noli1_
FAN STILIAN NOLI

(Nga fjalimi i mbajtur nga Fan S Noli në Parlamentin Shqipetar në vitin 1924)

Kanë të drejtë dhe ata që qeshin dhe ata që zemërohen. Se puna është për të qeshur dhe për të qare. Po atyre që zemërohen do t’u përmend fjalët që i tha Ali Pasha Pukëvilit, konsullit frënk në Janinë. Kafazi i këtij kish rrahur një ditë një njeri të Ali Pashës, i cili pa humbur kohë vuri njerëzit e tij t’i heqin një dru të shëndoshë atij kafazi. Kur Pukëvili protestoi me zemërim për rrahjen e kafazit të tij, Ali Pasha iu përgjigj me këto fjalë: “Nuk të shkojnë këto Pukëvil, ai që rreh e rrahin”.

Dhe unë po ju thom, kush qesh, qeshet. Dhe kur duroni Ahmet Zogun që bën një shaka kolosale dhe groteske mbi kurrizin e Shqipërisë, pse zëmërohi kur ne bëjmë një shaka mbi kurrizin e shakaxhiut?Nemëni leje tani të përshkruaj, me pak fjalë historinë dhe teatrin, ku Ahmet Zogu bëri dhe vazhdon shakanë e tij. Në konfuzion të përgjithshëm dhe i ndihmuar prej lajthimeve fatale të kundërshtarëve të tij, Ahmet Zogu rrëmbeu fuqinë të cilën po e mban në dorë. Kjo s’është gjë e zorshme për të bërë, kur të merret ndër sy që në vendin tonë mbretëron konfuzioni i pesë anarkive.

E para, anarkia fetare: katër fe të ndryshme që s’kanë zënë rrënjë në zemrën e një populli pagan.E dytë, anarkia sociale: këtu s’ka as klasë bejlerësh, as klasë bujqish, as klasë burxhoazie. Këtu bujku është më bej se beu, beu më bujk se bujku. Kini një shembull të bukur në Partinë Popullore, e cila mbahet sot në fuqi prej bejlerëve.E treta, anarkia morale: këtu qeni s’njeh të zotin; këtu karakteret lopësohen, qullosen dhe ndërrojnë forma dita ditën si në kaleidoskop. Këtu ambiciet janë pa fre e pa kufi.

Këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha. E katërta, anarkia patriotike: këtu brenda në një ditë, si me magji, trathëtori bëhet patriot dhe patrioti trathëtor. Këtu shohim përpara syve tanë të kapardisen si patriotë të mëdhenj, ata që kanë luftuar për “harfet” e për flamurin e babës, që kanë djegur Shqipërinë e Mesme ose ata që janë puthur me andartët e i kanë ndihmuar për të shkretuar anembanë Toskërinë; këtu si më thoshte një mik, është më mirë të jetë njeriu trathëtor e të shikojë interesin e tij e të jetë i sigurt që të nesërmen do të proklamohet patriot i madh.

E pesta, anarkia e idealeve: këtu idealet e errëta, të shtrembra e të mumifikuara të Fanarit e të Buharës përfyten e përleshen në një luftë për vdekje me idealet e gjalla, elegante dhe të ndritshme të Perëndimit; na mungojnë vetëm idealet e antropofagëve. Po për të zënë vendin e ketyre kemi kolltukofagët, krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten me plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, këpushë, që mund t’i copëtosh, po jo t’i ç’qitësh nga trupi që kafshojnë e thëthijnë.

Herodoti na tregon se në betejën navale të Salaminës, një athenian kapi një anije persiane me dorën e djathtë e s’e lëshonte gjersa ia prenë; ahere e kapi me dorën e mëngjër; ia prenë edhe këtë; ahere e kapi me dhëmbë dhe s’e lëshoj gjersa i prenë kokën. Sikur të ngjallej Herodoti përsëri do të shikonte që kolltukofakët tanë janë më të fortë se ky trim legjendar i vjetërsisë greke. Që t’i çqitësh këta tanët nga kolltuku duhet t’u preç jo vetëm duart e kokën, po edhe këmbët e trupin.

Perëndia, i zemëruar që të na mundojë për mëkatet e stërgjyshërve, na ngarkoi me barrën të vemi urdhër e rregull në mes të këtyre pesë anarkive. Hodhëm një sy mbi problemin e tmerruar që kishim përpara e na u ngjethën mishrat, po s’u trembëm e iu përveshëm punës. Qysh mund të hezitonin e të ndruheshin? A ka ideal më të lartë se sa të nxjerrësh vendin tënd nga shella e errësirës, ta shërosh nga plagët shekullore, ta lirosh nga thonjtë e nga gërshërët e hydrës së anarkive?

A ka ideal më bujar se sa të krijosh e të vesh një racë të re, të fortë e të disiplinuar, me fenë e detyrës në zemër, me diellin e lirisë në ballë e me flamurin e sakrificat për të mirën e përgjithshme në dorë? Ja një punë për një komb ndërtonjës, për nation-buldier, ja një punë për një trim legjendar, ja një punë për një gjysmë perëndi. Po këtë punë gjysmë perëndie dhe tiranie e rrëmbeu dhe e mban në thonjët e tij një shakaxhi i trubull,i cili mbi të pesë anarkitë që ekzistonin shtoi dhe dy anarki të tjera: anarkinë shtetërore dhe anarkinë ekonomike dhe financiare.

Shakaxhiu vazhdon në fuqi, i ndihmuar prej këtyre anarkive dhe i përkrahur prej shokëve partizanë, të cilët s’duan të njohën e të ndreqin lajthimin nistor që bënë kur e vunë në krye të punës. Shakaxhiu, duke parë që shokët mërziten, e ndryshon nga koha në kohë shakanë, e kabineti e partizanët e tij flenë rehat gjersa shohin që shakaja bëhet më e keqe dita me ditën (…)

Kështu u sakrifikuan si cepin emisare (bouc’s emissaires) Xhafer Ypi, Hysen Vrioni, Koleka dhe orën e fundit Tatzati! Me ikjen e Kolekës udhët s’u ndreqnë, as u ndërtuan urat.

Me ikjen e Hysen Vrionit nuk u zunë ata që vaditën të dy, Lalët e Vlorës me hinka prej kupe; përkundër, iku Koço Memo-a, i pandehuri për atentatin kuindër jetës së Myfit Beut me katër ruajtës të burgut të Gjirokastrës dhe tani jep dëshmime mi kurris të qeveritarëve tanë përpara Komisionit Ndërkombëtar të Anqetës në Janinë.Ikja e Tatzatit ngjau vetëm dje dhe është tepër shpejt të themi ç’ndryshime do të sjellë në Ministerin e Luftës. Po s’mundim veç se të çfaqim hidhërimin për nënkolonelin Ministër të ri, të cilin e shohim sot të vijë pranë minotaurit që ka shokët e tij.

Mbetet Ministri i Arësimit që t’i lërë mësonjësit të vdesin urie nga mospagesa e rrogës dhe të mbyllë shkollat që janë edhe të hapura.Mbetet Ministri i Financave që të lërë pa rrogë e pa bukë nëpunësit, ushtrinë e xhandarmërinë, që t’i shtrojë parlamentit buxhetet klasike të balancuara në kartë e të çkallmuara në realitet dhe që të ruajë arkën e zbrazur të Shtetit mos bjerë brenda nonjë mi e thyen kokën. Por mbetet Ministri i Financave që të na japë nga koha në kohë shpjegime të gjata e të mërzitura, të cilat bëjnë të dremiten dhe ata deputetë që kanë merak të kjartë.

Mbetet dhe Ministri i Punëve të Jashtme për të bërë gafa.Kur arçë herën e funtmë hodha syno nga salla e Komisionit të Administratës në avllinë e parlamentit, dhe pashë që Kopshti i Ministrisë së Punëve të Jashtme është tharë krejt. Atje më parë lulëzonin qepë, kastravecë dhe kunguj; atje pulkat dhe zogat klloçitnin dhe bënin vezë taze, të cilat depozitoheshin me kujdes në dollapet e Ministrisë, ku ruhen arkivat e shtetit. Tani vura re me hidhërim që qepët e kastravecat ishin tharë, dhe ahime! Ishin çdukur dhe kungujt që na kujtonin kokët simpatike të ministrave tanë. Kjo neveritje kishte një shpjegim. Ministri ynë ishte në vakancë.

Dhe ku? Në Bukuresht! Dy gafa menjëherë. Se një ministër i Punëve të Jashtme nuk mundt të shkojë vakant në një kryeqytet, ku të japë shkak të përhapen thashetheme të ndryshme për misione të fshehta diplomatike. Me të mësuar udhëtimin e tij, gazetat përhapnë menjëherë që ministri ynë vajti për të kaluar Shqipërinë n’Entasitin e Vogël dhe për të kërkuar një mbret për fronin e Shqipërisë. Është’ e vërtetë që Ministri i përgënjeshtroi të dyja këto lajme, po puna e tij është të mos epte shkak të përhapeshin këto lajme, se shpesh është gjë inoportune të vërtetosh e të përgënjeshtrosh thashetheme.

Pastaj Ministri ynë s’duhej të kish vajtur në Bukuresht për arsyen për të cilën oborri i Belgradit nuk e quajti si persona gratë që të përfaqësonte shtetin tonë në dasmën e mbretit të Aleksandrit të Serbisë. Detyra e një ministri në vakancë është të lehtësohet dhe të çlodhet. Po Ministri ynë jipte intervista dhe ja një pjesë e intervistës së tij në gazetën e Bukureshtit “ADEVERUE”, (E vërteta) datë 28 korrik: “Ahmet Zogu ka bërë studime serioze në Evropë, di disa gjuhëra të huaja dhe është një njeri me idera përparimtare”. Kjo natyrisht është një gënjeshtër se që të gjithë e dimë që Ahmet Zogu nuk ka bërë aspak studime në Evropë, pa le studime serioze. Në këtë mes vritet Xheneral Telini, turbullohet tërë atmosfera e Ballkanit, çmallen ngatërrime në kufitë e Veriut.

Vermoshi e Shënt Naumi ndodhen në rrezik, po Ministri ynë nuk e prish qetësinë e vakancave me këto gjëra të vogla. Dhe që ardhi, i detyrohet A. Zogut, i cili i dërgoi 8 telegrame që ta çqitë nga Bukureshti e ta sjellë këtu në datën e votës së besimit, me qenë që votat e P. Popullore u pakësuan pas ikjes së kryetarit të P. Popullore me shokët.Mbetet e mbetet Ahmet Zogu i rrethuar prej kolltukofagëve dhe i qarkuar në shpellën e tij prej mizërie hafiesh e dallkaukësh; mbetet ky shakaxhi që pretendon oksidentalizëm dhe liberalizëm, kur ushqen në zemër të tij idealet më të errëta të orientit; kur shkel liritë e popullit dhe shkatërron arkën e shtetit për të arrirë qëllimet e tij personale, e ky shakaxhi sot na vjen për votë besimi, për të bërë zgjedhjet e asamblesë konstituente, e për të mbaruar shakanë kolosale e groteske që ka nisur mbi kurrizin e këtij shteti të mjerë.

Ne deputetët e opozitës jemi të shtrënguar ta ndalojmë këtë shaka me çfarëdo mënyre, se kemi frikë që kjo do të jetë ndofta shakaja e fundme e Shqipërisë, pas së cilës do të nisin dhembjet e barkut pa shpresë shërimi. E quajmë të tepër t’u bëjmë një apel ministrave të sotëm për një beau geste (veprim të mirë) e për demicien, se zotërinjtë e tyre janë të sëmurë, pa shpresë nga kolltukofagia dhe ethet e kësaj sëmundje nuk i lënë të shohin përgjegjësinë e tmerruar që marrin përpara kombit dhe historisë.

Po na mbetet një shpresë dhe kjo varet nga shokët deputetë të shumicës që janë të bindur të bëjnë një gabim duke përkrahur këtë guvernë, po që s’kanë arrirë edhe në pikën që ta njohin këtë gabim e ta ndreqin.Sot është dita e funtme. Sot a kurrë. Kombi e pret prej jush këtë akt patriotizme dhe urtësie politike. Kombi pret prej jush të bëni detyrën tuaj me dorën në zemër për të mirën e Atdheut.