Melpomeni Çobani, u lind më 6 qershor të vitit 1928 në Tiranë. Mësimet e para i mori në vendlindje.
Në vitit 1947-1949 kreu një shkollë për aktore pranë Teatrit Popullor. Ne Teatrin Popullor ajo interpretoi role të suksesshme si në dramë ashtu edhe komedi, si tek: “ Rrënjët e thella”, “Fejesa”, “Vajza nga fshati”, “Prefekti”, “Revizori”, “Kopështi i jargavaneve”. Më pas për gati 10 vjet shkëputet nga aktrimi dhe i kushtohet tërësisht sportit. Ajo u aktivizua në disa sporte njëkohësisht duke arritur suksese. Melpomeni ka qenë rekordmene në hedhjen e diskut, në hedhjen e gjyles, në hedhjen e shtizës, rekordmene dhe kampione për shumë vite në pingpong, në atletike, në volejboll me ekipin e “Partizanit” etj. Në vitin 1947 mori pjesë në Ballkaniadë në Bukuresht duke zënë disa vende të para.
Në vitin 1955 e la sportin për t’iu kthyer artit në Teatrin e Estradës ku ka interpretuar në më se 1500 role për gati 40 vjet punë në Estradë deri në vitin 1976 kur doli në pension. Melpomeni luajti rolin e fundit përsëri në Teatrin Kombëtar në vitin 1996 në pjesën “Kopjen e parë”.
Melpomeni ka interpretuar edhe në kinematografi role të spikatura si në filmin “Kapedani”, “Estrada në ekran”, “Tela për violinë”, etj.
Në vitin 1961 mori titullin “Artiste e Merituar”, dhe në vitin 1975 “Artiste e Popullit”.
U nda nga jeta në Tiranë më 26 tetor 2016.
Filmografi:
1988 — Stola në park
1987 — Një vit i gjatë
1987 — Tela për violinë
1983 — Fraktura
1979 — Ballë për ballë
1979 — Radiostacioni
1977 – Cirku ne fshat
1974 — Qyteti më i ri në botë
1973 — Operacioni “Zjarri”
1972 – Kapedani
1970 — I teti në bronz
1968 — Estrada në ekran
1958 — Tana
Në Teatër:
“Fejesa”
“Kolltuku magjik”
“Kopshti i jargavanëve”
“Liza dhe Sula”
“Napoloni dhe Amalia”
“Ngatërrestarja”