Nga Luan Kalana /
Në mes të entusiazmit prindër, mësuses, aktiviste dhe fëmijë, të kënaqësisë shpirtërore të një krenarie kombëtare në emigrim, u zhvillua më 1 qershor ceromonia festive tradicionale Kombëtare, Festa e Abetares, mbarimi i vitit shkollor të grupit te parë të studenteve të shkollës së parë Shqipe ILIRIA, këtu në qytetin e bukur të Clearwater, Florida.
Në fillim u kënduan nga pjesmarrësit Hymnet e SHBA e të Shqipërisë. Ishte një moment prekës, emocionues, të shikoje e dëgjoje fëmijët shqiptarë të lindur këtu në Amerikë, tek këndonin shqip, Hymnin tonë Kombëtar, e më pas kënga me fjalët simbolike,”Folë shqip, se je shqiptar…”…
Mes duartrokitjeve fjalën përshëndetëse e mbajti, Presidenti i Fondacionit shqiptar, “Albanian Heritage Foundition of Tampa Bay” , Dr. Ardian Kraja, i cili pasi përgëzoi e falenderoi mësuesit, prindërit, aktivistët, studentët dhe të ftuarit, dorëzoi Çeritifikatat e Nderit nga Fondacioni, për stafin e shkollës, mësuesit, prindërit dhe aktivistët që inspiruan, përkrahën e kontribuan në hapjen e konsolidimin e shkollës shqipe ILIRIA në Florida. Më pas përshëndetën të nderuarit në këtë eveniment, iniciatorët, intelektualet e bordit drejtues të Fondacionit, Eri Pasko dhe Imelda Pojani, që vlerësuan mbështetjen e madhe të prindërve shqiptarë, dhe optimizmin e pasionin e z.Kraja, per e kesaj Shkolle shqipe që kemi sot.
Nje ndihmesë modeste dhanë intelektualet, ish mesuese në Shqipëri, dhe aktivistët e tjerë, si zonjat Zamira Rubjeka, Teuta Kanini, Qefsere Rubjeka, Moza Mustafaraj, Tatjana Kraja, Ismete Starova, Ina Kerxhalli, Iliriana Kulla dhe prindër të shumtë. Ne krah tyre qendroi vazhdimisht edhe vajza e talentuar, fotografja dhe gazetarja e fondacionit, Gearta Kraja, valltarja e talentuar e grupit të valleve “Shqiponja”.
Mes folësve, ngjalli emocione të papërsëritura, nena e Andi Zyli Cani, e cila falenderoi e shpërndau buqeta me lule në emër të Andit të sëmurë që ishte aty në takim, duke falenderuar pjesëmarrësit për përkrahjen dhe mbështetjen që i japin Andit, për kurimin dhe shërimin e tij.
Sponsor dhe një mbështjete materiale dha “Apollonia International Travel”, me znj.Alba Hila, duke shtypur e shpërndarë falas Abetaret për studentët shqiptarë.
Pa harruar, punën e madhe vullnetare të mësueseve të talentuara, znj. Aurela Mustali, Enira Kamenica, Dëshira Stylianos, Ana Starkovska, Ornela Lera, e deri me të rejat si Fanika Janko e të tjera.
E lamë për ta përmendur në fund, ish mësuesen e talentuar të Korçës, përgjegjësen e shkollës, ku të gjithë e thërrasin “Drejtoreshë”, znj. Meri Andrea Kodra, e cila mori mbi supe një ngarkese të madhe, por fisnike siç e quan ajo, hapjen e mbarëvajtjen e shkollës.
Me pas u ndoq me interes montazhi letraro-muzikor, “Ne jemi krenarë se jemi Shqiptar”, ku nxënësit recituan e kënduan vjersha e këngë, të poetëve Rilindas e autorëve të sotëm. Programi filloi me recitimin e studentes Kamenica, me një vjershe shkruar enkas për shkollën shqipe ILIRIA, nga autori vendas, Luan Kalana.
Pastaj u dorëzuan me ceromoni Diplomat studenteve që mbaruan vitin e parë të shkollës shqipe ILIRIA, të cilat u shoqëruan me fjalët shqipe simbolike e prekëse të tyre.
Festa u mbyll nga grupi valleve të fëmijëve të veshur me kostume kombëtare, që kërcyen valle popullore nga trevat e ndryshme të Shqipërisë. Për përgatitjen e grupit të valleve të nxënesve dhanë një ndihmesë të madhe vajzat valltare të grupit “Shqiponja” nën drejtimin e koreografes Rovena Kalifaj.
Në fund për të pranishmit u shtrua një banket, me kontributin e prindërve e familjve të studenteve.
Ky eveniment u mbyll me një foto të përbashkët prindër, mësuese e nxënës.