Nga Astrit Lulushi /

Jo më shumë se dy dekada e gjysmë më parë, nje aparat fotografik ishte send tepër i rrallë, krahas njeriut të lirë apo pas automobilit privat i cili nuk ekzistonte. Sot, është e tepërt të thuhet se fotografia konvencionale dhe ajo dixhitale, kanë hyrë kudo. Dhe një fjalor teknik për të shpjeguar sa më shumë fjalë të terminologjisë së fotografise, shqipes i duhej.
Ky Fjalor i lypur vjen nga Qerim Vrioni, studiues dhe gjurmues, mbledhës i fotografise shqiptare, nxjerrës në dritë i figurave të saj;me librat e tij si “Fotografia një grusht Diell” apo “150 vjet fotografi shqiptare”.  Synimi e fjalorit. i çdo fjalori, është sa maksimalist dhe minimalist; “Fjalori” i Vrionit është edhe përparësor (mbi të dyja), sepse; kalon nëpër një udhë të pashkelur; mbulon rreth 600 fjalë  (jo pak për një fjalor zhargon) të fenomenit të artit fotografik; dhe nëse lexohet faqe –pas-faqe mëson mbi procesin e prodhimit të një objekti nëpërmjet veprimit të dritës, rrezatimit apo ndjeshmërisë së saj, ku drita lë gjurmë, gdhend; “foto-grafi” “gjurmë-drite”, ky është kuptimi në shqip.
fjalor_fotografise
“Fjalor i fotografisë” dixhitale dhe konvencionale i Qerim Vrioni është udhëzues i rëndësishëm për studentë e profesionistë njësoj, sepse në këto kohëra zhvillimesh të vrullshme teknologjike, dhe vende pa kufij të mbyllur, fotografi sado me përvojë në profesionin , bëhet brenda natës, i ri a student.
Fjalori (176 fq) është referencë e shkëlqyer, plot përkufizime të termave dhe njohuri në zgjidhjen e problemeve gjatë përdorimit të një aparati ose kamera dixhitale për të fotografuar dhe retushuar në mënyrë dixhitale.
Fjalori i Vrionit është i llojit bifokal, sheh larg dhe afër, maksimalist dhe minimalist, ndërsa përpiqet të mbulojë një pjesë të terminologjisë përkatëse. Fjalori i Vrionit është here-herë një gjuhësh, dy gjuhësh, sqarues, analizues, i plotë, biografik, ku përdoruesit mund të kuptojnë tekstet teknike në shqip a të përkthyera dhe të prodhojë tekste të reja. Bibliografia e pasur, tregon se autori ka kryer kërkime disa vjeçare, siç e thotë edhe vetë, në biblioteka të shumta si në Amerikë edhe në Evropë e Shqipëri.
Gjuha shqipe është e re në të shkruar; alfabeti i saj i njësuar u miratua rreth 105 vjet më parë nga Kongresi i Manastirit; historia e fjalorëve të saj është thuajse njësoj në moshë; ndërsa ajo e fjalorëve teknikë është thuajse e re. Qerim Vrioni me Fjalorin e tij të Fotografisë të kujton amerikanin Noa Webster. Në vitin 1806, Noa botoi një Fjalor të përmbledhur të gjuhës angleze me jo më shumë se 20 mijë fjalë; sot Fjalori ka mbi 150-mijë fjalë e shprehje, dhe vazhdon të botohet me të njëjtin emër, Webster’s Dictionary. Me kalimin e viteve, për hir të shqipes,  të njëjtin fat urojmë të ketë edhe Fjalori i Vrionit.