Nga Albana Lifschin:
Pas mbarimit të luftës me Francën, Anglia i kishte duart të lira për të ndëshkuar Amerikën që ishte shkëputur prej saj. Pas hyrjes në Washington, D.C., ushtria angleze i vuri zjarrin Shtëpisë së Presidentit, siç quhej atë kohë, dhe disa godinave të tjera shtetrore e mori drejt
qytetit të Baltimores. Porti i Baltimores ruhej nga fortesa McHenry. Mbi të valvitej një flamur i madh, të cilin majori Xhorxh Armisted, komandanti i kështjellës, e kishte porositur pak ditë më parë tek vejusha Meri Pikërsgill. Ai i kishte kërkuar asaj të bënte një flamur aq të madh sa të shihej me lehtësi nga anglezët edhe në distancë të largët. Meri me ndihmën e vajzës se saj 13 vjeçare bëri një flamur me përmasat 30 këmbë me 42. Flamuri kishte 15 yje të bardhë dhe 15 rripa të kuq të qepur në të.
Në mëngjesin e 13 Shtatorit, 1814, 16 anijet e flotës angleze filluan të
qëllojnë me top fortesën McHenry. Ndërkohë që vazhdonte beteja një
avokat i ri nga Uashingtoni, i quajtur, Francis Scot Key, i qe afruar
anijeve angleze me një flamur të bardhë në dorë. Francis ishte në
kërkim të një mikut të tij të cilin e kishin zënë rob anglezët. Ai
kërkonte të hynte në bisedime me ta për të siguruar lirimin e tij.
Ushtarët anglezë e mbajtën avokatin rob në një anije duke i premtuar
se do t’ia lironin shokun pasi beteja për fortesën McHenry të
mbaronte. Ishte një natë shiu. Bombardimet mbi fortesë vazhduan pa
reshtur për 25 orë rrjesht. Topat i hidhnin predhat mbi fortesë që nga
një largësi prej dy milesh. Nga kështjella vinin kundërpërgjigjet e
dobta të mbrojtësve të saj. Imagjinoni emocionet e forta që kaloi
Francis Scott Key, sa herë që flota angleze godiste me top fortesën
amerikane. Plasja e bombave ndriçonte qiellin pa yje dhe fortesën që
ende qëndronte. Orë të tëra kaloi amerikani i ri me ankth në zemër
duke pyetur veten nëse do ta shihte vallë sërish Flamurin në mengjezin e dites se re.
Kur agimi filloi të zbardhë i drithëruar Francis Scot Key ktheu sytë
nga fortesa. Mbi të valvitej ende flamuri amerikan. Një erë e lehtë
zbulonte yjet e tij të bardhë. Gjenerali anglez Robert Ross qe vrarë
dhe ushtria anglezë po tërhiqej.
Me një gufim zemre të paparë djali i ri shqiptoi fjalët e para që i dolën
nga shpirti e që u bënë vargjet origjinale të hymnit të flamurit amerikan.
Sot hymni kombëtar i SHBA me fjalët e Francis Scot Key titullohet:
“The Star-Spangled Banner.” Fortesa e McHenry është Monument
kombëtar dhe shtëpia e Mari Pikërgill është shtëpi muze dhe quhet “Shtëpia e Flamurit”.
(Shkeputur nga Libri ” Udhëtim në Historinë e Amerikës”.
Albana M. Lifschin (2003)