Zhuliana Jorganxhi lindi më 14 gusht në vitin 1946 në Korçë në një familje me tradita muzikore. Është një nga katër fëmijët e këngëtarit veteran “Artistit të Merituar” Gaqo Jorganxhi, që për 65 vjet këndoi pa rreshtur si solist dhe në grupin e mirënjohur të këngëve karakteristike korçare “LIRA”.
Mësimet e para dhe ato të mesme i mbaroi në qytetin e lindjes më 1964. Më vonë ndoqi studimet e larta në Universitetin e Tiranës, në fakultetin Histori-Filologji dhe krahas tij ndoqi pranë Fakultetit të Shkencave Juridike, kursin dyvjeçar të gazetarisë, duke u diplomuar njëkohësisht si mësuese e gjuhës dhe letërsisë shqipe për shkollën e mesme dhe si gazetare.
Me njëherë mbas mbarimit të studimeve ka punuar për gjashtë vjet si gazetare në revistën “Shqiptarja e Re” dhe nga viti 1975 si redaktore letrare dhe poete e këngës në redaksinë e krijimtarisë dhe inçizimeve muzikore pranë Radiotelevizionit shqiptar. Aktivitetin e saj letrar e ka filluar në moshë të njomë dhe që prej moshës 17 vjeçare, poezitë e saj shohin dritën e botimit në gazeta dhe revista si “Drita”, “Zëri i Rinisë”, “Nëntori” dhe “Les lettres albanaise” etj.
Ka botuar libra me poezi si “Netë provimesh”(1969), “Rritje”(1971) ,”Lule në pemën e lirisë” (1982) dhe vëllimin me tregime për fëmijë “Fëmijët e teto Nastës”(1975). Ka marrë pjesë në konkurse letrare kombëtare dhe ka fituar dy herë çmimin e dytë dhe të tretë për poemat e saj.
Por, aktivitetin e saj më të madh, krahas poezisë dhe tregimit, e ka zhvilluar mbas vitit 1974 në gjininë e tekstit poetik të këngës.
Është autore e qindra teksteve poetike nëpër festivalet e këngës në Rtvsh dhe rrethet e Shqipërisë, në anketat dhe koncertet e Rtvsh si ai “Kur vjen pranvera”, “Këngët e stinës”, dekadat e Majit dhe në festivalet e fëmijëve në Tiranë dhe rrethe të ndryshme të Shqipërisë. Është fituese e gjashtë çmimeve të para dhe shumë të tjera.
Poezitë e saj janë botuar në Greqi, Rumani, Hollandë, Kosovë, Slloveni dhe Japoni. Në vitin 1996 iu dha Disku i Artë i Festivalit, kurse për 40 vjetorin e Festivalit të këngës në Rtvsh më 2001, ju dha “Çmimi i Karrierës”.
Ndër tekstet poetike të këngës mund të përmendim: “Jon”, “Se kënduam Let it bi”, “Jeto dhe jetën time”,”Bashkëmoshatarët”, “Në duart e nënës”, “Jemi emri i vet jetës”, “Kthehu për vete, për mua!”, “Ne, bijtë e lirisë” ( me këtë të fundit, në dhjetor të ‘ 90-tës, hapeshin dhe mbylleshin manifestimet e studentëve në sheshin, sot të quajtur “Demokracia”). Sot Zhuliana Jorganxhi jeton jashtë Atdheut në qytetin e Triestes të Italisë, por asnjë çast nuk ka ndërprerë lidhjet e saj artistike me vëndin e saj. Ajo ka marrë pjesë me tekstet e saj poetike në Festivalin e këngës triestine, si dhe bashkëpunon me kompozitorët dhe këngëtarët e vendit të saj nëpër festivale dhe për albumet e tyre muzikore. Ajo është shkrimtare, një nga poetet më të njohura shqiptare dhe autorja më e njohur e teksteve të këngëve.
Redaksia e Gazetës Vatra i uron Ditëlindjen!
Nga Koncerti i Pranverës i vitit 1987 në RTSH “Me sytë e tu” Muzika: Flamur Shehu Teksti: Zhuliana Jorganxhi Këndon: Parashqevi Simaku