Hilë Mosi lindi me 22 Prill 1885 në Shkodër, ishte i biri i Mark Mosit, figurë politike e njohur e periudhës para e pas Pavarësisë. Në vendlindje filloi mësimet në shkollën italjane, të cilat i vijoi në shkollën teknike tregtare dhe në Kolegjin Saverjan të Jezuitëve e më vonë e vazhdoi shkollën në Austri. Në vitin 1908, u kthye në Shkodër, ku themeloi shoqërinë “Gegnija” e ishte përfaqësues i saj në Kongresin e Manastirit bashkë me Gjergj Fishtën, Ndre Mjedën, Luigj Gurakuqin dhe Mati Logorecin. Ishte dhe anëtar veprimtar i Komitetit te Kryengritjes së Malësisë së Veriut (1909-1912), ku luftoi bashkë me Risto Siliqin.
Gjatë pushtimit austriak në Shkodër (1916-1918) Mosi u bë pjesë i Komisisë Letrare të Shkodrës, dhe më vonë kryetar i shoqërisë “Vllaznija”, e cila ishte një ndër shoqëritë më të organizuara të Shqipërisë që organizonte veprimtari letrare, teatrore, muzikore e gjimnastikore dhe nxori edhe botimin për tre vjet me radhë të së përkohëshmes “Agimi”. Këtu Në Hilë Mosi bëri mjaft përkthime nga të cilat është për t’u përmendur studimi historik mbi Vlorën, të marra nga vepra e historjanit Kostandin Jireçek-ut, Milan Šufflay dhe Tallotzi-n të botuara në dy vëllime me titull “Acta et diplomata res Albaniæ mediæ ætatis illustrantia”.
Hilë Mosit ishte mis i Komisísë Letrare të Shkodrës, deputet, prefekt, Drejtor i Përgjithshëm i Sigurimit botues, Ministër i Arsimit. Ai përfaqësoi vendlindjen e tij, Shkodrën, në Parlamentin Shqiptar nga viti 1920 deri në 1924, dhe shërbeu gjithashtu si anëtar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve duke filluar nga nëntori, 1920. Senator i Senatit të Dhomës së Këshillit Kombëtar të Shqipërisë nga 27 mars 1920 deri më 20 dhjetor 1920. Gjatë qeverisë së Fan S. Nolit, 1924, ai ishte Prefekt i Korçës dhe Gjirokastrës. Në 1927 Mosi u kthye në Shqipëri pas amnistisë së dhënë nga Ahmet Zogu dhe u bë Ministër i Punëve Publike. Në vitin 1930 u bë Ministër i Arsimit post që e mbajti deri në fund të jetës, më 22 shkurt 1933 në Tiranë.
Veprimtaria letrare
– Hilë Mosi bashkëpunoi me gazetat: “Albania” e Konicës ku shkroi me pseudonimet Zog Sokoli, Lirijasi, Speci etj. gazetat: “Drita” e Sofies, “Kombi” e Bostonit, “Albania” e Beogradit, “L’Albania” e Dervish Himës, “Shpnesa e Shqypnis” e Raguzës, “Diturija” e Lumo Skëndos, “Lirija e Selanikut”, “Vllaznija” e Vjenës, “Lidhja Orthodokse” e Korçës, “Shqiptari” i Stambollit, ku ishte edhe kryeredaktor, “Agimi” i Shkodrës etj.
– Përshtati disa vepra dramatike si “Cubat” – Shiler, “Shërbëtori i dy zotnive” – Goldoni, “Filja” – Kerner
– Botoi:
Kangët shqipe 1909 Selanik
Zani i Atdheut 1913 Trieste
Lotët e dashnisë 1916 Shkodër
Libër kangësh 1925
Lule pranvere 1927