Faruk Begolli lindi më 14 shkurt të vitit 1944 në Pejë, Kosovë dhe vdiq më 23 gusht të vitit 2007, ishte një nga aktorët e mirënjohur në ish Jogosllavi duke arritur një famë shumë të madhe në mbarë Ballkanin dhe me gjerë.
Ai studioi në Akadiminë e Filmit dhe Teatrit në Beograd dhe diplomoi në vitin 1966.
Faruk Begolli ishte gjithashtu një figurë e rëndësishme e Teatrit dhe Kinematografisë Kosovare.
Ishte bashkëthemelues i degës së Aktrimit të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës,
ku edhe punoi si pedagog i lëndës së Aktrimit.
Në vitet e 90-ta ai së bashku me Enver Petrovcin themeluan Teatrin “Dodona” në Prishtinë,
në këtë Teatër ai angazhonte studentët e tij dhe aktorë të tjerë duke inskenuar shfaqje të ndryshme teatrale.
Teatri “Dodona” u bë Teatri më i njohur në Kosovë gjatë këtyre viteve duke vazhduar deri më tani.
Pas një sëmundje të rendë, vdiq në moshën 63-vjeçare dhe u varros në Prishtinë aktori i njohur i teatrit e filmit dhe pedagogu i Akademisë së Arteve të Universitetit të Prishtinës, Faruk Begolli.
Begolli mban rekordin e filmave në të cilët ka luajtur një aktor shqiptar gjatë karrierës së tij, plot 58. Bashkëthemelues, me Enver Petrovcin, i shkollës së teatrit në Prishtinë.
U shfaq për herë të parë në filmin “Pogled u zjenicu sunca” ose “Looking Into the Eyes of the Sun” (1966). Dy vjet më vonë interpretoi në filmin “Uka i Bjeshkëve të nëmura” si edhe në katër filma të tjerë në gjuhën serbokroate, duke ruajtur një ritëm të lartë: dy-tre filma në vit.
Në fillim të viteve ’70 luan në filmin TV “Të ngujuarit”, të Ekrem Kryeziut dhe “Si të vdiset” (1972), që shënon rikthimin tek bashkëpunimi me regjisorin Miomir “Miki” Stamenkoviç.
Është aktor i famshëm, me rreth 20 filma të luajtur, kur, përsëri nën drejtimin e regjisorit dhe autorit Ekrem Kryeziu, interpreton Abdyl Frashërin në “Epoka para gjyqit”.
Me rritjen e prodhimit të filmit në Kosovë, i shpeshtohen rolet në filma në gjuhën shqipe. Në harkun e tre viteve luan në katër: “Era e Lisit” (1979), “I ikuri” (1980), “Kur pranvera vonohet” (1980) dhe “Përroi vërshues” (1981).
Më 1984 interpreton në filmin e Isa Qosjes “Proka”, i cili u vlerësua me Çmimin e Madh të Festivalit të Kanës, kategoria e të rinjve.
Pas fillimit të luftërave në ish-Jugosllavi xhiron gjithmonë e më rrallë. Më 1997 bashkëpunon për herë të katërt me Kryeziun, në video-filmin “Dashuria e Bjeshkëve të Nëmuna” (1997) ndërsa më vonë luan në tele-komedinë “Të gjithë me ne” (2000).
Faruk Begolli është një figurë e rëndësishme e teatrit dhe kinematografisë në Kosovë. Ai ka punuar si pedagog i lëndës së Aktrimit në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, si dhe ka drejtuar Teatrin Dodona në Prishtinë.
Në këtë Teatër së bashku me studentet e tij, ai ka arritur disa rezultate kështu ata kanë realizuar disa shfaqje të njohura siç janë: Profesor… jam talent… se jo mahi, Tregimi zoologjik, Heronjtë e kombit, pastaj shfaqet si “Kur kishe mujtë me m’pa, qysh më kishe pa”, “Iluzionet e dashurisë” etj. /artistë shqiptarë/
Regjisor dhe Dramaturg në Teatër
-Kur kishe mujtë me m’pa, qysh më kishe pa
-Profesor jam talent se jo mahi…
-Iluzionet e dashurisë
-Këngëtarja tullace
-Dashuritë e Xhorxh Uashingtonit
-Mbytma burrin
-Maturantët
-Martesa
-Stjuardesat
-Mbreti Ibish
-Hajnat nuk vijnë gjithmonë për të keq
-Ti, vetëm ti
-Të lumët na për këtë liri
-N’dorë e ka deputeti
Filmografia
-Dashuria e Bjeshkëve të Nemuna
-Kur pranvera vonohet
-Të Ngujuarit
-Si të vdiset