Nga Kolec Traboini /

kolec_traboini
Kolec Traboini

 

Është krejt e natyrshme që në këtë demokraci të pambrrime, kur Shqipëria është në anarki dhe artistët në pikë të hallit, kur arti mezi merr frymë, të kemi dilema e zhgënjime të mëdha dhe të revoltohemi, të shprehemi edhe ashpër përtej etikës intelektuale publike, duke i hapur udhë kësisoj padurimit  dhe zemërimit të pafre që është një hap larg nga kriza e personalitetit si shprehje e mjerimit social të artistit.
Maks Velo  është artist dhe si gjithë artistët ka dilemat e veta, pakënaqësitë e mërzitë te cilat i shpreh në intervistën e vet dhënë gazetarit Alfred Lela, çfarë ka sjellë një reagim masiv të pakontrolluar nga vetëdija mbi gjëndjen e mjeruar të krijuesve shqiptarë. Ka plot të tilla ngjarje në jetën e artistëve jo vetëm pse kështu është natyra e tyre, por edhe sepse e tillë është koha në të cilën jetojmë. Një kohë që nuk është ashtu siç do të donte Maks Velo dhe intelektualët e tjerë shqiptarë të ishte.
Është krejt e kuptueshme që Velo është i zhgënjyer, por edhe ne jemi të zhgënjyer. Maksi ka shumë të drejtë të jetë jo vetëm i zhgënjyer, por edhe i lodhur, madje edhe të thojë se ky vend kësisoj, jo që nuk po bëhet, por edhe po çbëhet. Edhe këtu ka të drejtë. Është e lehtë t’i themi Maksit se gabove dhe t’i lëshohemi me breshëri fjalësh që tregojnë jo vetëm intolerancën, por edhe injorancën tonë publike. Por është më e vështirë, nga ana tjetër, të rrimë e të mendojmë e analizojmë se pse shkojnë intelektualët deri në këtë zgrip mohimi e urrejtjeje?  Maks Velo ka të drejtë sepse janë të shtrembra shumë zgjidhje që janë bërë në këtë Shqipërinë tonë të vogël me sipërfaqe,  por me halle të mëdha sa për një kontinent. Sepse ka shkatërrime marramendëse dhe është çudi si ende ky popull mbahet në këmbë. Ka të drejtë, se këtu është në modë shprehja, të vrasin e nuk të paguajnë, çfarë do të thotë se kalon në rrugë e vjen tjetri e i bie artistit Agron Aliaj dhe e vret në mes të bulevardit, në qendër të Tiranës ku nuk ka asnjë shkak të qarkullojnë mbi 100 mijë makina gjatë 24 orëve, kancer i gjallë në mushkëritë e kryeqytetasve dhe askush nuk thotë kurrgjë, e quajnë jetë moderne të kalosh në qendër të Tiranës makari për tangërllëk, për t’u pa. Po kështu në Durrës vjen një shofer dhe pa një pa dy e godet e vret në mes të rrugës shkrimtarin Perikli Jorgoni. Këta janë të njohur, po sa të panjohur prej egërsisë së njerëzve me vetura shkojnë me jetë të humbura. Ndoshta kjo duket pa lidhje, por një lidhje e ka, se jemi në firo të madhe me etikën e me kulturën qytetare dhe nuk ka pse t’i kërkojmë Maksit të jetë një engjëll, kur në rrugë përditë takon veç djaj, kur realiteti është një pisllëk i madh, ku etika është degraduar sa njeriu i kulturuar e ndjen vetën ngushtë, e kjo mungesë kulture e mediokriteti jo vetëm qytetar, por edhe institucional. Le të shkojmë më tej e të shohim si shihen shkrimtarët dhe artistët nga shteti shqiptar, çfarë përkujdesje tregohet ndaj tyre që bashkë me luftën për të mbijetuar në këte kaos bëjnë edhe artin, krijojnë vepra kur shpërblimi për këto është një hiçmosgjë. Po këtu në këtë Shqipërinë tonë halleshumë shkrimtarëve dhe artistëve u është marrë nga qeveria e mëparshme edhe selia e tyre që e kanë mbajtur dekada në diktaturë dhe me një të rënë të lapsit nxirren shkrimtarët e artistët në rrugë. Vjen qeverisja e re dhe as e vë ujin në zjarr kur paradoksalisht Kryeministri është një artist.  Shkatërrohet Kinostudio nga qeverisja e mëparshme, po kjo qeverisja e re as që dëgjon fare kur protestojnë kineastët dhe kërkojnë që Kinostudio të kthehet në identitet si pjesë e traditës kulturore shqiptare, si një muze e tempull arti e jo siç është katandisur, rrëmbe kush të rrëmbejë  si një mall pa zot. As nuk flasin fare. Bëjnë sikur nuk dëgjojnë, sepse aty janë mpleksur interesat e të dy partive që i duan televizionet që kanë pushtuar Kinostudion si megafonë personale. Politikë, politikë, politikë. Asgjë tjetër nuk prodhohet në këtë vend. Kultura është një handikap social dhe më kot përpiqen të na rrejnë sikur jemi inkluduar në ca marrëveshje kulturore paneuropiane kur arti, kultura e letërsia shqiptare janë në mjerim të plotë.
Edhe Maks Velo këtë bën, megjithëse revoltën kësaj radhe  e ka paraqitur si një urrejtje. Po a nuk e dimë se një poet i madh amerikan i Beat Generation, Allen Ginsberg në revoltë e sipër, sepse gjërat nuk shkonin siç ai dëshironte, shprehet në një poezi “Fuck You America!”, por nuk u ngrit njeri me histeri ta linçonte poetin.
Jo vetëm Maks Velo,  por të gjithë ne jemi të lodhur deri në rraskapitje. Këtu njeriu nuk ka vlerë. Këtu të hakërrehen në rrugë, këtu po të jesh artist pensionist duhet të shkosh në çdo 6 muaj të lëshosh një vërtetim se ende nuk ke vdekur, këtu marrëzirat kthehen në normë, por pse jo edhe në ligje, këtu subjektet reale janë në përmasa mitike. Çfarë janë “Shpirtrat e vdekur” të Gogolit përpara të gjallëve tanë që konsiderohen të vdekur. Dhe Çiçikov në këtë rast është shteti.
Si shoqëri shqiptare jemi tmerruar e traumatizuar edhe nga çfarë bën një islamik nga Kosova Lavdërim Muhaxheri duke prerë koka njerëzish, mirëpo kjo disave u duket si diçka e largët,  që ndodh diku tjetër e nuk na përket neve e nuk ka të bëjë me ne, madje nuk u dashka  folur për këtë se disave u preket sedra prej muslimani. Mirëpo a nuk i preu kokën Aishes një përbindësh si Shaban Norja? Dhe jo larg në Siri, por këtu diku në mes Durrësit e Tiranës. Veç nuk e  fotografuan kokën e prerë të vajzës, nuk e pamë dhe e përjetuam ngjarjen me fjalë. Gjithsesi kritizerët e anatemuesit duhet të dinë se artistët kanë veçori se duke qënë më të ndjeshëm i përjetojnë ngjarjet në shoqëri në mënyrë emocionale të fuqishme dhe reflektojnë, nuk heshtin. Artistët kanë shpirt të madh human. Prandaj dhe vihen re të reagojnë aq ashpër sepse nuk pajtohen me një realitet absurd.
Në shumë pikëpamje Maks Velo është i motivuar në reagimin e tij dhe i motivuar në dilemat e tij.  Nuk ka pse t’i japim pozicionit të tij ngjyrime antikombëtare, sepse nuk janë të tilla. Maks Velo është shqiptar dhe e do atdheun madje shumë më tepër se ata që e kritikojnë për t’u dukur, që janë lëshuar të gjithë njëzëri si në kohën e monizmit kur linçohej njeriu që nuk mendonte siç donte e urdhëronte partia. E do shumë më tepër sesa ata që thonë se gjithçka në Shqipëri shkon mirë e bukur, kur ne jemi me të vërtetë vendi i pesë anarkive, të cilat atdhetari i madh Fan Noli i shpalosi në parlamentin shqiptar më 27 Shtator 1923:
1 – Anarkia Fetare: Katër fe të ndryshme që nuk kanë zënë vend në zemrat e një populli pagan.
2 – Anarkia Sociale: Këtu ska as klas bejlerësh as klas bujqësh as klas burzhuazie, këtu bujku është më be se beu dhe beu më bujk se bujku .
3 – Anarkia Morale: Këtu qeni nuk e njeh të zonë, këtu karakteret dobësohen , qullosën dhe ndërrojnë formë e ngjyrë nga dita në ditë si në kaleidoskop .
Këtu ambicjet janë pa fre e pa kufi, këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha.
4 – Anarkia Patriotike: Këtu brënda një dite si për magji tradhëtori bëhet patriot dhe patrioti tradhëtor. Këtu shohim përpara syve tanë të kaperdisen si patriotë të mëdhenj ata që kanë luftuar për harfet dhe për flamurin e babës, që kanë djegur Shqipërinë e Mesme ose që janë puthur me andartet e i kanë ndihmuar të shënjtërojnë anë e mbanë Toskërinë. Këtu siç më thoshte një mik është më mirë që njeriu të jetë tradhëtar e të shikojë interesat e tij sepse kështu do të jetë i sigurt që të nesërmen do të proklamohet patriot i madh .
5 – Anarkia e Idealeve: Këtu idealet e shtrëmbëra, të errëta e të mumifikuara të Fanarit të Buharesë përfyten e përleshen për jetë a vdekje me  idealet e gjalla, me elegantet e më të ndritshmet e perëndimit. Na mungojnë vetëm idealet e antropofagëve po për të zënë vendin e tyre kemi kolltukofagët, krimba të verdhë me kokë të zezë , që rritën në plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, kërpusha që mund ti copëtosh, por jo ti shqitesh nga trupi që kafshojnë dhe thëthijnë. Herodi tregon se në betejen navale të Salaminës , një athinas kapi një anije persiane me dorën e djathtë e s’e lëshonte, gjersa ja prenë e atëherë e kapi me dorën e mëngjër, ja prenë dhe këtë, e atëherë e kapi me dhëmbë e s’e lëshoi gjersa i prenë kokën.
Sikur të ngjallej Herodi, përsëri do të shikonte që kolltukofagët tanë janë më të fortë se ky trim legjendar i vjetërsisë antike. Që ti shqitesh këta tanët nga kolltuku duhet ti presësh jo vetëm duart e kokën por edhe këmbët dhe trupin.”
Po ta shohim gjëndjen sotme të  Shqipërisë, Kosovës dhe tërë trojeve shqiptare në Ballkan do të vëmë re se këtyre anarkive mund t’u shtosh edhe  pesë apo shtatë anarkive të tjera.
E si të mos mërzitësh pra kur sheh se pas afro një shekulli që Noli i madh i ka konstatuar këto fenomene negative në shoqërinë e shtetin shqiptar ato jo që nuk janë zhdukur,  por janë thelluar e shumuar. Prandaj dhe duhet t’i jepet  të drejtë Maks Velos në mllefin e tij ndaj të këqijave me të cilat ai dhe të gjithë ne përplasemi përditë. Mirëpo Maks Velo  përpiqet që të keqen ta lokalizojë, të mos e paraqesë si fenomen social e psikologjik gjithëshqiptar, por e adreson në rajone të caktuara, sikur të këqijat tona të jenë thjesht epidemi provincash apo rajonesh. Mirëpo kjo nuk është e vërtetë. Këtu ai gabon në referimet e veta. Maks Velo përmend Laçin, por e keqja nuk është se përmend Laçin sepse laçjanëve u ka dalë vërtet nami për një lloj ashpërsie që degradon në dhunë e cila sigurisht buron nga papunësia e varfëria, por se me këtë i fut të gjithë Gegët në një thes. Maksi këtu e ka gabim fund e krye edhe sepse kështu dënon padrejtësisht edhe ata njerëz që ndajnë me të pakënaqësitë prej kësaj kohe mediokre. Ai është në të drejtën e tij të urrejë gjendjen, por jo ta përcaktojë këtë gjendje si rezultat i prapambetjes së zonave të veriut, për të cilën fajtor nuk ka si të jenë vetë banorët. Nga ana tjetër Maksi shfaqet si një adhurues i Kryeministrit. Dhe e shpreh këtë. Po Maksi duhet ta dijë se adhurimi për pushtetarët nuk është cilësi fort e dallueshme tek artistët e vërtetë. Po çfarë të bëjë Maksi  që i duhet  kryeministri!? Gjithkujt i duhet dikush në këtë vend, sepse pa mbështetje politike apo pushtetare nuk bën dot anjë punë, nuk boton asnjë libër, nuk hap dot asnjë ekspozitë. Ne jemi shembuj të gjallë të këtij absurdi të ushtruar prej nënpunësish e qeveritarësh mediokër. Dhe ta kesh mirë me kryeministrin do të thotë se Ministria e Kulturës të bëjë kujdes për Maksin për t’i krijuar lehtësira që në të vërtetë atij i takojnë, por që edhe mund të mos ia japin. Edhe në këtë vështrim Maks Velo është brenda dilemës së artistit. Por dihet një gjë, që ne verioret e dimë mirë, por edhe Maksi duhet ta dijë me shkakun se është nga bastioni i  komisarëve, që pas vitit 1944, “Jugu” e ka sunduar me egërsi dhe urrejtje Veriun për 50 vjet, e jo sunduar, por vrarë e prerë, torturuar në mënyrën më mizore, sepse falangat e Enver Hoxhës, të quajtura forcat e ndjekjes kanë qenë mbushur me “toskë” të tipit Toger Baba, madje për dijeni, kur kanë hyrë brigadat e kuqe, në mes të qytetit që quhej Fushë Qelë, partizanët kanë hedhur valle me këto fjalë të cilat  shkodranët  kurrë nuk i harrojnë: “Kur e futi Toska këmbën mirë ja q… Gegës nënën”.
Tani ne mund t’i mohojmë këto, mund t’i quajnë qëllimkëqija e përçarëse,  por ama janë të vërteta, jo vetëm se na i kanë thënë në fëmijëri ata që i kanë përjetuar këto ngjarje, por edhe pse një dëshmitar si Prenk Gruda i ka shkruar në librin e tij “Ditar i një zemre të lëndueme”.  Por ne Gegët, ani pse i dimë si kanë qënë punët, kurrë nuk bëjmë marrinë të themi se i urrejmë Toskët. Kurrë! Kemi vuajtur shumë, por edhe jemi shumë fisnikë në përballimin e vuajtjes me dinjitet, At Zef Pëllumbi e zbulon këtë mrekullisht, gjithashtu njohim edhe institucionin e faljes. Jo ne nuk i urrejmë Toskët, nuk e fusin popullin në një thes me banditët e vrasësit se të tillë kudo ka.
Maks Velo bën një mëkat të madh që me tone urrejtje i vë gisht viktimës së komunizmit,  Veriut,  edhe për faktin  se jugori, toska pra, erdhi një ditë që u bë viktimë e nuk mendojmë kurrë se kanë qënë gegët që e kanë rrasur në burg.  Komunizmi dhe natyra policore nuk ka qenë në axhendën e gegëve, madje ata janë shquar për antikomunizëm.
Përsa i përket raportit me Islamizmin të cilin e urren hapur e pa mëdyshje Maks Velo, ai ka parasysh të gjithë ata që e përdorin fenë për qëllime të mbrapshta për terror e vrasje,  por edhe ata që mbetën nën ndikimin e fesë dhe zhyten në një injorancë totale duke mos pranuar të qytetërohen.  Sepse kemi edhe fakte tronditëse që meqë ngjasin përditë jemi mësuar tashmë si me çdo absurditet tjetër mbi këtë tokë. Sepse dalin me mijëra vetë në mes të Tiranës me të prapme përpjetë që nuk është kjo asnjë lloj kulture qytetare tradicionale. Nuk mund që kulti i fesë të cënojë kulturën qytetare laike.  Secili ka shtëpi apo objekt kulti  ku mund të kryejë ritualet e veta, dhe jo të na shfaqet asisoj në publik. E në këtë vështrim Maksi ka të drejtë në kundërshtinë e vet ndaj gjërave që nuk duhet të ngjasin e që nuk ka asnjë shkak t’i tolerojmë si qytetarë. Mjaft më, nuk shkohet më tej me ato të bërtitura me altoparlante nëpër minaretë e xhamive se po lemerisim njerëzit me arabishte sikur jemi në Jemen. A ka të drejtë Maks Velo, ky artist që ka kaluar përmes kalvarit të Spaçit, të kërkojë që Shqipëria të ketë identitetin e vet, të shprehë kulturën e vet perëndimore, që të mos jetë anëtare e Konferencës Islamike, që të mos na zymtësohet e ardhmja me pasthirrma orientale( po as greke e asnjë gjuhë tjetër)  se kemi gjuhën tonë të bukur shqipe. Ne nuk mund ta pranojmë as revanshin babist e as regresin me injorancën e fanatizmin e tërbuar që kërkon të imponohet. Si të mos mërzitet kur shteti i skëterrës së Kalifatit Islamik (IS) e vë Shqipërinë e Kosovën në axhendën e vet për ta kthyer tokën e shqiptarëve në skëterrën e fanatizmit me të tërbuar që ka parë historia.  Patjetër që do të mërzitet, do të lodhet madje edhe do të urrejë Maks Velo, po edhe ne do të mërzitemi edhe do të urrejmë gjithçka që kërkon shprishjen e kombit shqiptar e kthimin në errësirën mesjetare.
Ne mund të mos jemi të një mendje me mënyrën se si i shpreh Maks Velo mendimet e veta të ashpra, por nuk mund të mos e vrasim mendjen se përse shprehet ky artist kështu, dhe ku qëndron thelbi i të vërtetës për dilemat dhe urrejtjen e Maks Velos, që mund ta quajmë vërtet një krizë të artistit, por që shtrihet e mbivendoset në mjedisin e një superkrize të kulturës shqiptare që cënohet e rrezikohet gjithandej prej mendjelehtësisë së qytetarëve dhe mendje shkurtësisë së qeveritarëve që nuk po arrijnë të kuptojnë se “Hallallët” me mjekërr e kanë mbushur  Tiranën, se fshatrat e Librazhdit kanë dalë nga shteti e zotërohen nga imamët e xhamive të paligjshme me predikime radikale vehabiste që njëjtësohen me Kalifatin Islamik. Pasi ta bëjmë këtë analizë për çka ndodh e bëjmë sikur nuk dimë gjë, mbase gjërat do t’i gjykojmë pak më ndryshe dhe do të nxjerrim dhe përgjegjësinë tonë historike se pse Shqipëria e Kosova ende janë në një gjendje të mjeruar, dhe sado me fjalë të bukura ta mbulojnë realitetin, ai është tmerrësisht i zymtë dhe këtë realitet të shëmtuar nuk mundesh të mos e urresh  bashkë me të gjitha ata njerëz apo faktorë që i sollën shqiptarët deri në këtë zgrip të lemeritshëm.
E për të gjitha këto nuk është fajtor Maks Velo, dhe urrejtja e tij ndaj të këqijave të këtij vendi nuk është vetëm urrejtja e tij, dhe linçimi publik që po i bëjnë Maks Velos nuk shpreh asgjë tjetër veçse e vërteton më së miri kaosin tonë, mungesen e tolerancës, të etikës që nuk njihet fare, shfrimin e urrejtjes  dhe mediokritetin publik me një superkrizë të kulturës, kulturë të cilën më së shumti e përdorim vetëm sa për maskë, se gjoja ne që e gjuajmë me gurë Maks Velon qenkemi engjëj të pamëkatë. Kujt ia shesim këto dokrra?!