Nga Aurenc Bebja, Francë

Revista mujore franceze « Le Cris des Peuples », 4 marsin e vitit 1929, ka botuar shkrimin e Fan Nolit, i cili gjendet në faqen n°18 me titull “Një tragjedi në tri akte: shpronësim, dëbim, asgjësim”.

Serbët dhe grekët po ushtronin metoda barbare shpronësimi, dëbimi dhe asgjesimi ndaj bashkatdhetarëve tanë, të cilët, për arsye të politikave makiavelike, fatkeqësisht u gjendën jashtë kufijve zyrtarë të Shqipërisë.

shqiptaret-noli
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Në vijim, analiza alarmuese e Fan Nolit përreth kësaj situate:

« Diktatura jugosllave peshon rëndë mbi të gjithë popujt e nënshtruar nga militaristët serbë. Ajo është shtypëse për shqiptarët e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare të Ulqinit, Tivarit, Hotit, Grudës, Plavës, Gucisë dhe Dibrës,  të aneksuara me radhë në vitin 1880, 1912, 1919 dhe 1924 nga Serbia.

Bëhet fjalë për afërsisht një milion banorë të privuar nga të drejtat më bazike. As edhe një shkollë e vetme shqiptare për këtë popullatë kompakte që e kalon numrin e asaj të Shqipërisë së pavarur e të gjymtuar nga Traktatet. Asnjë shoqatë, madje as për bamirësi, nuk është lejuar për ta. Asnjë anëtar nuk i përfaqësonte në Skupshtinën (Kuvendi Serb) e shpërbërë.

Udhëheqësi i tyre, Ferhat Draga, u dënua me njëzet vite burg për kryerjen e krimit në lidhje me shpalljen e rikandidimit të tij për t’u rizgjedhur në zgjedhjet e fundit parlamentare. Kolegu i tij, ish-deputeti « Nisam Xhafurri (Gjafuri) », u vra pabesisht në vitin 1927, për të njëjtën arsye. Rivali i tyre, Jusuf Ahmeti, u vra kohëve të fundit, për arsye se guxoi të zgjidhej anëtar i këshillit bashkiak të qytetit të Prishtinës.

Kështu hiqen qafe liderët problematikë. I vrasin në mes të ditës dhe në mes të qyteteve. Vrasësit janë anëtarë famëkeqë të bandave fashiste të cilat terrorizojnë këta rajone që nga luftërat ballkanike nën kujdesin e qeverisë së Beogradit.

***

Disa të shtëna me revole mjaftojnë për udhëheqësit. Sa për banorët, ata ekzekutohen me mitraloz ose detyrohen të emigrojnë për t’u lënë vendin pushtuesve fashistë serbë. Në këtë lloj mënyre « serbizohen » sistematikisht të gjitha rajonet shqiptare et sidomos ato të ndodhura afër kufirit shqiptaro – jugosllav ose përgjatë hekurudhave. Dhjetëra mijëra të pafatë janë të detyruar të shkojnë jashtë vendit në këtë mënyrë çdo vit.

Më e keqja është se asnjë shtet nuk dëshiron t’i marrë këta refugjatë. Turqia është e mbushur plot, Shqipëria është e varfër për t’u ofruar atyre një shtëpi të re, ndërsa vendet e tjera janë të mbyllura ndaj këtij lloj migrimi masiv. Kështu, kohët e fundit, një grup prej tre mijë të këtyre emigrantëve, pasi u endën nëpër gadishullin e Ballkanit – nga toka – për muaj e muaj, u detyruan gjithashtu të lëvizin edhe nëpërmjet detit…; Nuk i lejonin të zbarkonin në asnjë port. Disa të mbijetur të këtij udhëtimi u vendosën në Shqipëri. Të tjerët vdiqën nga uria, i ftohti, lodhja dhe nga sëmundjet e marra gjatë rrugëve.

Po fati i shqiptarëve të krahinës së Çamërisë (Epiri i Jugut), e aneksuar nga Greqia, e cila nuk është ndryshe (nga shembulli Jugosllav). Kjo është vetëm një përsëritje e të njëjtës tragjedi me tri akte : Shpronësim, dëbim, asgjësim.

***

Unë kam folur më sipër për një milion shqiptarë në Jugosllavi. Sipas jugosllavëve, atje tani ka vetëm 700 000 ! Mos vallë i kanë hequr qafe 300 000 ? Dhe sa kohë do u duhet për të eliminuar ata që kanë mbetur ? Ata (jugosllavët) do të veprojnë shpejt kësaj here dhe pa formalitete të panevojshme. Dhe kjo do të jetë lavdia më e madhe e « Dorës së Bardhë Panserbe » !

Në mes të Europës po përsëritet një tragjedi po aq e përgjakshme sa ajo e armenëve në Azinë e Vogël. Por tragjedia armene ndodhi gjatë Luftës së Parë Botërore, kur ishte e vështirë të ishe human, ndërsa tragjedia shqiptare në Jugosllavi ndodh para syve tanë në kohë paqeje, kur është e vështirë të imagjinohet se mund të jemi aq mizor.

Pra, kancelaritë evropiane, të cilat janë të vetëdijshme për këtë çështje, nuk janë shqetësuar fare. Me sa duket, tonet e zbutura nuk janë në modë… Në Azinë e Vogël, bëhej fjalë për krishterë që u shfarosën nga muhamedanët turq. Në Jugosllavi dhe Greqi, bëhet fjalë për muhamedanë shqiptarë të shfarosur nga krishterët serbë dhe grekë. Ky është ndryshimi. Dhe kjo shpjegon në një farë mase indinjatën e djeshme dhe apatinë e sotme. A jemi ende në mesjetë ?

E gjitha kjo e ka një shpjegim : vrasësit e armenëve ishin turqit, armiqtë e Luftës së Madhe ; vrasësit e shqiptarëve janë serbët dhe grekët, aleatët e Luftës së Madhe.

Gjithçka u lejohet aleatëve fisnikë. Por atëherë, a jemi ende në luftë ? Fatkeqësisht, po. Vetëm naivët besojnë se kemi bërë paqen e Versajës ! 

Fan Noli
Ish – Kryeministri shqiptar

Marrë nga  darsiani.com