Kongresi i Manastirit u mbajt nga 14 nëntori deri më 22 nëntor 1908 në Manastir, për përcaktimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Në kongres ishin të pranishëm 160 delegatë, të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, si dhe nga komunitetet shqiptare në Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Egjipt, Amerikë etj.

Delegatët:

Rreshti i parë (nga lart-poshtë majtas): Sami Pojani (delegat i Korçës), Zenel Glina(i Leskovikut), Leonidha Naçi (i Vlorës), Simon Shuteriqi (i Elbasanit), Dhimitër Bruda (i Elbasanit), Azis Starova (i Starovës), Adham Shkaba (i Sofjes), Mati Logoreci (i Shoqërisë “Agimi”).

Rreshti i dytë”: Rrok Berisha Gjakova (i Shkupit), Bajo Topulli (i Gjirokastrës), Grigor Gilka (i Korçës), Sotir Peci (i Amerikës dhe i Bukureshtit), Shefqet Frashëri(i Korçës), Luigj Gurakuqi (i Shkodrës), Shahin Kolonja (i Kolonjës), Ahil Eftim Korça (i Konstancës), Hil Mosi (i Shkodrës).

Rreshti i tretë: Nyzhet Vrioni (i Beratit), Dhimitër Mole (i Filibesë-Bullgari), Gjergj Qiriazi (i Manastirit), At Gjergj Fishta (I Shoqërisë “Bashkimi”), Midhat Frashëri (i Klubit të Selenikut dhe Janinës), Don Nikollë Kaçori (i Durrësit), Don Ndre Mjeda (I Shoqërisë “Agimi”), Fehim Zavalani (i Manastirit).

Rreshti i katërt: Refik Toptani (i Tiranës), Çerçiz Topulli, Mihal Grameno (i Korçës), anash dy patriotë jo delegatë.

Nga kujtimet e Mihal Gramenos, përmenden si pjesëmarrës, por që mungojnë në këtë fotografi: Parashqevi Qiriazi (delegate e Shkollës së Çupave Korçë), Havez Ibrahimi dhe Emin Beu (të Shkupit), Rauf Beu (i Gjirokastrës) dhe Selahedin Beu (i Manastirit).

Kryetar i Kongresit u zgjodh Mit’hat Frashëri, i biri i Abdyl Frashërit, nënkryetarë Luigj Gurakuqi dhe Gjergj Qirjazi. Gjergj Fishta kryetar i Komisionit të alfabetit, sekretare e komisionit u zgjodh Parashqevi Qiriazi, nënkryetar Grigor Cilka, si dhe 11 anëtarë të tjerë.

Kumtesa u mbajt nga Gjergj Fishta. Kongresi vendosi me votë unanime të lërë mënjanë alfabetin e Stambollit, dhe ta shkruanin gjuhën shqipe vetëm me alfabetin latin me 36 shkronja. Gjithashtu, u vendos që pas dy vjetësh të mbahej një Kongres i dytë në Janinë për të shqyrtuar problemet drejtshkrimore e letrare, si dhe për të bërë përpjekje për shkrirjen e dialekteve gegë dhe toskë në një gjuhë të njësuar shqipe.

kong-manastirit-deklarata
Vendimi i Kongresit te Manastirit