Nga Kolec Traboini
Në një debat për një çështje serioze, veçmas ato që janë kombëtare e të nxehta, është e nevojshme të jemi të qetë, të shuajmë pasionet e dominimit dhe përdorimit të sofizmit dhe dogmave. Përballimi i historisë do kurajë. Të vërtetat duan guxim. Analizat duan mendje të kthjelltë e jo stuhi në gotë. Aq më tepër retorika fetare në mediat sociale nuk i sjellin asnjë dobi shqiptarëve. Ndërsa futja e mësimeve fesë në shkolla pa tjetër një absurditet dhe do të funksionojë si një minë me sahat me veprim të vonuar. Nëse përdoret një stigmatizim për njerëz të kategorisë së Haxhi Qamilit apo Beqir Grebenesë, kjo nuk do të thotë se ata sillen në shëmbëllesë si fetarë, por si një tufë demagogësh që duke shfrytëzuar fanatizmin fetar të masave injorante, kërkonin të kthenin mbrapsht rrotën e historisë shqiptare, për ta venë sërish Shqipërinë nën suazën e perandorisë së shembur turko-osmane. Kur nis një diskutim (që mjerisht shumë shpesh degradon në polemika të forta e me një fjalor mjeran nga pamundësia e argumentimit), që në krye duhet ndare fjala se kush është objekt i stigmatizimit e në këtë rast që sollëm si shëmbëllesë, është ajo kategori që Faik Konica i konsideronte “Muhaxhirë”, pra qe kanë ardhur si mish i huaj ne këtë popull shqiptar dhe bëjnë punën e të huajve për ta shkatërruar këtë komb. Një marrëzi e vjetër por e shfaqur dhe artikuluar gjoja si risi është edhe ajo e pjelljes së kombit të ri kosovar, çmenduri me kulisa shovene në Beograd, Athinë e në Ankara. E kush tjetër e dëshiron copëzimin e shkatërrimin e kombit shqiptar më shumë se këta? Lexoni kauzat e tyre shqiptar vrasëse të deklaruara botërisht: “Kosova është Serbi/ Shqipëria e jugut është Greqi /Shqipëria është Turqi.” Duhet bërë e qartë se është e drejtë të stigmatizohet çdo përpjekje e të huajve që afrojnë me para apo teknike, institucione, me mjete monetare a mënyra të tjera duke përdorur edhe fenë, për të nxitur veprime që çojnë drejte humbjes se identitetit kombëtar dhe drejtpeshimin shoqëror. Nuk ka pse merren nën mbrojtje edhe kur ato shfaqen nën petkat fetare por kanë qëllime të mbrapshta antishqiptare. Dhe çfarë është më kryesorja, kur flasim për shqiptarë nuk bëhet asnjë dallim fetar sepse fjala ka plotkuptimin e saj. Tendenca e dikujt që të paraqesë fenë para kombit tregon shumëçka e nuk meriton ti jepet vëmendje edhe tendencës së tij për tu paraqitur në rolin e viktimës. Paraqitja e agresorit si viktimë është e njohur edhe në konflikte të mëdha botërore. Hitleri në kërkim të një shkaku për të pushtuar Poloninë përgatiti disa reparte speciale, u mësoi gjuhën polake, i veshi dhe i armatosi si ushtarë polake dhe i dërgoi në territorin polak. Nga atje gjermanët sulmuan postat kufitare gjermane, u vranë sa mundën, gjermanë me gjermanë, por në lajme u dha se trupat ushtarake polake sulmuan Gjermaninë. Duke luajtur rolin e viktimës ushtria naziste e pushtoi Poloninë. Bota bënte sehir. Prandaj të bëhemi të zgjuar e ti shmangemi një kategorie të tillë njerëzish që shtiren si shqiptarë, por bëjnë punën e armiqve të Shqipërisë, që për hir të parave apo të fanatizmit fetar kërkojnë të sjellin panik e krisje në mes të shqiptarëve. Dihet se shqiptarët tashmë kanë familje të përziera sa i përket religjionit, dhe nuk mund ta shtrojmë problemin se po sulmohet një religjion apo një tjetër, sepse kryekreje kjo nuk është e vërtetë. Nga një anë thonë me mburrje se jemi shumicë, e kur ja do puna thonë se po na persekutojnë. Po nga kush? Nga vetvetja? E përtej kësaj si mund të sulmohet vetvetja pa u quajtur vetëvrasje. Nga ana tjetër nuk i interesojnë askujt fërkimet mbi baza religjionesh sepse e vërteta është se ata që sulmohen më shumë në Shqipëri prej fanatikeve fetarë janë Gjergj Kastrioti, Nënë Tereza, Dedë Gjo Luli, Idriz Seferi e tjerë që kanë qenë shqiptarë të mëdhenj pavarësisht religjionit fetar që i përkisnin. Të gjithë jemi dëshmitarë për këtë dhe shembujt janë të panumërt kur atdhetarët kanë vënë përpara kombin e jo religjionin. Por çfarë ndodh sot që po sulmohen këta atdhetarë të mëdhenj që përcaktojnë identitetin tonë si shqiptarë? Nuk mund ti fshehim veprimet individuale pas fjalëve e nocioneve të përgjithshme. Krimi ka një emër kur ndodh e ai është emri i autorit të krimit. Së pari ne jemi të gjithë shqiptarë dhe përkatësia fetare nuk duhet të jetë shenjë e identitetit, por thjeshte çështje besimi. Të mos harrojmë se grupimet e ekstremisteve fetare (që në të vërtetë ekzistojnë, përbëjnë pakice por janë te rrezikshëm ) pikërisht atë dëshirojnë, që veprimet e tyre ti kamuflojnë si veprime të gjithë komunitetit ku bëjnë pjesë. Nëse ne do të shkelnim në dërrasë të kalbur duke thënë se Skënderbeun e Nene Terezën, por edhe Dedë Gjo Lulin e sulmojnë myslimanet do të bënim një gabim shumë të madh, që do të thosha tragjik për ardhmërinë e kombit tonë. Sepse kësisoj do tu krijonim mundësinë këtyre fanatikeve ekstremiste të pështirë në qëllimet e tyre, pra të shfaqeshin si përfaqësues të tërë shqiptarëve të besimit mysliman. Kjo nuk duhet të ndodh. Duhet ta kuptojmë se kjo është një platforme e atyre që duan destabilizimin e Shqipërisë, prishjen e raporteve, shkallmimin e tolerancës. Se kush e dëshiron këtë po dihet. Janë ata që na shtiren si miq ditën e punojnë si armiq natën, që i ftojmë si historianë e na shfaqen si mercenar idesh të dalë kohe. Nuk ka nevojë të kërkohet shumë larg, e tregoi këtë agresivitet emisari i errësirës anadollake, një pseudo historian që erdhi nga Turqia për të na sharë e anatemuar Gjergj Kastriotin këtu në Shqipërinë tonë, madje atje ku ndodhet varri i tij pa eshtrat, se eshtrat ja bënë turqit hajmali. Po këtë nuk e bënë shqiptarët myslimanë. Të mos bëjmë lojën e atyre që nuk na duan të mirën duke treguar njeri-tjetrin me gisht, ndërkohë që armiqtë tanë gëzojnë për çdo incident i kësaj natyre që ndodh këtu mes nesh. Armiqtë tanë rrojnë me shpresën e marrë se kjo do të kthehet në një konflikt ndërfetar dhe kështu të realizohen qëllimet që duan. Por tek ne kjo nuk duhet të kalojë. Do të thosha se, para së gjithash njerëzve ndjellakeq brenda apo jashtë nesh duhet tua tregojë vendin se pari vetë komuniteti mysliman shqiptar, por dhe komunitetet e religjioneve të tjera. Është në interesin e tyre por e mbarë shqiptarëve që të mos përlyhet emri i asnjë prej komuniteteve tona fetare prej atyre që nxisin urrejtje dhe shpresojnë të ndezin konflikte ndërshqiptare. Sa i përket historisë, ajo mund të diskutohet në të gjitha këndvështrimet me qellim që të dalë e vërteta, por jo që të bëjmë transplantime absurde. Nëse marrim si shembull luftën që i bëri komunizmi klerit katolik e ka shpjegimin e vet si nga pikëpamja fetare po aq intelektuale, sepse klerikët katolikë ishin ndër personalitetet më të mëdha të kulturës shqiptare. Pra ngërthehet urrejtja e Enver Hoxhës ndaj çdo gjëje katolike me një urrejtje e frikë nga drita e mendjes dhe aspiratat për liri e të drejta që ata mund të përhapnin në popull. Ndaj mendoj se ata janë martirë jo thjeshtë të fesë, por edhe nga pikëpamja kombëtare. Atdheu ka qenë pjesë e qenësishme e idealit për të cilin i pritën plumbat në gjoks klerikët atdhetarë katolike. Por njëkohësisht ne kemi edhe pjesëtarë të klerit mysliman që janë ekzekutuar si atdhetare prej pushtuesve të huaj. Shembujt janë të shumtë në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Personalisht kam bërë një shkrim dekada më parë për Hasan Muglicën e Okshtunit, i ekzekutuar nga serbët më 1915. Ai ishte një mësues e një atdhetar para se fetar. Nuk e vranë se ishte hoxhë por se ishte një shqiptar i madh dhe i tillë mbetet në historinë tonë. Prandaj pavarësisht besimit që kemi, figurat kombëtare duhet ti respektojmë pa dallim. Heronjtë tanë nuk i përkasin religjioneve por panteonit kombëtar. Kjo e vërtetë mund të mos i pëlqej ndokujt që është mësuar ti shoh realitetet me syze fetari fanatik, por kushdo që para së gjithash ndjehet shqiptar, e ndjen të vetën çdo figurë atdhetare pavarësisht se çfarë besimi fetar ka pasur dhe cili ka qenë religjioni si trashëgim i tij familjar. Ka plot për të diskutuar, por dua të shprehem hapur se nuk i hyj asnjë debati publik nëse që në krye nuk biem në një mendje se fjalët popull shqiptar, katolik apo mysliman, ateist apo monoteiste nuk do ti tollovisim siç bën ajo kategoria e atyre që punojnë si kamikazë të falangave të huaja dhe duan që ta kthejnë Shqipërinë në një fushë beteje të luftërave të tyre idiote, por edhe vrastare së shumti duke u fshehur pas predikimeve fetare. Personalisht në vështrim shoqëror, i mbetem besnik Pashko Vas Shkodrani në thënien e tij monumentale që nuk e di pse nuk gjendën në ndonjë lapidar në qendër të Tiranës “Feja e shqiptarit është shqiptaria”. Por paradoksalisht kemi një shtatore qesharake të Sulejman pashës si themelues i Tiranës me ferman të sulltanëve të Stambollit, çfarë rrënon me themel kujtesën historike dhe kauzën tonë si popull arbëror me prejardhje ilirike. Çfarë duan të thonë me këtë shtatore anadollaku këta mendje mykurit e Tiranës që ju ka bërë truri Turqi e sulltan. Mos duan të na thonë se para se të vinin osmanët nuk ka pasur histori në trojet arbërore. Mos vallë gjithçka fillon nga ardhja e turqve pushtues, kur me shpatë e me zjarr erdhën Mahmutat, Mehmetat e Mustafatë? Pse nuk ka një rrugë me emrin 300 djemtë martirë të Drishtit që ju prenë kokat prej turqëve në Shkodër në rrethimin e vitit 1478, apo emrat e Llesh e Nikoll Beganit, komandantit trim Jakob Moneta, apo emri i kryearkitektit të kështjellës Donatit, që luftuan e dhanë jetën duke e mbrojtën Shkodrën për dhjetë vjet përballë mizorisë së hordhive të lindjes. Mos vallë jemi mbetje biologjike të pushtuesve barbare të orientit. Pjellë përdhunimesh. Bastardë të huajsh. Kjo tutkunëri ndër disa mendje anadollake djallëzore duhet të marr fund. Ballkanasit po krijojnë histori aty ku nuk kanë, sepse kanë ardhur tejet vonë, ndërsa ne, që na buçet historia nën këmbë, as që duam t’ia dimë apo e harrojmë për qëllime strategjike të atyre që duan që populli shqiptar të mos ketë kujtesë historike, çfarë e bën të lehtë zhbërjen e tyre. Ajo që na bashkon është historia, erërat le të fryjnë si e ku të duan, shqiptari ka ditur gjithmonë ti presë me gjoks. Thashë shqiptari, sepse për mua asnjë prapashtese, cilësor, apo nuance tjetër bashkangjitur pas këtij emri nuk qëndron. Pashko Vasa nuk ishte katolik. Nuk ishte as mysliman. Nuk ishte ortodoks. Nuk ishte as ateist. Ai kur i shkroi ato fjalë lapidare “Feja e shqiptarit është shqiptaria!”, ishte thjeshtë një shqiptar. E kush është shqiptar i vërtetë e jo i hallakatun, jo tinëzar i shitun por atdhetar i vërtetë, i ndjen thellë në shpirt ato fjalë. Kështu duhet kuptuar Pashko Vasa, e kur them Pashko Vasa kam parasysh çdo shqiptar tej e përtej besimit. Problemi është sa jemi të zot ta meritojmë atë titull nderi.