8 Marsi, Festa e Gruas, Nënës, mendohet se e ka origjinën e saj që në lashtësi në teritoret e pellazgeve tek grekët e lashtë, ku ky festim i kushtohej perëndeshës Rea e ëma e Zeusit. Ndërsa te romakët, festohej për perëndeshën Sejbil, nëna e zotërave të tjerë. Në kohët moderne 8 marsi njihet si “Dita e Gruas”, në të gjithë botën. Madje në shtete të ndryshme kjo ditë festohet si festë kombëtare. Kjo është dita e bashkimit të grave pa dallime për të kujtuar përpjekjet për barazi, paqe, drejtësi. Dita e parë Kombëtare e Gruas, u festua në SHBA më 28 shkurt 1909. Deri në vitin 1913 kjo ditë vazhdoi të festohej të dielën e fundit të shkurtit.
Në Konferencën Socialiste Ndërkombëtare në Kopenhagën më 1910, u vendos që “Dita e Gruas” të festohej në të gjithë botën, për nder të lëvizjes së grave për të drejtat e tyre dhe për ti mbështetur gratë në njohjen e statusit të tyre në shoqëri. Në këtë Konferencë morën pjesë 100 gra, nga 17 vende të botës, midis tyre dhe tre gratë e para të cilat u zgjodhën si pjesëtare në parlamentin e Finlandës.
Si rrjedhojë e vendimit të marrë në Kopenhagën, një vit më pas, në 1911 Dita e Gruas u vendos të festohej për herë të parë në 19 mars, në Austri, Danimarkë, Gjermani dhe Zvicër, ku miliona burra dhe gra morën pjesë në organizimet kushtuar kësaj dite. Gratë kërkonin të drejtën e votimit, të qeverisjes, të punës, të edukimit si dhe ndalimin e diskriminimit në punë.
Vetëm pak ditë pas këtij vendimi, në 25 mars, një zjarr tragjik në Nju Jork dogji mbi 140 vajza gjatë orarit të punës. Kjo ngjarje pati një rëndësi të madhe në vendosjen e ligjeve të reja në lidhje me kushtet e punës.
Në 1913 gratë ruse festuan “Ditën e Gruas”, të dielën e fundit të muajit shkurt si pjesë e manifestimeve për paqe. Ndërsa në pjesë të tjera të Evropës në 1914 kjo ditë filloi të festohej në 8 mars, shoqëruar me mbledhje dhe manifestime kundër Luftës së Parë Botërore.
Si rrjedhojë e humbjes së mbi 2 milion ushtarëve rusë gjatë Luftës së Parë Botërore, gratë ruse të dielën e fundit të shkurtit të vitit 1917, u bashkuan në greva urie kushtuar “Bukës dhe Paqes”. Katër ditë pas fillimit të këtyre grevave, Cari u detyrua të jepte dorëheqjen dhe qeveria e përkohshme ju dha grave në Rusi të drejtën e votës. Kjo ngjarje ndodhi në 23 shkurt me kalendarin Julian, i cili përdorej në atë kohë në Rusi. Sipas kalendarit Gregorian i cili përdorej kudo në botë, kjo datë bie në 8 mars.
Që prej asaj dite “Dita Ndërkombëtare e Gruas” mori dimensione të tjera, dhe filloi të festohej në mbarë Botën. Kjo ditë u formalizua nga Kombet e Bashkuara në vitin 1977, duke ftuar secilin shtet në botë për të festuar një ditë të tillë dhe për t’i vlerësuar të drejtat e grave si dhe situatën e tyre në shoqëri.
Për herë të parë 8 Marsi në Shqipëri u kremtua në vitin 1942.
Gezuar Festën e Grave dhe Nënave!