Nga Gjekë Marinaj
Libri i shkrimtarit Ndue Hila, titulluar “Heroi i Dy Kontinenteve”, të lë përshtypjen se është shkruar me “lot” e jo me bojë. Si mund të jetë ndryshe kur bëhet fjalë për jetën e kufizuar vetëm brenda 22 viteve të lezhjanit Gentian Marku, i cili u vra në frontin e parë të luftës në Irak, më 25 nëntor, 2004. Libri i Hilës është një monografi e avancuar. Forca krijuese e autorit dhe imazhi heroik i Gentianit, të njësuara, të duket sikur i japin një dimension shtesë kësaj vepre. Kjo është diçka për t’u lavdëruar në punën e autorit, sepse njëra nga arsyet që monografive nuk u jepet vëmendja e merituar nga lexuesit është
mungesa e prezencës së një elementi esencial—mbledhja e informacionit të saktë the të plotë. Hila i ka kushtuar kohën dhe dedikimin e duhur studimit të fakteve që pasqyrojnë jetën, vdekjen e më pas kujtimin e heroit.
Letrat e rëndësishme, si kjo që vijon, flasim më shumë se sa ç’mund të thoshte me tekst autori: “Jam thellësisht i mërzitur për humbjen e djalit tuaj Tetar Gentian Marku, që ishte i inkuadruar në ushtrinë Amerikanë. Gentiani ishte i shkëlqyer në shërbim të lirisë së Irakut. Ai ka ndihmuar për ruajtjen dhe sigurimin e atdheut tonë, të Amerikës sonë të shtrenjtë. Shteti ynë nuk do ta harrojë sakrificën, bujarinë, devotshmërinë e tij, në përpjekjet tona për një botë më të qetë dhe të lire. Ne shpresojmë se juve do të gjeni forca tek besimi juaj si dhe te dashuria dhe përkrahja e familjes dhe dashamirëve tuaj. Ne do ta kemi gjithmonë në kujtesë Gentianin. Laura dhe unë ju dërgojmë ngushëllimet tona. Zoti ju bekoftë. Sinqerisht, George W. Bush.”
Ky libër është i fuqizuar me detaje substanciale rreth heroit. Ato kanë rëndësi absolute për monografinë. Një e veçantë që meriton vëmendje është fakti se shkrimtari është i përfshirë tërësisht në vepër. Ai paraqitet një aktivist aktivë në rolin e tij si njeri dhe bashkëqytetar i heroit.
Bashkimi i pjesës faktike me komponentët e tjerë letrar integrohen me efektivitet nga fillimi deri në fund. Eksplorimi i autorit drejt portretit të heroit fillon që në faqet e para. Imazhi i të riut lezhjan vishet me rëndësinë e merituar që nga muaji Maj i vitit 2003, kur bënte pjesë në stërvitjen e trupave amerikanë në Shqipëri. Përvoja personale dhe spontaniteti i diskursit intelektual të autorit kanë shërbyer si elemente vitale në cilësinë artistike dhe letrare të librit. Ai i është nënshtruar një intensiteti profesional të theksuar për të arritur nivelin e cilësive që ka arritur.
Nisur nga ky perceptim mund të themi se korrespodenca e familjes dhe miqve me Gentianin është paraqitur e plotë dhe pa asnjë lloj censure. Ato janë të natyrës së kësaj letre ku heroi informon familjen e tij për vështirësitë dhe rrezikun që kalon ai (dhe grupi që ai drejton) nga dita në ditë, nga java në javë: “Përshëndetje Jona, Mirë je? Mami e babi mirë janë? Unë jam mirë. Katër javët e ardhshme do jenë pak të rrezikshme këtu, sepse do përpiqemi të marrim nën kontroll një qytet i cili quhet Felujah. Kemi lajmëruat të gjithë ato që jetojnë aty të largohen nga qyteti, se do të shkojmë ta marrim me forcë, kundra kujtdo që të na dalin para për luftë. Do mundohem të marr nesër në telefon, në qoftë se kam mundësi. S’kam karta këtu por dua të uroj Gëzuar Ditëlindjen! Me dashuri, vëllai juaj Genti.”
Heroi i Dy Kontinenteve, si pjesë e kreativitetit jo-fiktiv të Hilës, është një çelës që mund të hapë dyer të mëtejshme kurioziteti, duke e mbajtur në një nivel të lartë linjën emocionale dhe dhembjen shpirtërore për heroin e veprës. Gentian Marku i jepet lexuesit si një djalosh me një edukatë dhe maturi të pashoqe, si një i ri që pat kërkesa të qarta për tu bërë dikush në jetë, por edhe i vetëdijshëm për barrierat dhe rreziqet që mund të takonte gjatë rrugës për tek idealet e larta që kishte si njeri dhe si marins. Orvatjeve të tij për rezultate të pastra dhe përpjekje të sinqerta, Hila u ka dhënë hapësirën e duhur në libër. Një dokumentacion i pasur, herë i komentuar e me shpesh evident në formë fotokopje; si dëftesa shkollore ashtu edhe diplomat e trajnimeve të ndryshme në karrierën e tij të re, zënë një vend të dukshëm në këtë vepër. Hila e ka shtruar këtë aspekt të ilustruar nga korrespodencat konkrete që heroi ka mbajtur me miqtë, shokët dhe mësuesit e tij. Kjo letër është një prej tyre, e cila dëshmon për kualitetet e heroit si një njeri që ka afirmuar të dyja, aftësitë edhe dëshirën, për të shkuar një hap më larg se sa ç’kërkohej prej tij: “Gentian, ka qenë një kënaqësi që të kam pas në klasë këtë semestër. Do kisha pasur shumë dëshirë që të kisha pas në klasë për gjithë vitin. Ju ishit një ndihmës shumë i mire për mua. Më duket sikur të kam njohur prej shumë kohësh, dhe pse të kam pasë vetëm një semestër në klasë. Dhe pse tani nuk je me student, të konsideroj si një shok, ndaj të lutëm më trego se si jeni. Në qoftë se keni nevojë për ndonjë gjë, ju lutem me telefononi kur të doni. Kjo është një mundësi shumë e mirë për ju dhe ju uroj sa më shumë suksese në çdo gjë që bëni. Gëzuar Maturën! Me respekt nga Zonja Vohs (ish mësuesja e tij).”
Ky përqendrim profesional nga ana e Hilës ka qenë plotësisht i domosdoshëm, sidomos kur bëhet fjalë për ndarjen e asimilimit kërkimor me lexuesin, pra për përvetësimin e aspekteve të jashtme jetësore të heroit dhe përpunimin e tyre në laboratorin e tij autorial. E gjithë kjo është bërë pa shfaqur asnjë shenjë egocentrizmi si autor, por njëkohësisht edhe pa e distancuar veten si njeri nga tragjedia e Gentianit. Ky efektivitet merr rëndësinë e vet sidomos kur është fjala për mbajtjen e lexuesit në një farë ankthi a pritje për faqen e ardhshme tek lexojnë. Realiteti objektivë i leximit të mbi 470 faqeve nga lexuesi, zhytur vetëm në lot dhe dhembje, pa pasë komponente të tjera letrare për ta balancuar sistemin përqendrues të mendjes, do të gjendej jashtë sferave të mundësive reale.
Besoj se Walter. B. Jones, i cili nuk ua fsheh dot prindërve të Gentianit ankthin dhe dhembjen që ndjenë, do të ishte dakord me këtë mendim. Ja ç’farë u shkruan atyre: “Në kohën që jam duke shkruar këtë letër me dhemb zemra sepse e imagjinoj humbjen tuaj. Nuk gjej fjalë që ta përshkruaj keqardhjen time, për ju dhe familjen tuaj, për vdekjen e të dashurit tuaj të zemrës. Tetar Gentian Marku ka treguar guxim, trimëri dhe devotshmëri së bashku me të gjithë marinarët në misionin e tyre. Dashuria e tij ka qenë aq e madhe për këtë vend, sa nuk kurseu as jetën për te. Zoti e bekoftë familjen tuaj, e bekoftë këtë vend të bukur, këtë ‘tokë të lirisë dhe shtëpi të trimave’ që ne e quajmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sinqerisht Walter B. Jones, Kongresmen i Sh.B.A.”
Gjithsesi, Hila ka ditur të mos e mbingarkojnë librin me linja të së njëjtës natyrë. Kjo na lë të mendojmë se konstruksioni mjeshtëror i monografisë është reflektim i përvojës së jetës së tij letrare. Balancimi struktural e bën këtë libër më domethënës dhe më të rëndësishëm për lexuesin. Rruga primare e segmenteve jetësore të Gentianit dhe përqendrimi i autorit në arsyet që e çuan heroin të mbetet hero ka rëndësi. Ajo kalon tangjent me rrethin e jetës së 22-vjetarit në një pikë kyçe—në dhënien e jetës së tij që të gjithë ne të jetojmë të lirë jashtë kufijve të frikës.
Hila e ka mbështetur këtë besim si besim edhe i të tjerëve me dy raste konkrete. E para ka të bëjnë me ceremoninë mortare të heroit në Amerikë, më 5 dhjetor 2004 dhe e dyta me ceremoninë mortare në vendlindje, në Piraj të Lezhës, me 8 dhjetor 2004. Aty prezantohemi jo vetëm me komente të drejtpërdrejta të njerëzve të renditjeve të ndryshme shoqërore e politike, por edhe me një dialog që merr jetë nëpërmes të heshturës, dhembjes, lotëve.
Ky dialog është një tjetër diapazon tematik i rëndësishëm i këtij libri. Ai nuk është i dhënë siç jepet në prozën e letërsinë artistike; i përpunuar me një këndvështrim largpamës për tek mbyllja e konflikteve apo e situatave të sajuara. Në të kundërt, ai është një dialog i njeriut me njeriun, i dhembjes me dhembjen, i jetës me jetën, i vdekjes me nderin. Ai është një dialog që shpesh here merr jetë ndërmjet rreshtave të shkruar. Është një dialog që shfaqet te heshtja dhe te zija aq shpesh sa ç’shfaqet te zhurma e zemrave dhe qarjeve, tek krenaria jonë e ligjshme për heroin që dha jetën duke kryer një akt njerëzor në të mirë të mbarë njerëzimit.
Fatos Nano është pjesë e këtij dialogu: “Të dashur miq, familjarë dhe të afërm të familjes Marku, me hidhërim të madh mora vesh humbjen e djalit tuaj, Gentianit, i cili dha jetën e tij të re në mision për të kontribuar denjësisht në operacionin “Liria e Irakut”. E kuptoj gjendjen tuaj në këto momente të vështira dhe jam me ju për të ndarë sadopak dhimbjen tuaj. Gentiani, me shembullin e tij, do të mbetët burim frymëzimi për ushtarët tanë në Shqipëri dhe për ata që kontribuojnë për paqen në Irak e kudo në botë. Toka shqiptarë e pret me bujari trupin e birit të saj, Gentianit, duke përmbushur kështu edhe dëshirat e tij. Më lejoni, në këto momente të dhimbshme, të bashkohem me ju për humbjen e Gentianit. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij! Sinqerisht, juaji, Fatos Nano.”
Një tjetër aspekt që e mbanë lart nivelin cilësor të këtij libri është teknika autoriale në ndërtimin e skenave historike që kanë në thelb intimitetin familjar dhe shoqëror të Heroit. Çiltërsia me të cilën jepen detajet kthehet në një përbërje vitale në qëllimin kryesor të kësaj vepre, që padyshim është njohja e publikut me heroin—një impuls shtesë drejtë kujtimit të tij. Për ta ndarë një përpjekje të tillë me kolegët e tij, sidomos me gazetarët, Hila ka përfshirë në libër një sërë artikuj gazetash dhe shkrime të tjera të botuara me rastin e rënies se heroit Gentian Marku. Por jo vetëm kaq. Ai ka bërë të mundshëm dokumentacionin e plotë drejtuar organeve qeveritare të Lezhës dhe Ministrisë së Mbrojtjes në lidhje me nderimin dhe kujtimin e mëtejshëm të heroit. Hila gjithashtu është ndalur edhe tek mundësitë që ekzistojnë për vënien e emrit “Gentin Marku” të një rrugë në Michigan. Ai vlerëson lart faktin që shkolla ku Gentiani ka marrë mësimet e para si dhe rruga e fshatit Piraj, tashmë mbajnë emrin e heroit. Po aq lart meriton të vlerësohet edhe fakti se materiali i zgjedhur nga autori është organizuar mirë brenda një kornize me dimensione të gjëra letrare. Hila ka vendosur të zgjedhë një strukturë të mbështetur në sistemin kronologjik për materialet objektive dhe në atë logjik për ato subjektive. Kështu konsiderimi i trajtimit me kujdes të çështjeve etike dhe morale ka rezultuar në një produkt përfundimtar cilësor. Për ta arritur këtë, Hila ka përdorur një kodë shkrimor që përfaqëson dhe mbanë të pastër monografinë, por pa pasë frikë që nganjëherë të paraqitet edhe me nuanca fiktive. Një fenomen i tillë shpaloset në seksionin “Jeton në zemrat e të gjithëve” i cili sjell për lexuesin disa poezi vërtet të ndjera si strofa në vijim (shkëputur nga një poezi e Lekë Gjokës) kushtuar heroit: “Dhe pret vendlindja / Që biri të tretet në dheun e vet / Gjergj Kastriotit i ringjallet fytyra / The thotë: Heronjtë gjithmonë gjallë kanë mbetë (Lekë Gjoka).
Një poezi e tille nuk paraqet ligje të domosdoshme apo receta specifike që e drejtojnë lexuesin të futet në një epitol të veçantë interpretimi. Për mundësitë interpretuese është kujdesur vetë Hila. Objektivi i tij është i qartë—përpjekja për të bërë atë që është e drejtë. Çdo gjë që ka shkruar është e sinqertë dhe e trajtuar me ndjeshmërinë dhe respektin maksimum për heroin që është dy herë hero—si në historinë e Shqipërisë dhe Amerikës ashtu edhe qendrën e veprës së Hilës. Në këtë pikë të realitetit janë radhitur një varg kapitujsh ku lexuesi njihet me disa rrëfime mbi jetën e heroit nga miqtë dhe shokët të tij si nga jeta civile ashtu edhe nga ajo ushtarake gjatë të cilës janë njohur dhe kanë bashkëpunuar në stërvitje apo diku në frontin e luftës. Siç mund të pritet, këta kapituj janë të shoqëruar me disa pjesë të veçanta ku vihen në dukje edhe dekoratat akorduar heroit Gentian Marku.
Kësisoj Hila ka arritur të vë në jetë një tjetër aspekt të rëndësishëm të teknikës të së shkruarit—komunikimin direkt dhe indirekt—vendosjen e vijës ndarëse në mes të bisedave që burojnë nga rrjeti i kujtimeve me dialogun e fabrikuar apo të planifikuar më mirë të themi. Duke e ruajtur këtë ekuilibër ai bind lexuesin se libri i tij nuk është vetëm një arkiv sekuencash të dhimbshme të risistemuara sipas traditës së sekretarisë. Po kështu, edhe transkriptimi i fjalimeve të mbajtura me rastin e rënies së heroit bën pjesë në kapitujt e Heroi i Dy Kontinenteve. Midis tyre zë vend fjalimi i përfaqësuesit të ministrisë së mbrojtjes së Shqipërisë z. Dhori Spirrollari, ai i vetë autorit z. Ndue Hila, ai i nënkryetarit të veteranëve të luftës për rrethin e Lezhës z. Hyda Osmanit, si dhe fjalimi i z. Ndre Keli.
Autori, ama, nuk ka bërë kalime të shkurtra apo ngjeshje të materialit. Përkundrazi, ai i ka rezervuar vendin e nevojshëm çdo ideje. Kjo ka bërë që mendimet të shtjellohen në mënyrë natyrale duke marrë shkallëzime graduale sipas principeve tradicionale të gjinisë së monografisë. Por me të drejtë, këtij libri i është shtuar edhe një traditë shoqërore, siç është ajo e telegrameve të ngushëllimit të nënave Amerikane, telegrameve të nxjerra nga interneti, si dhe një sërë falënderimesh nga miqtë dhe shokët drejtuar familjes Marku.
Duke pasë të bëjë me një histori ku dhembja njerëzore dhe simpatia ndaj heroit janë në një lartësi maksimale, Hila ka aplikuar një mënyrë të shkruari që i ka dhënë mundësinë e laberencës autoriale nga trishtimi i skenave tronditëse që paraqet. Ai ua lë skenave përgjigjet ndaj pyetjeve që mund të lindin rreth tyre. Trishtimi dhe lëndimi i ndjenjave që përshkojnë veprën nga fillimi deri në fund si dhe logjika e përzgjedhjeve të materialeve shërbejnë si një arsyetim i plotë që strategjia e përdoruar nga autori është e menduar dhe efikase për qëllimin që ka. Këtë e vërteton më së miri letra e fundit që heroi i ka dërguar familjes nga fronti i luftës, nga aty ku zemra e tij e re po numëronte të rrahurat e fundit: “Babi, mami dhe Jona, jam mirë dhe dëshiroj të jeni mirë si me shëndet ashtu dhe me punë. Më falni që nuk kam pasur mundësi t’ju marr në telefon, por këto dhjetë ditët e fundit kanë qenë shumë të këqija për ne. Ne jemi i vetmi grup që ka shkuar nga veriu deri në jug të qytetit. Rruga është shumë e lodhshme dhe e dhembshme; 6 nga shokët e mi nuk janë më gjallë. Njeri nga ato ka qenë një djalë i ri që ka jetuar në një dhomë me mua. Megjithatë, Zoti është duke ju përgjigjur lutjeve të mia dhe më ka ndihmuar mua dhe marinsat e që unë drejtoj të mbijetojmë. Ka dy ditë që nuk kemi pasë probleme. Në rregull pra nuk po shkruaj më gjatë. Të fala babës Ndrek dhe nënës Vidë, e të fala të gjithëve nga unë, Genti.”
Ky sinqeritet i tejdukshëm dhe deri në fund njerëzor është i paraqitur në formë pamore në një album fotografik që mbyll monografinë rreth jetës së Gentianit.
Së fundi, përgatitja paraprake e autorit dhe përqendrimi i mëvonshëm në zbulimet e bëra duket qartë në librin “Heroi i dy Kontinenteve.” Kjo tregon se Hila e ka familjarizuar veten me heroin dhe me peripecitë e tij. Ai e ka përgatitur veten që në rastin e nevojshëm të dinë të bëjnë pyetje të mençura dhe të ketë kërkesa inteligjente për të arritur objektivin e tij si autor i monografisë në fjalë. Me këtë ai ka bërë që njerëzit të tregohen të gatshëm të intervistohen edhe të binden se kërkesat e autorit në të mirë të heroit janë kërkesa që secili njeri i ndershëm, pavarësisht rolit që ka në shoqëri, duhet t’i konsiderojnë me kujdes.