të BE-së, Merkel la të kuptohet se nuk do të ketë hapjen negociatash menjëherë pas dhënies së statusit siç ka ndodhur më parë.
“Do ketë një proces hapa pas hapi. Vendi duhet të kryejë një numër hapash para se të mund të flasim për hapje të negociatave të anëtarësimit. Është një proces i gjatë. Vendi hodhi një hap përpara me statusin e kandidatit. Hapja e negociatave varet vetëm nga progresi i vendit në reforma”, tha Merkel.
Kancelaria gjermane bëhet nismëtare e një konference të përvitshme me krerët e qeverive dhe të shteteve të Ballkanit, që do organizohet për Ballkanin më 28 gusht.
“Ne e mendojmë që paqja dhe stabiliteti i qëndrueshëm në rajonin e Ballkanit mund të arrihet vetëm me anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Por, ne nuk donim të shihnim prapa në histori. Ne donim të bënim diçka konkrete për rajonin. Kjo është arsyeja për të cilën ne ftuam të gjithë kryetarët e shteteve dhe të qeverive dhe përfaqësues të biznesit në një konferencë për Ballkanin Perëndimor”, u shpreh Merkel.