Nga Pierre Simsia /
Vdekja e para disa ditëve e Dr.Selahedin Velaj-t, Simbolit të Diasporës Shqiptare në Amerikë, që unë e kam quajtur Legjenda vlonjate në Amerikë, u prit me dhimbje dhe hidhërim nga të gjithë bashkëkombasit.
Edhe pse familja e të ndjerit nuk kishte dhënë njoftim për vdekjen e tij dhe e kishte menduar që ceremonia mortore të bëhej e thjeshtë, vetëm familjare, ditën e premte, më 6 shkurt 2015, u kryen shërbimet funerale në: “Gallagher Funeral Home, 31 Arch Street, Greenwich, Connecticut, nuk munguan të merrnin pjesë bashkatdhetarë të ndryshëm.
Ishin të pranishëm: Dom Pjetër Popaj – Famulltari i Kishës Katolike Shqiptare Zoja e Shkodrës, Kryetari i Vatrës Dr. Gjon Buçaj dhe bashkëshortja e tij, Dalip Greca, Elmira Muja, Zydi Karagjozi, Mark Gecaj, Harri Bajraktari, Paul Gjokaj, Gjon Gjokaj, Astrit Tota, Mëhill Velaj dhe bashkëshortja e tij, Piro Fani dhe bashkëshortja e tij, etj
Dr. Selahedin Velaj, me origjinë nga Kanina e Vlorës, lindi në Vlorë nga prindërit Feruze dhe Ahmet Velaj.

Dr. Selahedin Velaj
Dr. Selahedin Velaj

Njeri i zgjuar, me kulturë që ka lexuar shumë, biznesmen i suksesshëm në kompaninë New York Life.
Veprimtar i zjarrtë, atdhetar i flaktë që gjithë jetën e tij në emigracion ia ka kushtuar çështjes shqiptare dhe mbrojtjes së saj, një ndër emigrantët e hershëm politik i ardhur në SH.B.A.
Burrë i respektuar nga të gjithë anëtarët e Komunitetit Shqiptar në Amerikë, inkurajues, ku i jepej fjala e mbajtjes në mitingjet, tubimet dhe demostratat e ndryshme që organizonte komuniteti në atë kohë për çështjet e ndryshme shqiptare.
Në Vlorë kaloi fëmijërinë dhe rininë e tij. Atje kreu shkollën fillore deri në përfundim të shkollës se mesme ku ka spikatur për rezultate të shkëlqyera në mësime.
Edhe pse i ri në moshë në atë kohë, jetonte me hallet dhe shqetësimet që kishte sjellë Lufta e Dytë Botërore; me shokët e lagjes organizonin mbledhje, ku edhe ata, të rinjtë e asaj kohe jepnin mendimet e tyre.
Më 7 Korrik, 1943 kur u bë mbledhja e përgjithshme e Ballit Kombëtar të Vlorës në rrepet e Ismail Qemalit në Mesaplik, ku morrën pjesë Mit’hat Frashëri, Hysni Lepenica, Skënder Muço, Hasan Dosti, duke dëgjuar programin e Ballit Kombëtar, midis të tjerash, nevojën e organizimit të forcave nacionaliste e atdhetare në mënyrë frontale në luftën kundër fashistëve italianë, Selahedini vendosi të bashkohej edhe ai vetë me grupin e të rinjve vlonjatë.
Në fundin e nëntorit 1944 iu bashkua grupit të të rinjve së bashku me gjeniun e Kombit, Mit’hat Frashëri dhe anëtarët e KQ të Ballit e bashkë me nacionalistë të tjerë
Më 24 nëntor, 1944 largohet nga Shqipëria për në Itali. Atje u njoh me vajzën italiane Rina, me të cilën do vendosnin të lidhnin jetën e tyre.
Pas katër vjetë qendrimi në Itali, në mars të vitit 1948 u nisën nga Napoli për në Kanada.
Selahedin Velaj, punoi dhe jetoi pak vite në Kanada.
Duke parë se në Kanada nuk kishte perspektivë për të ardhmen, mendoi të emigronte në Sh.B.A. Për këtë, shfrytëzoi miqësinë me një mikun e tij nga Vlora, Mihallaq Mone, i cili i bëri edhe garancinë.
Nuk vonoi shumë dhe Konsullata Amerikane ia dha vizën të dyve për të shkuar në Amerikë, Selahedinit dhe bashkëshortes së tij, Rina.
Në Sh.B.A. studjoi në “College of the City of New York.
Ka mbrojtur titullin Ph.D në shkencat ekonomike
Ka mbrojtur titullin “Akademik” nga American College of Life Underwriters C.L.U. NY prej College, i vendosur në BRYN MAWR Pennsylvania.
Ka studjuar në Universitetin Oriental të Napolit. dhe ka marrë titullin Akademik, Doktor Filozofie, me specializim në gjuhën shqipe.
Më vonë, me vullnetin dhe dëshirën e tij për të studiuar, Selahedini u regjistrua në City College of New York, i cili ishte i njëjtë me Columbia Universitet.
Në vitin 1967 Dr. Selahedinit i vjen një ftesë nga Fakulteti i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe pranë Universitetit të Palermos, për të marë pjesë në simpoziumin e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe në Palermo.
Ftesa ishte një e papritur, sepse Selahedin Velaj nuk ishte specializuar dhe nuk ishte ekspert në atë fushë.
Në të njëjtën kohë, e njëjta ftesë i kishte shkuar edhe bashkatdhetarëve Anthony Athanas, Kristo Thanas, Kryetari i “Vatrës” Pjetër Çikozi dhe Prof. Stavro Skëndi.
Ftesa ishte e nënshkruar nga drejtori i Fakultetit të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, Prof. Karl Gurakuqi.
Gjatë konferencës, iu dha rasti të krijojë miqësi me Namik Resulin, drejtorin e Katedrës së Gjuhës Shqipe në Universitetin Oriental të Napolit.
Profesori, megjithëse ishte në dijeni mbi arsimimin e tij, i sugjeroi, të vazhdonte studimet në katedrën e tij për katër vjetë, për të marrë titullin: “Akademik, Doktor Filozofie, me specializim në gjuhën shqipe”.
Brenda dy vjetëve mori titullin: “Akademik Doktor Filozofie me specializim në Gjuhën Shqipe, italishte dhe spanishte” me nota mesatare 30, në qershor të vitit 1972. Ai titull, iu bashkangjit edhe titullit tjetër që kishte C.L.U.
Në ato vite, pasi ishte shkolluar dhe mbante disa tituj diplomash, Dr. Selahedin Velaj kishte edhe një merak tjetër. Fëmijët nga prindër shqiptarë që po lindnin dhe po riteshin në Sh.B.A. duhet të mësonin edhe gjuhën shqipe.
Me iniciativën e Dr. Selahedin Velaj-t, në bashkëpunim me disa miq e shokë të tij, në vitin 1965 u hap shkolla shqipe në Nju Jork Për disa muaj mësimi zhvillohej në Kishën Ortodokse “Shën Nikolla”.në qendër të Manhattanit.
Shkolla Shqipe e New Yorkut vazhdoi për katër vjet rresht, por jetën e pati të shkurtër.
Në 28 Nëntor, 1969 me rastin e 60-të vjetorit të Gazetër “DIELLI” në Hotelin “HILTON” në 5-th Avenue në Manhattan, NY, Dr. Selahedin Velaj në bashkëpunim me Presidentin e atëhershëm të VATRËS, zoti Pjetër Çikozi, bashkatdhetari Petraq Ktona, ishin nismëtarët dhe organizatorët e mbajtjes së një simpoziumi, ku u bashkuan vatranët, shqiptarët e Amerikës me arbëreshët.
Kryetar i atij takim-simpoziumi ishte Dr. Hamdi Oruçi dhe nënkryetar, Dr. Selahedin Velaj.
Shqetësimi për fatin e keq e të ndarë të Kombit Shqiptar, gjysma që jeton në shtetin amë, në Shqipëri, që në atë kohë ishte nën sundimin e vampirit komunist dhe gjysma tjetër që jeton në Kosovë, e shkëputur padrejtësisht nga trupi mëmë dhe për t’ia vendosur artificialisht një trupi tjetër të huaj që jetonte nën regjimin tjetër kriminal barbar serb, Dr. Selahedin e ka shoqëruar gjatë gjithë jetës së tij në emigrim. Atë shqetësim dhe atë të vërtetë, ai mendonte, se duhet ta dinte edhe shteti dhe qeveria amerikane.
Në vitin 1972 gjatë periudhës së satrapit serb, Dr. Selahedin Velaj mori kontakte me Kryetarin e Partisë Republikane të Shtetit të Connecticut, Senatorit Lowell Weicker. Duke e menduar, se Dr. Velaj nuk ishte ndonjë kryetar partie politike shqiptare apo i ndonjë grupi të posaçëm, vajtja e tij vetëm tek senatori nuk do t’i kushtonte shumë rëndësi çështjeve që do parashtronte.
Mendoi ta bisedojë me mikun e tij, Kancelari i Kishës Ortodokse Shqiptare, Rev. Arthur Liolin, i cili, menjëherë, iu përgjigj pozitivisht ftesës së tij.
Të njëjtën kërkesë Dr. Selahedini ia bëri edhe gazetarit të mirënjohur Xhevat Kallajxhi.
At Arthur Liolin, për t’i treguar senatorit t’a konsideronte vizitën e tyre si çështje humanitare, mori me vete një kryq të gjatë, madhësia e të cilit nga toka arrinte deri përmbi gjoks.
Vizita tek senatori ishte e sukseshme. Ai, pasi i dëgjoi me vëmendje të madhe dhe, kur mësoi që 2 milion shqiptarët në Kosovë trajtohen si kriminela, u emocionua dhe u shqetësua shumë. Menjëherë lëshoi një deklaratë shtypi me titull: “Tito flet me të dyja anët e gojës”, e cila u botua në Gazetën Zyrtare të Partisë Republikane në Hartford, kryeqytet i Connecticut.
Në të njëjtën kohë, senatori i telefonoi Departamentit të Shtetit për një vizitën e tre shqiptarëve atje.
Edhe në Departamentin e Shtetit, ku ata shkuan për të trajtuar të njëjtat shqetësime për shqiptarët, i pritën mirë.
Senatori, për herë të parë mësoi për vuajtjet e popullit shqiptar në Kosovë nga barbarët serbë, i cili e kishte mundësinë që të nxiste edhe kolegët e tij në Senat.
Përsëri, në tetor të vitit 1992, Dr. Selahedin Velaj ishte një nga iniciatorët dhe themeluesit e rihapjes së shkollës shqipe në Nju Jork.
Ai ishte njëri nga anëtarët e Kryesisë së Këshillit të Arsimtarëve.
Dr. Velaj dhe një grup tjetër shokësh, bënë të mundur për hapjen edhe të tri shkollave të tjera shqipe: një në Bronx, një në Staten Island dhe një në Brooklyn.
Dr. Selahedin Velaj ishte gjithnjë aktiv dhe ndihmoi në organizimin dhe themelimin e atyre 3 shkollave.
Dr. Velaj, gjithë jetën e tij në emigracion nuk ka pushuar asnjëherë së shkruari, së punuari dhe së ndihmuari për çeshtjet e mëdha të kombit tonë.
Si një aktivist antikomunist i njohur në Komunitetin Shqiptar të Amerikës, bashkë me atdhetarë të shumtë, është dalluar nëpër vite si pjesëtar në demostrata të ndryshme për mbrojtjen e çështjes shqiptare, rënien e komunizmit në Shqipëri dhe Pavarësinë e Kosovës.
Pranvera e zezë dhe e hidhur shqiptare e vitit 1997, pranvera e pafajshme dhe e përgjakshme, pranvera e vitit të çmendurisë dhe kokfortësisë së politikës shqiptare, pranvera e një shteti pa shtet, pranvera e ligjit të xhunglës në një vend me demokraci të brishtë e një populli të vuajtur, që mendonte se kishte ardhur vërtetë pranvera e demokracisë për të marrë frymë lirisht i dalë prej një burgu skëterrë komunist 50-të vjeçar, Dr. Selahedin Velaj-n do ta gjente të shokuar për atë që po ndodhte në vendin e tij, në folenë e shqiponjave, në vëllezërit dhe motrat e tij të pafajshëm.
Menjëherë mori iniciativën burrërore e patriotike. E bisedoi me mikun e tij, zotin Gjekë Gjonlekaj, duke qënë se ai kishte punuar me qeverinë federale amerikane në Radion Zëri i Amerikës për një kohë të gjatë, shkuan posaçërisht në Washington DC në zyrën e senatorit Helmes, një konservator, ndoshta më i madhi që ka patur Sh.B.A. në senat, një antikomunist që ishte kryetari i komisionit të senatit për marëdhëniet me botën e jashtëme.
Atje biseduan për gjashtë orë të tëra duke u shprehur shqetësimin e tyre për situatën tronditëse që ishte krijuar në Shqipëri.
Pastaj shkuan po për të njëjtin qellim në zyrën e kongresmenit Beniamin Gillmen në Washington.
Dr. Velaj, duke shfrytëzuar edhe miqësitë e tij me senatorët amerikanë, ia parashtroi gjendjen katastrofike që po kalonte Shqipëria në atë pranverë të përgjakshme të 97-tës.
Dy patriotët bashkatdhetarë, Dr. Selahedin Velaj dhe publiçisti Gjekë Gjonlekaj i kërkuan ndihmë për të shpëtuar situatën, për të shpëtuar Shqipërinë nga ëndrra dhe dëshrira e keqe e vjetër e fqinjëve, copëtimi i saj, për të shpëtuar popullin shqiptar nga gjakderdhja e përshkallëzimit të një lufte civile, ia spjeguan shumë qartë situatën e krijuar në Shqipëri. I bënë thirrje qeverisë amerikane, senatit amerikan, për të gjetur një zgjidhje politike për të shpëtuar nga ajo katastrofë ku ishte futur Shqipëria
Gjithashtu ata patën takim për atë gjendje të rëndë që po kalonte Shqipëria edhe në Ambasadën Shqiptare në Washington DC ku i priti vetë ambasadori i atëhershëm, i ndjeri Ljublin Dilja.
Rastësia do e sillte që Dr. Selahedini të takohej përsëri me mikun e tij të vjetër, zotin Gjekë Gjonlekaj, në Rambuje-Francë, shkurt, 1999 ku po diskutohej fati i Kosovës; marrëveshja e përkohshme për paqe dhe vetqeverisje në Kosovë.
Në Rambuje, Dr. Velaj shkoi vullnetarisht për t’iu gjendur pranë popullit të Kosovës, për t’iu dhënë zemër, entusiazëm, ashtu si edhe zoti Gjonlekaj.
Njohja me profesorin nga Japonia Kazuhiko Yamomoto dhe përkthimi i librit të tij: “Struktura Etike e Kanunit në Shqip”
Në muajin Shtator 2005 Dr. Selahedin Velaj-t i erdhi një ftesë zyrtare nga Universiteti KVUSHO i ishullit Fuokoka, i cili e ftonte të mbante një ligjëratë prej 90-të minutash në muajin Dhjetor, meqenëse në këtë muaj klima në Japoni është pranverore.
Sigurisht, Dr. Velaj e pranoi me kënaqësi dhe emocione ftesën nga universiteti dhe më datën 7 Dhjetor 2005 u nis për në Japoni.
Shumica e shpenzimeve të udhëtimit për në Japoni u financuan nga universiteti.
Në aeroportin e Fukuokës e pritën profesor Yamomoto bashkë me zonjën e tij Kaçiko, me të cilët u përqafuan si miq.
Në mëngjes, më datën 10 Dhjetor 2005, Dr. Velaj u paraqit në universitet i veshur me kostum kombëtar shqiptar.
Salla e madhe e universitetit ishte e mbushur plot e përplotë me profesorë dhe studentë të çdo fakulteti.
Në sfond të sallës ishin vendosur dy Flamujt Kombëtar, i Japonisë dhe i Shqipërisë.
Zonja Kaçiko drejtonte videon me pamje të ndryshme nga Shqipëria.
Ligjëratën Dr. Velaj e mbajti në gjuhën angleze, ndërsa profesori ua përkthente të pranishmëve në gjuhën e tij.
Ishin çaste tepër të paharuara dhe emocionante, kur e gjithë salla çohej në këmbë duke duartrokitur dhe brohoritur “KAMPAI”
Pasi Dr. Velaj ligjëroi 90-të minuta pa ndërprerje, siç ishte edhe në program, profesori i ftoi të gjithë të pranishmit të nënshkruajnë një peticion në mbështetje të Pavarësisë së Kosovës, të cilët e nënshkruan pa hezitim.
Flamuri Shqiptar u valëvit i bukur dhe krenar në qiellin e Japonisë, i çuar personalisht nga Dr. Velaj.
Akti personal patriotik i Dr. Velaj na bëri të ndjehemi krenarë.
Kombi ynë Shqiptar ka patur gjithmonë dhe ka burra të mençur, trima dhe patriotë të flaktë.
Dr. Velajn nuk e dërgoi shteti shqiptar të nisej drejt Japonisë së largët me Flamurin Shqiptar në çantën e tij për një mision të tillë patriotik. Atë e nisi atje ndjenja e tij për atdheun, për kombin e tij të vuajtur dhe të përgjysmuar, dashuria që ai ka për gjithë bashkëkombasit e vetë.
Akti i rëndësishëm i Dr. Selahedin Velajt, i vlonjatit patriot për çështjen e Kosovës së tij dhe tonën bashkë, tregon se shqiptarët janë një, vëllezër të një gjaku, pavarësisht se ku jetojmë, në Vlorë apo në Prishtinë, në Berat apo në Pejë, në Lushnje apo në Gostivar, në Shkodër apo në Çamëri, në Korçë apo në Krajë….
Me aktin e tij patriotik Dr. i nderuar Selahedin Velaj tregoi se është ambasadori i Shqipërisë i pa akredituar nga shteti shqiptar. Atë e akreditoi ndjenja dhe dashuria që ai kishte për vendin e tij, për popullin e tij.
Dr. Velaj ka shkuar edhe në Kosovë, ku ka patur kontakte me përfaqësuesit më të lartë të Kosovës, me Presidentin e saj zotin Ibrahim Rugova.
Njerëz të tillë si Dr. Selahedin Velaj patriotë të zjarrtë mbeten përherë Nderi i Kombit.
Rënia e komunizmit në Shqipëri ishte ëndrra e tij e shumëpritur që, siç është shprehur edhe vetë Dr. Velaj: “Nuk mund të ikja i qetë nga kjo jetë pa e parë të çliruar vendin tim nga vampiri komunist”.
Dhe, sapo komunizmi u përmbys, Dr. Selahedin Velaj fluturoi drejt vendit të tij që kishte shumë vite pa e parë me mallin e madh që ia kishte djegur shpirtin.
Ai shkoi në Shqipëri bashkë me djalin e tij, Dr. Drini në fillimvitet 90-të, kur ekonomia, mjekësia…shqiptare ishte tepër e ulët, me një mision humanitar, të ndihmojnë popullin dhe vendin e tyre të vuajtur me ato ndihma që ia lejonte mundësia financiare dhe ia arritën qellimit duke çuar ilaçe, mjete spitalore dhe mjete të ndryshme mësimore të siguruara edhe nga dy djemtë e tij.
Ndihmat e tyre kapnin shumën e dhjetëra mijë dollarëve, mes atij korrupsioni dhe varfërisë që kalonte vendi ynë në ato vite edhe pse ato ndihma u shpërdoruan.
Të njëjtën ndihmë më vonë, Drini Velaj e dërgoi edhe në Tiranë për popullin vëlla kosovar.
Dr. Selahedin Velaj zotëronte disa gjuhë te huaja; ishte autor i shumë shkrimeve nëpër gazeta të ndryshme në Amerikë dhe përkthyes i disa librave të huaj në gjuhën shqipe.
Që në vitet e hershme ka shkruar artikuj të ndryshëm në “DIELLI”, në “Shqiptari i Lirë”, në fletushkat që nxirrte Balli dhe tani në vitet e fundit në Gazetën Shqiptaro-Amerikane “ILLYRIA” dhe DIELLI. Ka qenë dhe është kërkues ndaj vetes dhe të tjerëve.
Siç e kam përmendur edhe më sipër; njerëz të tillë si Dr. Selahedin Velaj patriotë të zjarrtë mbeten përherë Nderi i Kombit.
Me keqardhje përmend disa fakte, të cilat, mendoj se janë edhe pengu im dhe pengu i shumë bashkatdhetarëve të tjerë.
Duke njohur vlerat e larta njerëzore dhe patriotike të Dr. Velaj-t, ndihmën e tij të madhe e të pakursyer për çështjen madhore shqiptare, ne, intelektualë të ndryshëm bashkatdhetarë që jetojnë në Sh.B.A. në bashkpunim me Shoqatën e Gruas Shqiptaro-Amerikane “Motrat Qiriazi” i kemi dërguar tri kërkesa ish presidentit të Shqipërisë, zoti Bamir Topi, Presidentit të tanishëm, zoti Bujar Nishani, si edhe Bashkisë së qytetit Vlorë, për të vlerësuar punën e tij të shjkëlqyer.
Por, përsëri, e përmend me keqardhje, ato kërkesa nuk u morën në konsideratë.
Dekoratat e ndryshme, vlerësimi, sigurisht është simbol nderi për cilindo, por, kur bashkatdhetarët të vlerësojnë, të respektojnë, vetë vepra e shkëlqyer që la pas, vlen dhe është më shumë se një vlerësim presidentcial, bashkiak…

velaj-simsia
Në foto: Dr. Selahedin Velaj e Pierre Simsia

Kanë thënë për Dr. Selahedin Velaj:
At Artur Liolin, Kancellar i Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare në Amerikë dhe Famulltar i Kishës Shën Gjergji, Boston “… Vepra dhe përpjekjet e shumanëshme të Dr. Selahedin Velaj-t për mirëkuptim njerëzor, kapërcejnë patriotizmin, sepse ndjenjat e tij burojnë nga zemra dhe nga principe aq sa te thella e të larta, intelektuale e njerëzore, emocionale dhe shpirtërore.
Sa herë Dr. Velaj hyn në ambiente bisede sjell me vete një pasion të gëzueshëm, një vendosmëri të rrallë që e karakterizon dashurinë e tij për cilindo.
Ajo vepër, që për të tjerët duket e pamundur, Dr. Velaj e sheh si sfidë për të fituar.
Dëshpërimin dhe zhgënjimin nuk e gjejmë në fjalorin e tij.
Si atdhetar, si bashkëkombës, si shok, si koleg, si këshilltar, nuk mund të gjejmë një individ me më shumë besnikëri dhe besueshmëri se sa e gjejmë tek Dr. Velaj…”
Dr. Anna Kohen: “… Për mua personalisht që e njoh shumë mirë veprimtarinë dhe kontributin e tij që i ka dhënë komunitetit dhe çështjes shqiptare për vite e vite me radhë, për më shumë se gjysëm shekulli, e meriton të quhet Nderi i Komunitetit apo edhe Nderi i Kombit…
Elmira Muja Gazetare, Nju Jork: …Realiteti ka formuar tek Dr.Velaj, portretin e njeriut tek i cili janë mishëruar ndershmëria, dinjiteti, bujaria dhe fisnikëria. Ndershmëria është pasuria e rrallë që dikush mund të zotërojë. Ndershmëria në optikën e tij është kapitulli i parë në librin e diturisë. Sfidat dhe sakrificat kanë testuar guximin e Dr.Velaj, pikat e forta, dobësitë dhe besimin, me të cilat ka përballuar shumë situata të mbushura me plot gëzime dhe dhimbje.
Koha, kurrë nuk nga ngelur pas për Dr.Velaj, gjë që ka bërë të mundur, që kurrë të mos humbasë gjërat e mahnitshme që jeta i ka ofruar.
Ai kurrë nuk ka kthyer kokën prapa, por vetëm ka mësuar nga e kaluara dhe nga eksperienca e fituar ka ditur si të lëvizë përpara, duke u bërë kështu më i fortë, më i fuqishëm.
Kujtimet janë thesare tepër të çmuara që i mban gjallë në shpirt. Nëpërmjet tyre Dr.Velaj sjell nga afër botën që e ka rrethuar në çdo hap…”
Albana Lifschin Shkrimtare, Nju Jork: “… Jetojmë në një kohë të çuditshme kur sheh rreth e rrotull njerëz që kujdesen shumë për “imazhin” e tyre” publik, vetëlëvdohen, vetëkurorëzohen, u bien borive që t’i dëgjojnë të tjerët, i japin vetes të drejtën e “udhëheqësit”, intelektualit të “shquar” , e shkelin tokën duke bërë zhurmë.Në anën krahun tjetër qëndron një pakicë njerëzish të heshtur, modestë, fisnikë, që jetojnë me pulsin dhe hallet e komunitetit, janë të vëmendshëm ndaj tij dhe kontribuojnë shpirtërisht e madje edhe materialisht kur e do puna, pa lëshuar fishekzjarre në qiell.
Në ballë të këtyre personaliteteve të respektuara për kontributin dhe modestinë e tyre, do të dalloja Dr. Selahedin Velaj.
Dr. Selahedinin e kam njohur nëpërmjet gazetës së komunitetit, “ILLYRIA”, me të cilën bashkëpunoj tashmë prej 20 vjetësh. Angazhimi intelektual, si autor, studiues e përkthyes, ndërthuret me atë prindëror, gjë që do ta theksonin edhe më mirë veçanërisht ata emigrantë që kanë ndjerë nga afër ngrohtësinë shpirtërore, por edhe atë materiale të Dr.Selahedinit për t’i ndihmuar e aftësuar ata për të nisur një jetë të re e të pavarur në Amerikë…”
Beqir Sina, gazetar, publiçist, Bensonhurst, Brooklyn, New York “… Kur erdha në Amerikë kur në Shqipëri ndodhën ndryshimet e mëdha, m’u dha rasti të lexoj dhe të më tregojnë shumë për Dr. Velaj-n si i thërrasin miqtë, shokët dhe kolegët e tij. si gazetar i njërës prej gazetave më të mëdha shqiptare në Diasporë, pata rastin t’a ndjek nga afër në çdo aktivitet në dobi të çështjeve kombëtare, ku Dr. Velaj nuk mungonte asnjëherë.
Madje disa herë vetë Dr. Velaj do të ishte organizatori dhe udhëheqës i disa veprimtarive që kanë lënë gjurmë në komunitet. Ai udhëhoqi si kryetar lidershipi i emblemës “Kryetari i të tre besimeve fetare” çka simbolizonte edhe këtu në mërgim atë lidhjen e fortë dhe bashkjetësën e veçantë në botë që kanë besimet fetare tek shqiptarët. Dr Selahedin Velaj-n, e dallon jo vetëm sensi intelektual e patriot i shquar në Komunitetin Shqiptar të Amerikës, por ai është edhe autor i disa librave dhe përkthimeve. Dr Velaj është dalluar në përkthimin dhe sponsorizmin e librit të Prof. Dr. Kazuhiko Yamamoto, me titull: “Struktura Etike e Kanunit dhe Nënkuptimet e saj Kulturore””
Muhamet Mjeku Publiçist, Nju Jork: “… Dr.Velaj është një intelektual i rrallë i komunitetit tonë shqiptaro-amerikan që ka ndërmarrë aksione të shumta për çështjen e Shqipërisë dhe Kosovës. Asnjëherë, në asnjë moment, s’ ka pushuar për ta ngritur problemin shqiptar në Washington dhe në qarqe të tjera. Më thoshte: “Ne duhet ta bëjmë punën tonë, para grekëve dhe serbëve”.
Ky burrë fisnik me ndjenjë të thellë atdhetare, bëri çdo gjë që ishte e mundur edhe për ruajtjen e vlerave të kulturës shqiptare: ruajtjen e gjuhës shqipe, të traditave dhe zakoneve ndër bashkëkombasët tanë.
Dr. Velaj, duke pasur karakter human- ka ndihmuar familje, individë, institucione, shumë intelektualë të ardhur nga Shqipëria dhe Kosova dhe me këtë ka treguar shpirtmadhësinë e tij prej personaliteti të admiruar. Kam qenë me fat që e njoha dhe u bëra mik i tij…”
Rita Saliu Poete Rodhe Island, Sh.B.A: “… Dr. Velaj ka qenë gjithmonë analist dhe ambasador i traditës shqiptare, një penë e fortë e stërholluar.
Kurdoherë që e kam takuar, kam komunikuar me Dr. Selahedinin jam mbushur me ide dhe ideale, veçmas me ngrohtësinë tipike të një atdhetari kombëtari të rrallë. Dr. Velaj vepron me sy, zemër dhe duar hapur, që të jetë afër me kombin kudo. Pena ime është shumë e vogël të shkruaj për Dr. Selahedin Velaj, i cili mori rrugën e shtegëtimit kombëtar, me spektër vlerash të pakapshme, gjithmonë me konsideratë njerezore dhe kombëtare. Balli krenar i Dr. Selahedin Velaj do rrjedhë si ligjërim brezash. Unë si shqiptare jam krenare që njoh figura të tilla si Dr. Velaj dhe mendoj se duhet të nderohet në të gjitha nivelet tona kombëtare e instuticionale…”
Adem Belliu: Producent i Televizionit “Kultura Shqiptare”, Nju Jork: “… Kur erdha në Amerikë në vitin 1994 pak emra dëgjoja nga emigrantët e suksesshëm, që kishin kontribuar shumë për Komunitetin Shqiptar të Amerikës dhe për çështjet e ndryshme shqiptare.Një ndër ata emra ishte edhe Dr. Selahedin Velaj. Më vonë, kur m’u dha mundësia të njihem nga afër në aktivitetet e ndryshme që zhivlloheshin në komunitet, pash tek ai njeri se ende vazhdonte të ruante traditat dhe cilësitë e vlonjatëve, patriotizmi: intelekti, kultura e tij e lartë dhe ajo që dua të veçoj, është, e folura pastër e gjuhës shqipe edhe pse ka gati 60-të vite larguar nga mëmëdheu ynë.
Dr. Selahedin Velaj është burrë i nderuar në Komunitetin tonë. Duke dëgjuar nga ata që e kanë pas njohur nga afër, mëson më tepër për atë burrë të nderuar, që gjithë jetën e tij në emigracion ka punuar me përkushtim për mbrojtjen e çështjes shqiptare dhe Pavarësinë e Kosovës.
Njeriu që e ka dhënë shembullin e tij personal duke iu gjendur pranë komunitetit në aktivitete të ndryshme.Ruaj respektin e madh për Dr. e nderuar Selahedin Velaj, sepse ai vërtet është nderi i komunitetit tonë…”
Akademik Mark Krasniqi, Prishtinë: “… Dr. Selahedin Velaj-n e kam njohur para disa vitesh në Prishtinë, atëhere, kur erdhi për të parë Kosovën.
Ai interesohej për çdo gjë, për popullin e Kosovës, për gjendjen e tij politike, kulturore, ekonomike e tjera. E vlerësoj, e respektoj, Dr.Selahedin Velaj, që me përkthimin e referatit tim në gjuhën angleze ka dhënë një kontribut të vlefshëm për të njohur më mirë të drejtën e Kosovës që të jetë shtet i lirë e sovran në trojet e veta shekullore, në kuptimin e plotë të fjalës…”
Gjekë Gjonlekaj Publiçist, ish korrespodent i Zërit të Amerikës: “… U njohёm pёr herё tё parё nё Kuvendin e “Vatrёs” nё Boston nё vjeshtёn e vitit 1976. U gёzua shumё kur i tregova se kisha lidhje familjare me ish editorin e “Diellit” Dr.Athanas Gegaj dhe aktivistin Prenkё Grudёn,i cili merrte pjesё nё atё kuvend. Selahedin Velaj ishte njё personalitet impozant. Merrte pjesё aktive nё demonstrata pёr lirinё e Kosovёs. Ishte antikomunsit i vendosur,sepse kjo familje e kishte pёsuar rёndё nga Diktatura Staliniste e Shqipёrisё. Pikёpamjet antikomuniste tё Zotit Selahedin Velaj ishin absolute dhe nuk u lёkund asnjёherё siç ndodhi me disa shqiptarё tё tjerё. Zoti Velaj nuk kishte paragjykime krahinore ose fetare. Ishte bujar.
Ai ishte specialist nё profesionin e tij. Nё kёtё fushё ishte njё ndёr shqiptarёt mё tё suksesshёm nё Amerikё. Kishte krijuar njё rrjet tё gjerё bashkёpunimi me ndёrmarrjet mё tё mёdha tё vendit. Ishte shumё i nderuar nё rrethet e tij shoqёrore amerikane dhe shqiptare. Ai i ndihmonte klientёt e tij. Ishte gati pёr kontribute gjatё fushatave tё ndryshme, sidomos pёr demokratizimin e Shqipёrisё dhe lirinё e Kosovёs.
Ndihmoi shumё shqiptarё nё Amerikё para dhe pas rёnijes sё diktaturёs. Mbante fjalime dhe botonte shkrime nё shtypin shqiptar…”
Muhamet Mjeku, publiçist, Nju Jork: “… Dr. Velaj është një intelektual i rrallë i komunitetit tonë shqiptaro-amerikan që ka ndërmarrë aksione të shumta për çështjen e Shqipërisë dhe Kosovës.
Asnjëherë, në asnjë moment, s’ ka pushuar për ta ngritur problemin shqiptar në Washington dhe në qarqe të tjera. Më thoshte: “Ne duhet ta bëjmë punën tonë, para grekëve dhe serbëve”. Ky burrë fisnik me ndjenjë të thellë atdhetare, bëri çdo gjë që ishte e mundur edhe për ruajtjen e vlerave të kulturës shqiptare: ruajtjen e gjuhës shqipe, të traditave dhe zakoneve ndër bashkëkombasët tanë. Dr. Velaj, duke pasur karakter human- ka ndihmuar familje, individë, institucione, shumë intelektualë të ardhur nga Shqipëria dhe Kosova dhe me këtë ka treguar shpirtmadhësinë e tij prej personaliteti të admiruar. Kam qenë me fat që e njoha dhe u bëra mik i tij…”
Dr. Gani Çelaj: “… Rasti i mirë m’u dha në vitin 1992 me rastin e hapjes së shkollës shqipe në Bronx, ku unë, bashkë me disa intelektualë të tjerë filluam punën. Vazhdimisht kishim përkrahjen e Dr. Selahedin Velaj-t.
Meqenëse kishte përvojë më parë nga shkollat shqipe të hapura vite më parë, ç’do ditë Dr. Velaj ishte prezent në shkollë. Na jepte mendime dhe sugjerime për punën me nxënësit për vetë faktin se ata, nxënësit shkonin në shkollë në gjuhën angleze.
Gjithmonë për çështjen kombëtare Dr. Velaj ka qenë i kudogjendur dhe i palodhur.
Dr. Velaj, ka qenë përherë sofër e shtruar për të gjithë shqiptarët ngado që vinin nga të gjitha viset shqiptare.
Edhe pse ishte në moshë të thyer, ai angazhoi të gjithë pjesëtarët e famijes së tij për të ndihmuar shqiptarët këtu në Sh.B.A. dhe për të dërguar ndihma në viset shqiptare kudo janë. Dr. Selahedin Velaj ka dhënë një ndihmë të madhe për Shoqatën Panshqiptare VATRA dhe për gazetën DIELLI, madje edhe në rastet më kritike i ka ndihmuar materialisht. Gjithashtu ai ka ofruar shumë intelektualë për t’u anëtarësuar në Shoqatën Vatra.
E meriton të quhet Nderi i Komunitetit, madje edhe më tepër…”
Magjistër Sali Aliçkaj, Nju Jork: “…Për herë të parë Dr. Selahedin Velaj e kam njohur në tetor të vitit 1992, kur kemi bashkëpunuar për hapjen e Shkollës Shqipe në Nju Jork.
Ai ishte njëri nga anëtarët e kryesisë së këshillit të arsimtarëve. Çështjen kombëtare, Dr. Selahedin Velaj e ka ndihmuar edhe me kontributin e vet edhe materialisht, duke u dërguar ndihma në të holla njerëzve të varfër ekonomikisht, të sëmurë dhe u interesua për shumë shqiptarë emigrantë për t’i punësuar.
Dr. Velaj, nuk kursen asgjë për të ndihmuar pjesëtarët e komunitetit të vet.
Gjithë jetën e tij ka qenë bashkë me popullin e vet dhe është dalluar për patriotizmin e tij, njeri humanitar që disponon virtytet e larta njerëzore.
Dr. Velaj është i sinqertë dhe me këtë veti të tij i pëprvetëson bashkatdhetarët e tij, të cilët e kanë çmuar dhe vlerësuar si të tillë.
Për të gjitha meritat e tij të larta atdhetare, humanitare… Dr. Selahedin Velaj e meriton të quhet Nderi i Komunitetit, pse jo edhe Nderi i Kombit Shqiptar…”
Prof. Dr. Agron Fico: “… Në Amerikë ai, si gjithë shqiptarët, gjeti mundësi të mëdha pune dhe veprimtarie.
Zoti Selahedin Velaj shquhet si nismëtar i mjaft veprimtarive atdhetare, si donator për çështjen kombëtare, për luftën e shqiptarëve të Kosovës kundër pushtuesve serbë. Dr. Velaj dëshmoi dashuri për kulturën shqiptare duke ndihmuar dhe bashkëpunuar me dijetarin japonez, Prof. Dr. Kazuhiko Yamamoto, i cili i kushtoi Kanunit shqiptar të Lekë Dukagjinit studime të veçanta dhe serioze. Vetë Dr. Velaj, i veshur me kostum kombëtar, shkoi në Japoni dhe ngriti Flamurin Shqiptar. Dr. Velaj shquhet për karakterin e fortë, për dinjitetin njerëzor, për ndershmërinë dhe frymën miqësore….”
Gani Përrolli New Jersey
Doktorin e nderuar Selahedin Velaj e njoh si një burrë me dinjitet, të urtë dhe të sjellshëm.
Dr. Velaj është një njeri me ndjenja të shëndosha kombëtare që ka guximin të shprehë dhe të mbrojë të drejtat legjitime të kombit tonë, që janë: E drejta e bashkimit të trojeve shqiptare dhe të popullit shqiptar në një shtet të përbashkët.
Unë, bashkë me Dr. Selahedin Velaj, kemi marrë pjesë në delegacionin e organizuar nga shoqata VATRA për kthimin në vendlindje të eshtrave të Faik Konicës, sipas amanetit të tij. Këtu në Diasporën Shqiptare të Amerikës, Dr. Selahedini gjatë gjithë jetës së tij është treguar burrë me virtyte dhe njeri i traditës dhe tolerancës, njeri i nderuar që di të respektojë të tjerët. Gjithmonë i ka dashur të gjithë shqiptarët e mirë pa dallime partiake dhe krahinore.
Pas çlirimit të Kosovës Dr. Velaj ka udhëtuar atje për të përgëzuar dhe uruar vëllezërit dhe motrat e një gjaku…
E kam për nder, ta quaj mik, Dr. Selahedin Velaj, këtë burrë të nderuar dhe të respektuar të Diasporës Shqiptare…”
Në vend të mbylljes:
Që kur u njoha për herë të parë me Dr. Selahedin Velaj dhe gjatë viteve në vazhdim, si njeri, si bashkatdhetar, humanitar, patriot… gjithmonë më ka ngacmuar si një limë e bezdisshme në ndërgjegjen time ndjenja dhe dëshira të shkruaja për të. Një zë i brendshëm shpirtëror më fliste shpesh të bëja atë, që vetë Dr. Velaj e ka të vështirë të flasë e të shkruajë për veten e tij. Ai gjithmonë ka ditur të zgjedhë heshtjen.
Heshtja e tij… ! Gjithë jetën, Dr. Selahedin Velaj ka punuar për Kombin Shqiptar në heshtje, pa e ngritur zërin të reklamonte e ta dëgjonin të tjerët atë që ai e bënte me vetmohim dhe dashuri, me sakrifica, me përkushtim…
Por edhe nëse Dr. Velaj zgjodhi heshtjen, janë faktet historike ato që nuk heshtin; janë puna dhe vepra e tij madhore në shërbim të Kombit, janë bashkatdhetarët, janë arkivat e VATRËS ku Dr. Selahedin Velaj ka dhënë një kontribut të madh në rritjen dhe jetëgjatësinë e saj si ndër anëtarët e Kryesisë së Vatrës, si Kryetar i Degës së Vatrës për dy vjetë në Nju Jork, është vetë vepra e tij madhore brilante patriotike, janë shoqatat dhe njerëzit e ndryshëm në nevojë ekonomike ato që nuk heshtin kur Dr. Velaj u është gjendur pranë duke i ndihmuar në çastet e tyre më të vështira, janë “arkivat” në mendjet dhe zemrat e bashkatdhetarëve që e kanë njohur dhe që vazhdojnë ta njohin nga afër atë burrë kolos të ndritur të shqiptarizmës.
Dr. Selahedin Velaj, me virtytet e tij të larta burrërore, me dashurinë për atdheun e tij dhe tonin bashkë, me patriotizmin që e karakterizon, vazhdon të ndjejë dhimbje në çdo kohë, kur mëson për politikat e mbrapshta, pabesitë dhe shantazhet, dinakërinë e shteteve fqinje ndaj Shqipërisë dhe ëndrrat e tyre të vjetëruara dhe mjerane, copëtimin e teritorit shqiptar.
Kështu ndodhi edhe kohët e fundit, kur Dr. Selahedin Velaj, ishte nismëtari dhe organizatori i takimit me intelektualë të ndryshëm që jetojnë në Nju Jork, ku diskutuam për pretendimet teritoriale dhe detare që shtetet fqinje kanë ndaj vendit tonë.
Ishte Dr. Velaj ai që propozoi në atë takim për t’i dërguar një peticionin Parlamentit Evropian, Qeverisë Shqiptare, që edhe ajo, nëpërmjet eurodeputetëve që përfaqësojnë Shqipërinë në Parlamentin Evropian, ta ngrejë zërin e saj për këto probleme, propozim ky, që u pranua nga të gjithë ne dhe peticioni u dërgua.
Në biseda të ndryshme me njerëz që e njohin Dr. Selahedinin të thonë në koinfidencë se ai njeri është Nderi i Komunitetit Shqiptar në Amerikë, Nderi i Kombit tonë. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe kaninioti Selahedin Velaj, legjenda vlonjate në shqiptarët e Amerikës dhe në mbarë Diasporën Shqiptare.
Gjithë jeta, puna, vepra e tij, janë histori, janë muze, janë thesaret e paçmueshme që ruhen në atë muze për të gjithë emigrantët dhe mbarë shqiptarët, për të njohur bijtë e rrallë e të ndershëm të Kombit tonë.
Duke u njohur me jetën, vuajtjet, aktivitetin e të nderuarit Dr. Selahedin Velaj e kupton përsëri se bijtë e ndershëm të Shqipërisë janë dhe do të mbeten përherë të nderuar.
Dr. Selahedin Velaj, Simboli i Diasporës Shqiptare në Sh.B.A. biri i shtrenjtë i shqiptarisë, një ndër vatranët e vjetër që ka dhënë një kontribut të çmuar në jetëgjatësinë e saj duke bërë edhe fushata për të grumbulluar ndihma në bashkëatdhetarë për Vatrën . Një ndër rastet e shumtë, ka qenë edhe atëhere, kur grumbulloi njëzetë mijë dollarë, shumë e madhe me kursin e asaj kohe, kur Kryetar i Vatrës me qendër në Boston ka qenë zoti Pjetër Lukaj.
Njeri i angazhuar me pjesëmarrjen e tij fizike në nismat dhe aktivitetet e ndryshme është ndër burrat e mëdhenj të Diasporës Shqiptare në Amerikë, një figurë e ndritur e Kombit tonë.
Vlora heroike dhe historike, ajo vatër e ndezur për liri, që tregoi heroizëm kundër pushtuesit turq e deri tek heroizmi kundër pushtuesit italianë, Vlora, vendlindja e Pavarësisë së Shqipërisë dhe e Ismail Qemalit, qyteti bregdetar turistik dhe piktoresk, sigurisht, ndjehet krenare për birin e saj të ndritur që e lindi dhe e riti, burrin e nderuar Selahedin Velaj, siç ndjehemi të gjithë ne krenarë, pjesëtarët e Komunitetit Shqiptar të Amerikës që patëm fatin e mirë të kemi në gjirin tonë doktorin e nderuar Selahedin Velaj, siç ndjehet krenarë çdo shqiptar kur mëson për aktivitetin patriotik humanitar të tij, siç ndjehet krenarë mbarë Kombi Shqiptar.
Vepra patriotike e Dr. Selahedin Velaj-t, repsekti dhe vlerësimi që kanë bashkatdhetarët për të, vlejnë më tepër se një dekoratë mirënjohjeje, se një titull i lartë nderi, që duhet t’i jepej nga instancat më të larta të shtetit shqiptar.
Titujt më të lartë të nderit, Dr. Velaj i ka marrë prej kohësh nga bashkëatdhetarët dhe mbarë shqiptarët me dashurinë dhe respektin që kanë ndaj tij për kontributin e tij të përkushtuar.
Njerëz të tillë si Dr. Velaj patriotë të zjarrtë mbeten përherë Nderi i Kombit.
Të prehesh në paqe miku ynë i ndjerë, i paharuari Dr. Selahedin Velaj.
Dr. Selahedin Velaj