Nga Pëllumb Kulla /

pellumb_kulla-1
Pëllumb Kulla – shkrimtar

– Pjesë e debateve tona të tranzicionit. Korrik 2000 –

Një gazetar në një artikull tek “Shekulli”  shkruante: “Dëshira për të ikur po na rezultoka kolektive!

Po ikin të gjithë, bujq e pedagogë, fshatarë e qytetarë, ministra e ish-ministra, kurva e murgesha, biznesmenë e të papunë, të dalë e të përdalë. Ikin ngaqë nuk kanë siguri për të ardhshmen. Kush dreqin e ka ngritur në sistem frikën për të ardhshmen në këtë vend? Kush ka punuar kaq shumë, vetëm e vetëm t’u mbushë mendjen shqiptarëve se vendi i tyre, jo vetëm është i varfër e i pasigurtë sot, por do të jetë i tillë edhe nesër?.. Kush i bën shqiptarët që ta besojnë një gjepur të tillë? Duhet të kuptojmë se ky vend është i pasigurtë, sepse ne nuk bëjmë asnjë përpjekje që të jetë i sigurtë. Jemi ne që e bëjmë të pasigurtë. Absolutisht ne.”

Përgjigja ime:

Absolutisht, i ke rënë pikës! A nuk ishte Shqipëria diktaturë, ngaqë ne nuk bëmë asnjë përpjekje, që ajo të mos ishte diktaturë?! Absolutisht ne!
Bile edhe ata që pushkatoheshin, me shtatë tetë vrima dhe rrëke gjaku në gjoks, rrëzoheshin mu para këmbëve të skuadrës së pushkatimit e nuk bënin asnjë përpjekje të qëndronin në këmbë!
Ishte lodër e madhe kjo, o zoti gazetar!
Artikulli yt është një nga shprehitë më të hidhura që u është dërguar ndonjëherë shqiptarëve të përmallosur tej e mbanë botës. U është dërguar të kënaqurve dhe të pakënaqurve, të punësuarve dhe të papunëve.
Na thënke që janë një milion që kanë lënë Shqipërinë deri më sot, dhe ikjen e tyre e quan flamë, modë, snobizëm, “përtaci për të punuar me rendin publik të Shqipërisë” e mendje të tjera të bukura, si këto!…
Qënke veshgjatë, o beu ynë!.. – do të të thosh Çajupi.
Raporte të organizatave ndërkombëtare e kanë cilësuar mërgimin shqiptar si me të rëndin në përqind të popullsisë. Raporte të UNCHR-it thonë se dyzet përqind të shqiptarëve të mërguar janë intelektualë, dhe se kjo është shifër tronditëse… E ti na thua të tuat! Pale-po, atyre që ikin, kërkon t’u varësh pas edhe torbën e përgjegjësisë! Një milion shqiptarë bëkan lojën e dikujt?! Duke nënkuptuar që ky dikushi mendohet jashtë kufijve, përfundimi është paksa komunist, ëh, si thua?
Në vend të merresh me shkaqet e zjarrit, qorton të përvëluarit se ku venë dhe mjekojnë të djegurat!
Klasa politike po e shkatërron vendin, po ua shet atë të huajve, po e boshatis Shqipërinë dhe ata arrijnë të të bindin ty, të na kërkosh hesap neve, jo atyre! Si mundet një kryegazetar, i një kryegazete të mos e shikojë këtë braktisje si pasojë, por vete edhe e shikon si shkak në vetvete?! A nuk është e vërtetë se familje të tëra me gra dhe kalamaj, e bile me foshnja të porsalindura, hedhin Adriatikun në mes të dimrit me skafe, kur e dinë mirë që përqindja e suksesit është shumë e vogël, se mbase dallgët mund t’i mbytin, o skafistët mund t’i hedhin në ujrat e akullta, pa cikur ende brigjet italiane? ……… Po shqiptarëve që ndërrojnë emrat e punojnë fshehur fushave e pemishteve të Greqisë, mbetet t’u bësh ti leksione të identitetit? Po pensionet-karreme, që grekët u japin profesorëve tanë mërgimtarë që kanë banuar nëpër qytetet greke? Do t’u bësh thirrje të mos i marrin ato para dhe të vdesin me dinjitet trotuarëve të Tiranës?!
Nuk do të bësh keq të pranosh se pasunarët e kuq, tani kanë dëshirë të jenë të rrethuar edhe me popull të lumtur. Atyre u vjen po aq hidhur që njerëzit u kthejnë krahët me neveri dhe ua lenë atë vend, ku pasunarët kanë dhjetra vite që bëjnë pisllëqe. Duket se miliarderët e rinj nuk e gëzojnë fitoren tamam-tamam, ashtu si nuk e gëzojnë dot futbollistët fitues që, pasi kanë favoret e hapura të arbitrit, shohin kundërshtarët edhe spektatorët tok, t’u lenë lojën përgjysmë e të braktisin fushën dhe shkallët.
Ti e thua bukur atë të regjimit të të kuqve që u zëvendësua nga regjimi i ish-të-kuqve. Bravo miku im, por e thua përgjysmë! Pse nuk thua se regjimi i kuq tani u riciklua plotësisht. Se të kuqtë, në këto dhjetë vjet, u ndanë me dysh, në mënyrë që të dy palët të mos mbajnë përgjegjësinë legale të PPSH-së. Që të kenë mundësi të akuzojnë njeri tjetrin për fajtorë: “e shkatërruat atdheun ju! – Jo ne, por ju! – Ne aspak, ju, dhe vetëm ju!”
E dërci, e vërci!
Po ne jemi njerëz të thjeshtë dhe nuk e përdredhim dot mendjen gjer aty. Ne i biem shkurt dhe ata dy-treqind komunistë që janë në krye dhei kontrollojnë të tëra partitë shqiptare, i mbledhim prapë tok në mëndjen tonë dhe e dimë në cilën parti janë.
E dimë kush e ka fajin. E dimë që detyra u krye: u bë tym e mjegull, kush zgjati dorën mori nga një thes, u shkrehën ca armë e u vranë nja pesë a gjashtë mijë vetë, u derdhën ca llomka gjaku, sa për të trembur të gjithë bythecët që ia mbathën nga sytë këmbët, me kurva, ministra e murgesha, bujq e minatorë, të persekutuar, të dalë e të përdalë…
E dimë që aty në Shqipëri, keni nevojë për njerëz të qeshur e të gëzuar për sheshet e mitingjeve, ku Xhelili mallkon ata që ikin e ku Tosi e Sala venë në gjumë ata që kanë ndërmend t’i gënjejnë për herë të dhjetë!
Por ne, hëpërhë, nuk vimë dot në festat tuaja.
Kemi shumë punë. Të larta a të ulta, punërat këtej janë të tëra të nderuara e – lavdi Zotit! – të paguara mirë. Më ruajttë Zoti, se nuk i bëj reklamë kurbetit, ashtu sikur nuk kam lexuar kurrë në letërsinë dhe gazetarinë botërore që të shahen mërgimtarët!
Vetëm gazeta “Shekulli” e bëri!.
Fëmijët tanë kanë ende në sy llahtarën e gomoneve të Otrantos, por nuk kanë strese, nuk thonë fjalë të ndyra, si ato që përdor zotrote, në këtë artikull kundër mërgimtarëve. Ata flenë më në fund të qetë, kanë shoqërira shëmbullore me djem e vajza të edukuara e ndjekin shkolla e kolegje. Ambicjet e studentëve shqiptarë janë bërë proverbiale në tërë kolegjet dhe universitetet e shquar amerikanë. I paguajnë kripur studimet, por ama i nxjerrin vetë ato para. Edhe duke larë pjata.
Nuk ka universitet më të çmuar, se ai që paguhet me larje pjatash!
Po ato janë hëpërhë mbjellje dhe mos i fyej ata që mbjellin, zoti gazetar! Për korrjet, flasim!

Albclub, 18 korrik 2000

Përfshirë në vëllimin “Luftë pa Fund” fq 563 botim i UET 2013