Rrëfimi i Pjerin Logorecit, biri i artistes së njohur Marije Logoreci
Kohët kur ajo e merrte me vete në xhirime, kopshti me lule … roli i fundit dhe vitet e vështira të pensionit
Vetëm një fëmijë që nuk duhet të ketë mbushur as 5 vjeç, Pjerini, shfaqet i ndrojtur, i ulur në kurrizin e së ëmës teksa ajo buzëqesh nga gëzimi pranë të shoqit. Kjo është një foto e hershme e familjes Logoreci, marrë nga sirtari i kujtimeve, që të çon pas në kohë. Janë javët e plazhit në Durrës, ku Marija i gëzohej rërës dhe vogëlushit. Në një tjetër foto ai qesh teksa prek faqet e saj. Marija ka veshur një fustan krem të gjatë dhe në qafën e hollë ka rruaza të bardha. Është një dashuri që nuk merr fund asnjëherë dhe ajo është mes një nëne dhe birit të saj. Përtej përkushtimit për teatrin dhe kinematografinë, Marije Logoreci në jetën e saj private kishte një tjetër dashuri të madhe, ishte ajo për të birin, Pjerinin. Kaq vite nga ndarja e saj nga jeta, ai vazhdon të ndiejë në eter praninë e saj. Ashtu e bukur, veshur me kujdes teksa i tregon me dritën e një nëne rrugën nga duhet të shkojë sa herë është në udhëkryq. “Megjithëse kanë kaluar mjaft vite që kur ajo u nda prej nesh, unë e ndiej me të gjitha qelizat e trupit mungesën për të: për humorin e mënyrën e të shprehurit figurativ aq karakteristik, për ëmbëlsinë e kujdesin e saj të rrallë, për këshillën e mençur, të kujdesshme e largpamëse, për masën e saktë në të folur e të vepruar, për zemërimin e saj të vrullshëm, për praninë e saj, për qenien e saj”, shkruan Pjerini në kujtimet për të. “Edhe sot, sa herë ndodhem në udhëkryq mendimi dhe veprimi, ndiej veten ta pyes dhe ajo më përgjigjet me zërin e saj të kthjellët e melodioz, me timbrin e bukur që e kam në mendje që kur kam lindur e do të më shoqërojë deri në fund të jetës. E ndiej përsëri këshillën e saj që më vjen në mënyrë të natyrshme nga ndërgjegjja, por nganjëherë më vonon, e herë-herë më mungon.” Kjo është mungesa e tij më e madhe, zbrazëtia që ndien. “Ndiej që çdo ditë ajo largohet prej meje duke u pluhurëzuar dhe unë mundohem ta mbaj, ta ndiej, ta shoh imazhin e saj ekspresiv, ta mbaj për të mos rrëshqitur nga kujtimet, imazhet, vegimet”. Atij i kujtohen ende kohët në shtëpi me të atin, teksa prisnin të dy që ajo të kthehej nga puna. “Kur nëna vinte në shtëpi, më kujtohet që herë pas here e ndërprisnim bisedën dhe krijonin gjithfarë lojërash për të më zbavitur. Kurse gjatë paradites, kur isha pa shkollë ose pasditeve, kur isha pak më i rritur, babai hapte enciklopedinë botërore dhe më shpjegonte fenomenet e natyrës dhe zbulimet e njerëzimit”. Por vdekja e papritur e të atit, do të ndryshonte përgjithmonë jetën e familjes. Tashmë Pjerini i vogël do të kthehej në shokun më të mirë të nënës së tij, në njeriun që nuk do të mungonte në momentet e rëndësishme të jetës së saj. “Tani unë isha pjesëtari më i vogël i Teatrit Popullor. Dëgjuesi i parë i provave, shikuesi i premierave dhe pjesëtar në autobusin e turneve të teatrit. Nëna më mbante gjithkund me vete”, tregon ai. Në Shqipërinë e viteve 1965-1970, ai ishte i vetmi nga moshatarët e tij që kishte udhëtuar me avion ushtarak nëpër Shqipëri apo kishte parë demonstrimet e qitje bombardimeve të bëra nga aviacioni ynë ushtarak në Kuçovë. Atij i kujtohen edhe kohët në sheshin e xhirimit. “Sigurisht unë isha i pranishëm edhe në sheshet e xhirimit. Kur gjatë kohës që nëna nuk xhironte, kisha mjaft kohë të qëndroja me të dhe ajo më shpjegonte me durim parimin e kamerës e deri vendosjen e këndit të xhirimit, vendosjen e pasqyrave që reflektonin dritën për të zbutur hijet etj. Kurse më vonë unë e përcillja në studiot e montazhit të filmit në Kinostudio, ku më kujtohet që më tregonte sesi bëhej shkrirja nga një plan në tjetrin”, kujton Pjerini. Gruaja që shfaqej plot sharm në skenë, ishte tepër praktike në jetën e saj private. “Ajo ishte një njeri me sens praktik, shumë të zhvilluar, duke u nisur nga fakti që tentonte të mësonte funksionin e gjërave në parim, ishte e aftë edhe të rregullonte vetë defektet elektrike apo hidraulike që ndodhnin në shtëpi. Këto e të tjera punë deri te lyerja e shtëpisë mendoj se i bënte për çlodhje”, kujton Pjerini. Por, sipas tij, pasioni i saj i vërtetë ishin lulet. “Kopshti rreth vilës ishte vërtet diçka e veçantë dhe e mrekullueshme dhe të gjitha i kishte mbjellë e kujdesej vetë. Shumë vjet pasi ajo nuk ishte më, në një takim në teatër më kujtohet që artistja jonë e njohur, Besa Imami, duke kujtuar lulet tha: ‘Lule si në kopshtin e Marijes nuk ka!’, pastaj bëri një pauzë dhe duke u kujtuar se tani kishin kaluar shumë vite e ai nuk ishte vetëm një kujtim, shtoi: ‘Ashtu ka qenë atëherë, nuk e di nëse Pjerini e mban përsëri ashtu’, dhe unë ndjeva turp …”, kujton Pjerini. Miqtë e saj të teatrit e njihnin këtë pasion të Marijes. Pjerini kujton ende vizitën e Prokop Mimës në kopsht, i cili ishte një tjetër i pasionuar pas luleve. “Një ditë erdhi te ne Prokop Mima, një nga aktorët që unë e adhuroja. Në fillim kjo nuk më bëri shumë përshtypje, se disa aktorë të teatrit, si Ndrek Luca, që së bashku me Mimikën ishin miq të përhershëm, por edhe Drita Pelingu, Besa Imami, Margarita Xhepa, Yllka Mujo etj., vinin herë pas here, por me Kopin ata i lidhte pasioni për lulet. Kopi ishte mjeshtër. Por kësaj radhe mama e kishte thirrur, sepse ishte e disata herë që shartimi që bënte në një fidan dardhe nuk i jepte rezultat”, kujton Pjerini. Mjedisin jashtë në kopsht e plotësonin edhe pëllumbat, macet, qentë, pulat që ishin mësuar me njëri-tjetrin dhe breshka që hante nga dora e Marijes. “Mama thoshte se ashtu i kishte mësuar, por mua edhe sot më duket e çuditshme jo vetëm bashkëjetesa e atyre kafshëve, e shpendëve, por edhe sjellja e tyre. Por ajo që ishte e vërtetë, ish që mama njihte deri në imtësi çdo gjë për to dhe shqetësohej për shembull për sjelljen e ndonjërit prej pëllumbave kur ata kishin probleme “të familjes” (pëllumbat janë monogamë) dhe ajo interesohej deri për të gjetur partnerin apo partneren që ato të mos mbeteshin vetëm dhe të lënduar të ikin”, kujton Pjerini. Leximi ishte një tjetër pasion i Marijes. “Mama lexonte shumë, zakonisht në darkë, kishte qejf legjendat, përrallat: ‘Për mesazhin e kjartë’, thoshte. I pëlqente etnografia dhe historia, por dhe letërsia, ku veçonte autorët si Cvajg, Çehov dhe Dostojevski. Veprat e këtij të fundit, ‘Idioti’ apo ‘Krim e ndëshkim’, i kishte lexuar në italisht”, thotë Pjerini. Por dalja në pension “do të ishte vdekja psikologjike” për aktoren. E mësuar me publikun, skenën ajo nuk mund ta mendonte veten brenda hapësirës së një shtëpie. “Nuk e pranonte dot logjikën e shkëputjes nga puna e artistit. Sidomos, thoshte, për ata artistë të gjinive të artit skenik, siç janë aktorët, ata që mund t’i shkëpusë nga puna vetëm mosha ose shëndeti, jo pensioni, ndryshe janë shkrimtarët, piktorët etj., që kanë art individual, ata mund të vazhdojnë të punojnë se arti i tyre është i pavarur nga kolektivi”, thotë Pjerini. Roli i saj i fundit, Gjela, ishte një përtëritje. “Ishin provat e përgjithshme. Salla ishte e mbushur me aktorë, njerëz të artit dhe të afërm të aktorëve, mama mbaroi dialogun me Bardhën, unë i emocionuar vura kokën në mes të duarve. Yllka Mujo u ngrit me lot në sy, hipi në skenë e iu hodh në krahë. Pirro Mani u ngrit dhe me zërin e tij të trashë tha: ‘E madhe, është e madhe!’ Nuk kemi qarë në skenë që nga koha e Tokës sonë”. Vitet në pension do të ishin të trishta për gruan që i dha aq shumë skenës shqiptare. Në një takim të organizuar dje në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, aktorja Tinka Kurti solli një pasazh nga një vizitë që i kishte bërë Marijes në ato vite. “Ajo nxori dy gota raki, pak ullinj e më tha që do të pimë. Kur nisa t’i ankohesha se isha shumë e zënë me role e punë, ajo u ngrit në këmbë dhe tha: Dil jashtë, lëre rakinë! Si mund të ankohesh që ke punë ndërkohë që mua më kanë harruar …”. Harresa ishte brenga e madhe e Marijes në vitet e fundit të jetës, që e mori dalëngadalë për ta çuar drejt rrugës pa kthim. Pjerini do të donte të kishte qenë aty kur ajo mbylli sytë përgjithmonë. Por me kujdesin e një nëne që të ruante të birin nga çasti fatal, ajo i mbylli sytë përgjithmonë kur ai nuk ishte aty. “Një mësim i saj që më ka ndihmuar disa herë në jetë, shpresoj që të mos kem nevojë ta përdor sërish, ka qenë në raste ekstreme vështirësish unë të mundem të kaloj në spektator të vetvetes dhe të arrij të gjykoj mbi veten, mjedisin dhe rrethanat, duke qenë kështu si i jashtëm për të marrë vendimin e duhur”, kujton Pjerini, këshillën që është si busull orientimi për të ende sot, për të, djalin e dashur të Marijes.