Njofton KosovaPress
Rruga e njohur si Koridori 8 u pagëzua me emrin e nobelistes shqiptare Nënë Tereza. Tabela rrugore është vendosur në fshatin Gllumovë të komunës së Sarajit.
Ky emërim ishte paralajmëruar kohë më parë nga kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski, në një intervistë të dhënë për gazetën indiane “Times of India”.
“Një nga rrugët më të rëndësishme në rajon, me gjatësi prej 300 km do të emërtohet Nëna Terezë dhe kjo rrugë e lidh Shkupin me Bullgarinë dhe Shqipërinë, një pjesë e së cilës do të duhet të përfundojë në vitin 2017″, është shprehur kryeministri Gruvski.
Emri i Nënë Terezës është i njohur në Shkup, pasi një sërë institucionesh e mbajnë emrin e saj. Kështu Qendra Klinike në Shkup mban emrin Nënë Tereza, Spitali i Gjinekologjisë gjithashtu, si dhe Shtëpia Përkujtimore në pjesën qendrore të kryeqytetit.
Projekte të tjera të cilat do të mbajnë emrin e Nënë Terezës duket se do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Mësohet se biznesmeni indian Subrajta Roj, ka paralajmëruar se një përmendore gjigande,18 metra e lartë, e cila do të ngrihet në sheshin e Shkupit, do të mbajë emrin e nobelistes shqiptare për paqen.
Po ashtu është paralajmëruar edhe një qendër për përkujdesje të të moshuarve në periferi të kryeqytetit maqedon.