Shkodranet e para të teatrit në Shqipëri.
Nga Besi Bekteshi /
Në shumë nga pikëpyetjet e ditëve të sotme, nga shumë drama të mëdha të femrës shqiptare pikërisht sot, nga një tragjedi e ditëve të sotme ku burri qëllon dhe vret gruan, më vjen imazhi i jashtëzakonshëm i femrës së parë të vërtetë të emancipuar në Shqipëri. Shëmbullit unikal të guximit qytetar. Kush mund të ishte ajo, dhe ku mund të ishte një femër e tillë. E para, vërtetësisht mund të ishte në një qytet, ku kishte shfaqe reale publike e dyta, duhet të ishte një vënd ku kishte relacione të larta si letrare, politike dhe mundësisht diplomatike, e ky ishte vetëm qyteti i madh, më i madh i Shqipërisë ose Shkodra e viteve 1910-1930.
Po pra, unë po flas në një kohë “boom-i” artistik në qytetin liberal dhe konservator njëkohësisht që ishte Shkodra. Që nga viti 1911-të dhe sidomos në vitin 1912-të, Kol Idromeno, sajon një salon ku mund të projektoheshin diapozitiva të “kalueshëm” me shpjetësi në një klub të organizuar i cili u mbyll më vonë. Ishin shfaqet e para të filmit, dhe në vitin 1912-të, Idromeno që është dhe “lindësi” i filmit në Shqipëri, kinemasë së parë dhe xhirimeve të para, bën një kontratë për shfaqe filmi, kontratë qiraje nga një austriak, dhe shfaq tashmë rregullisht në zonën katolike të Shkodrës ose shtëpinë e tij filmat e parë në Shqipëri. Ishin momentet e para të filmit, dhe padyshim aty ka pasur dhe gra që shikonin , por mbas viteve 1913, mbas ardhjes së Internacionalit, Shkodra u bë qyteti më i lirë dhe diplamatik, por edhe kulturor jo vetëm në tokat shqiptare, por dhe rajon, sepse konsullatat e shumta dhe të huajt e shumtë në qarkullim, impononin dhe modernizmin real të kohës dhe shkëmbimet e litaraturës fillimet e sportit dhe teatrit të parë real.
Kjo gjë prej kohe në Shkodër, sidomos mbas viteve 1860-të. Pra ishte vëndi fertil dhe mundësisht me talent sidomos në lagjet Gjuhadol dhe Sarreq, brënda zejtarëve dhe zanatlinjve, për të filluar dhe rrugën e madhe të artit dhe sidomos teatrit. Aty ishte tendenca për të marrë pjesë gjërësisht dhe femra e emancipuar. Ajo femër, e cila tashmë mësonte edhe gjuhë të huaja, i kishte ikur, ose tentonte të ikte otomanizmit dhe kishte marrë rrugën perendimore të civilizimit. Nga 1914-ta dhe deri në vitin 1919-të, as që bëhej fjalë se një fëmër të mund të dilte në skenë. Jo, në asnjë mënyrë dhe në Shkodrën moderne. As në lagjet Gjuhadol dhe Sarreq, por në vitin 1919-të, ndodh një diçka e madhe për Shkodrën dhe Shqipërinë. Duke pasur Arkivin e Muzeut në dispozicion dhe me ndihmën e një miku të Arkivit dhe pikërisht zotit Gjon Stefa i cili pasuroi arkivin me postera të tjerë të kohës, arrij të rikonceptoj dhe dëshmoj qartë, se kush ishin dhe femrat e para shqiptare, që çanë orientalizmin dhe prambetjen e madhe, duke luajtur krahas burrave në shfaqe të hapura në Shkodër. Është pra viti 1919-të dhe nga Kol Gurakuqi i frymëzuar nga një shfaqe kinematografike të pikërisht Idromenos, vihet në skenë një “dramë dashtnore” e shoqërisë “Vëllazënija” e quajtur “Erminja e Vorfën”. Ishte madhështore kjo gjë dhe luajtën në “dramën dashtnore” ose dramën e dashurisë Kol Mjeda, Lin Deda, Kel Feta, Junuz Buliqi, Ali Borshi, Omer Ruzhdi dhe Muhamed Reçi. Dakort, por në rolin e Erminjes luajti dhe një femër, jo në të gjitha shfaqet dhe pa ju nxjerrë emri në afishe në vitin 1919-të, por luajti ama një fëmër. Po ashtu në një natë shfaqeje luajti sërish një femër, në rolin e pikërisht femrës ose të Madalenës së shoqes së Viktor Paolit. Kishte dhe shoqërim orkestral drame, dhe dirigjent ishte Luigj Kakariqi. Sot akoma nuk dihet mirë kush ishte ajo femër, (normaloisht që të interesuarit e dinin) ajo grua, vajzë apo e shoqa e kujt ishte apo ishte një beqareshë. Por gjithsesi deri në atë kohë dhe pak më vonë, rolet e femrave luheshin nga meshkujt të veshur pikërisht si femër në teatër. Bëri bujë se spektatorët ( të ftuarit) e kuptuan se tashmë femra ishte qartësisht femër, dhe biles disa thanë jashtë në qytet sepse u bë si barcoletë se ajo ishte një nga Italia, apo nga Beogradi, por këto ishin vetëm gojët që nuk mbyllen në Shkodër.
Gjithsesi vimë në vitet 1921 dhe 1922 në Shkodër, dhe tashmë janë vite guximi për teatrot dhe shoqëritë, e padyshim kulmi është shfaqa gjimnastikore “Katër Caqet Temelore” e gjitha nga femra. Imagjinoni femrat që jo vetëm luajnë, por bëjnë ushtrime gjimnastikore në vitin 1922!! Zyrtarisht kjo gjë. Por akoma më shumë drama “E Tradhtuemja”. Në lojën e gjimnastikës, kanë luajtur femrat, vajzat e para në Shqipëri dhe emrat janë dhënë kështu: Adelajdja e K. Muzhanit, Kjara e Ejell Koliqit, Karitina e Ejell Koliqit, Margerita e Sh. Koliqit, Kristina e Zef Gjonej, Pina e Zef Gjonej, Nikolina e Kel Kodhelit, Domenika Tedeskini, Gizela Tedeskini, Viktorja e Z. Jakut, Roza e Z. Çurçisë, Adelajdja e F. Loros, Marta e Mati Logorecit, Nusha e Shuk Gjokës, Despina e Joakin Kokosheviç, Nineja e Tom Naraçit. Shikohet qartë dhe mirë, se nga kush familje ishin dhe se kush ishte dhe do të vazhdonte si trashëgimi artistike dhe kulturore në Shkodër.
Por kryevepër ishte drama “ E Tradhëtuemja”. Ishte një dramë me pesë akte e luajtur me vetëm femra në Shkodër. Posteri kishte shtylla anash me fytyra gruaje, dhe normalisht të gjithë po merrnin vesh se aty luhesh pjesa kryesore dhe e përgjithshme nga pikërisht femrat. Në dramën e jashtëzakonshme “E Tradhëtuemja” luanin. Markeza e Sh. Justit nga Tina e Gjon Ashikut, Ema nga Angjelina e Mark Temalit, Marija nga Lezina e Pashko Cefës, Elvira nga Adelajdja e Pjetër Lekës, Lena nga Kristina e Zef Gjonej, një shërbëtore nga Katrina e Ndrekë Çefës, një rojtare burgu nga Ida e Kel Kodhelit dhe një zonjë, e luajtur nga Metilda e Kol Kakarriqit.
Zyrtarisht, me dokumenta, me lojë reale, në shfaqe të drejtpërdrejtë. Me fytyrë të zbuluar e tekst të jashtëzakonshëm, ishin fermrat e para të guximshme, familjaret e para të njerzve të lartë të kulturës dhe artit në Shkodër, që po bënin edhe gruan, por kryesisht vajzën nxënëse që po nderonte Shkodrën. Në fund, të gjitha bashkë, luanin një valle patriotike e titulluar “Rrnoftë Shypnia” ku nxanëset e sipërpërmndura, jepnin performancën e fundit. Ishin pinjolle të familjeve patriotike dhe kështu duheshin mbyllur shfaqet në atë kohë.
Ishte diçka që nuk mund të përsëritej, dhe që tregon në mënyrë të jashtëzakonshme nivelin e madh të qytetarisë shkodrane, dhe të lagjeve kulturore të saj.
Ishte tendenca për modernizëm, qytetërim europian dhe patriotizëm njëkohësisht. Ato janë vajzat dhe gratë e para të çmontimit të mentalitetit oriental, dhe ishin vajza të njerzve të jashtëzakonshëm të kulturës shkodrane. Unë po i bëj një homazh të vogël, pikërisht këtij brezi, që luajti rolin e madh të shkëputjes së parë nga mbyllja mbas “kafazeve dhe penxhereve” të femrës shkodrane dhe shqiptare dhe dalja e barabartë me burrin në publik. Ishin vërtetë femrat e para të teatrit dhe pjesëve të para artistike dhe kulturore në Shqipëri.
Ishin vërtetë hapa të mëdhenj në këtë drejtim. Po dhe ishin pikërisht në Shkodër. Nuk janë përmëndur shumë dhe nuk janë njohur, sepse pak ëpshtë kujdesur që ato të përmënden realisht. Por emrat e tyre kanë mbetur në një poster të jashtëzakonshëm të nëntë dekadave më parë.
Marrë nga infoshkodra