Deputeti Sokol Olldashi ka humbur jetën në një aksident automobilistik rreth orës 21:15 në aksin rrugor Tiranë-Elbasan, tek zona e quajtur “Lapidari i Kërrabës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mendohet për shkak të reshjeve të shiut, automjeti tip Benz me targa AA 003 HN, me të cilin udhëtonte z. Olldashi, ka humbur kontrollin, duke dalë jashtë rrugës. Edhe pse makina ka rënë nga një lartësi prej 7 metrash, në një kthesë të rrezikshme, aksidenti ka qenë fatal. Dy orë pas aksidentit, është nxjerrë trupi i pajetë i Sokol Olldashit nga makina e aksidentuar. Ministria e Brendshme ka konfirmuar se ishte trupi i Olldashit, ai që është gjetur në makinë. Mësohet se fytyra e deputetit të ndjerë është e shpërfytyruar, por identifikimi është bërë nga mjetet e identifikimit që ai kishte me vete. Trupi i të ndjerit u transportua drejt spitalit në Tiranë, për t’i bërë ekzaminimet e duhura mjeko-ligjore.

Olldashi
Sokol Olldashi, deputet i PD

Në vendin ku është aksidentuar Sokol Olldashi, pasi u mësua lajmi kanë mbërritur, Sali Berisha e të gjithë pjesëtarët grupit parlamentar demokrat, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, Ridvan Bode, Flamur Noka, Astrit Patozi etj., Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqja. Po ashtu, në vendin e aksidentit kanë mbërritur kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, Prefekti i Tiranës, drejtorë policie etj.

Kush ishte Sokol Olldashi

-Sokol Olldashi ka lindur më 17 dhjetor 1972 në Durrës.

Shkollimi
-2004 Kolegji i Mbrojtjes, pranë Komandës së Doktrinave (Politikat e Sigurimit Kombëtar)
-Tetor 1991 – Qershor 1995 Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. (Diplomuar jurist)
-Shtator 1987 – Qershor 1991 Shkolla e Mesme e Përgjithshme, “Naim Frashëri”, Durrës

Detyrat
-Nëntor 1999 – Qershor 2001 Kryeredaktor në televizionin ATN1
-Tetor 1995 – Nëntor 1999 Zëvendëskryeredaktor për politikën në gazetën “Albania”
-Tetor 1994 – Janar 1996 Reporter pranë Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH)
-Anëtar i Partisë Demokratike, dega Durrës, që në dhjetor 1990
-Anëtar i mbledhjes themeluese të FRPD-së
-Maj 2002 – Shtator 2007, Kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike (FRPD)
-Maj 2005 – Maj 2009 Kryetar i Partisë Demokratike të Tiranës, anëtar i Kryesisë së PD-së që nga viti 2002
-Qershor 2001 – Maj 2005, Deputet i Kuvendit të Shqipërisë, (lista shumëemërore)
-2005 – 2007 Deputet i Kuvendit të Shqipërisë, zgjedhur në zonën elektorale 26, Durrës
-2009 – 2013 Deputet i Qarkut Fier
-2013 e në vazhdim Deputet i Qarkut Fier
-2005 – 2007 Ministër i Brendshëm
-2007 – 2012 Ministër i Punëve Publike dhe Transportit