frederik rreshpja

Frederik Rreshpja lindi në Shkodër më 19 korrik 1940.

Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në Shkodër. Për shkollimin e tij të mëtejm nuk ka të dhëna të mjaftueshme, por dihet se në vitin 1967 iu botua vepra e parë letrare, përmbledhja me poezi „Rapsodi shqiptare“. Kjo vepër dhe punimet e tij të botuara në gazetat e përditëshme dhe revistat e kohës u pritën mirë nga kritika e avancuar, por u morën edhe si shembull për ta ndëshkuar. Frederik Rreshpja u burgos dhe vuajti 17 vjet burg. Ai, herët ishte kualifikuar si armik i vendit, që kur ishte nxënës i fillores, kur një fqinj i tij, puntor i Shërbimit informativ, nuk e la vajzën e vet të shoqërohet me Rikun.
Opusi krjiues i Frederik Rreshpjes nuk dihet në saktësi, por, thuhet se ka thasë përplot me dorëshkrime. Pasi doli nga burgu, botoj vëllimet “Erdhi ora të vdes përseri“ – 1994, „Lirika të zgjedhura“ – 1996, përmbledhje kjo që u shpall më e mira për vitin përkatës, si dhe vëllimin me poezi “Në vetmi“ që u botua në vitin 2004, i cili ia solli titullin –poet i vitit 2004.
Në një intervistë të botuar në vitin 1992 Frederik Rreshpja pat thënë: „…Gjithë ç’kam pasur e kam humbur. Nuk ankohem nga fati im…Nëse rri me njerëz, këtë e bëj vetëm për edukatë…Kohën e kaloj në dhomën time, i vetmuar…“. Megjithëkëtë, Riku, siç e quanin shokët, të cilët i kishte të paktë pasi doli nga burgu, jetonte në Tiranë, por shpesh ndodhej edhe në Shkodër në ndonjë promovim apo manifestim kulturor. Nuk ishte i interesuar që të përcaktohet politikisht, sepse thoshte, “… mua nuk më intereson politika. Arti është më i gjërë…“, andaj Frederiko Rreshpja iu përkushtua punës letrare. Ai ishte kryeredaktor i gazetës „Ora“, udhëheqës i një shtypshkronje dhe pronar i Shtëpisë Botuese „Evropa“, veprimtari këto që nuk i sollën përfitime të mëdha, por kishte pasuri të madhe bujarinë e tij, sepse, edhepse e dinte se kush ishte denoncuesi që e rraskapiti nëpër burgje, ai nuk u hakmor.
Poezitë Frederik Rreshpjen e bënë të famshëm që herët, sepse u përfaqësua në antologji të ndryshme e në literaturën shkollore, por, pasi e denoncuan, ato ia hoqen. Mirëpo, për të edhe më tej shkruhet në superlativ. Ja çka thonë disa njohës të letërsisë, e posaçërisht të poezisë: Hans Joacim Lanksch „… vepra e Frederik Rreshpes është poezi e dorës së parë e kalibrit europian“, Robert Elsie :“… që në rininë e tij Rreshpja ka qenë një poet tronditës“, Henri Izrael, botues amerikan: “… është një poezi tronditëse dhe me një mjeshtëri që ne amerikanëve na mungon“, Ivanov, kritik rus: „… ne kemi Pushkinin, Jeseninin, dhe shqiptarët duhet të jenë krenarë që kanë një poet të tillë“. Leo dë Rua, kritik francez: “… u trondita nga ky njeri që përmban një gjenialitet ballkanik, që është vendi i lindjes së artit,“ Ismail Kadare: “… Frederik Rreshpja është ndër poetët më të mirë të Shqipërisë“.
Frederiko Rreshpja jetonte në Tiranë, i vetmuar, sepse nuk ishte i martuar.

Vdiq 17 shkurt Shkodër, nga një sëmundje e zemrës, i rrethuar nga vëllëzërit dhe familja e gjërë, dhe u varros më 18 shkurt 2006, në varrezat „Rrëmaj“ të kishës katolike në Shkodër.

Tituj të veprave

Rapsodi shqiptare – 1967
Tri përralla për fëmijë” 1969
Trimi i fshatit Bardhë”, 1969
“Eranda” më 1969
Romanin “Zëri i largët i kasolles” më 1972
Dramën “Ëndrra e tokës” dhe “Trofta hutaqe” më 1973
Përmbledhjen “Në këtë qytet” 1973 Poezi
Erdhi koha të vdes pësëri – 1994
Lirika të zgjedhura – 1996
Në vetmi – 2004

 

Shpërblimet

Vëllimi më i mirë me poezi (Lirika të zgjedhura)-1996
Poeti i vitit 2004-për vëllimin me poezi “Në vetmi”