dom ernest troshani-papa francesku.1
Dom Ernest Troshani dhe  Papa Francesku në Tiranë.

Nga Lek Gjoka
Jacksonville Florida
Dëshmia tronditëse e priftit françeskan nga Troshani i Lezhës që u përsekutua në diktaturën komunistë.
Dom Ernest Troshani nga katedralja e Shen Palit në prani edhe të Papes Francesku rrefeu jeten e tij në persekutimin komunist si dhe ne 24 vite te fundit te lirise se tij tregoi se në 110 fshatra në veri të vendit ka luajtur rol parësor në pajtimin e shumë familjeve të prekura nga gjakmarrja.

Në rrefimin e tij ai tha:  Unë i quajturi Dom Ernest Troshani, si bari shpirtëror jam lidhur me Kishën Shenjte para 70 viteve.
Në dhjetorin e vitit 1944 erdhi në fuqi shtetërore partia komuniste ateiste, e cila në parim kishte eliminimin e fesë, duke synuar kështu të zhdukte Klerin. Në zbatim të këtij programi menjëherë filloi arrestimi, torturimi e pushkatimi i qindra meshtarëve dhe civilëve, për shtatë vite rradhazi, duke rrjedhur gjaku i pafajshëm i besimtarëve, ku disa prej tyre, para pushkatimit, brohoritnin “Rrnoftë Krishti Mbret”.
Në vitin 1952 qeveria komuniste, për konjukturat politike të saja, me urdhër të Moskës, Stalinit, kërkoi mbledhjen e meshtarëve që kishin mbetur gjallë për ta lejuar ushtrimin e lirë të fesë, por me kusht që Kisha të shkëputej nga Papa e Vatikani. Këtë qëllim të qeverisë kleri nuk e pranoi kurrë.
Unë kam vazhduar studimet në kolegjin françeskan për dhjetë vite: 1938 – 1948. Eprorët tanë u pushkatuan nga komunistat dhe për këtë arsye u detyrova t’i vazhdoj fshehtas studimet teologjike që më kishin mbetur. Pas katër vitesh më morën në ushtri, me qëllim që kështu të gjenin rast të më zhduknin. Bëra dy vite aty, vite që ishin më të tmerrshme se në burg. Por Zoti më shpëtoi dhe me 7 prill 1956 u shugurova meshtar. Të nesërmen, ditën e Mëshirës Hyjnore, Dominica in Albis, kremtova Meshën e Parë. Tetë vite e gjysëm vazhdova shërbimin fetar. Por komunistat vendosin per të më zhdukur.
E prandaj, me datën 24 dhjetor 1963, sapo mbarova kremtimin e Meshës së Vigjiljes së Krishtlindjeve në fshatin Barbullush të Shkodrës, me vijne katër oficerë të sigurimit e më paraqesin dekretin e arrestimit dhe të pushkatimit. Më vunë hekurat duke m’i lidhur krahët pas shpinës dhe duke më goditur me shkelma, me futën në makinën e tyre. Nga kisha më çuan në dhomat e izolimit, ku më lanë për tre muaj në kushte cnjerëzore jetese. Ashtu të lidhur më çuan në hetuesi. Kryehetuesi më tha: “Ty do të të varim në litar si armik sepse i ke thënë popullit që të vdesim të gjithë për Krishtin po qe nevoja”. M’i shtrënguan hekurat aq fort në duar sa që gati me penguan sistolacionin e zemrës e gati pata vdekur. Donin të më bënin të flisja kundës fesë dhe kundër hierarkisë kishtare. Unë nuk pranova asgjë. Nga torturat rashë gati i vdekur. Kur e panë këtë hetuesit më liruan. Zoti deshi që të vazhdoja të jetoja.
Një ndër akuzat ishte edhe kremtimi i tri Meshëve për shpirtin e Presidentit amerikan Xhon Kenedit të vrarë një muaj para arrestimit tim, Meshë të cilat i kremtova sipas urdhrit të Papës Pali VI të dhënë të gjithë meshtarëve të botës.
Unë isha i abonuar në revisten kryesore sovjetike “L’union Sovietique”, në frangjisht. Kjo ndërkohë që Shqipëria i kishte shkëputur marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik. Revistën, në të cilën gjëndej fotoja e presidentit amerikan e paraqiten në gjyq si provë materiale.
Një rrethanë e provanisë hyjnore, bëri që dënimi im me vdekje të mos ekzekutohej: Në dhomat e izolimit më sollën edhe një të burgosur tjetër, i cili ishte edhe miku im më i dashur, por që në këtë rast kishte qenë spiun. Ai filloi të fliste kundër partisë në pushtet, por unë i përgjigjesha gjithnjë se Krishti na ka mësuar t’i duam armiqtë tanë dhe t’i falim ato e të punojmë për të mirën e për begatinë e popullit. Këto fjalë shkuan në vesh edhe të diktatorit, i cili pas pesë ditësh ma hoqi dënimin me vdekje. Por këtë dënim ma shndërruan në 18 vite burg në minierat e Spaçit. Pasi përfundova burgun, më dënuan sërish me punë të detyruar: për dhjetë vite (pra deri në rëniet e komunizmit), kam punuar nëpër kanalet e ujërave të zeza.
Gjatë kohës kur isha në burg, kam thënë Meshën përmendësh në latinisht, si edhe kam rrëfyer e kunguar fshehtas.
Me ardhjen e lirisë fetare më ka ndihmuar Zoti që të shërbej në 110 fshatra dhe kam pajtuar shumë gjaqe me Kryqin e Krishtit, duke larguar urrejtjen dhe djallin nga zemrat e njerëzve.
Shenjtëri, duke qenë i sigurtë se po shpreh dëshirën e të gjithë njerëzve këtu të pranishëm, lutem që, me ndërmjetësinë e Madhnueshme të Nënës së Krishtit, Zojës së Bekuar, i Madhi Zot t’ju jape Juve jetë, shëndet e begati për drejtimin e kësaj grigje të madhe që është Kisha e Krishtit.

Pas mbarimit të rrefimit Papa Francesku u përlot në sytë e gjithë botes për vuajtjet e ketij kleriku dhe të gjithe klerikeve të tjere të kombit shqiptar në diktaturen e eger komuniste.

 

 

Dom Ernest Troshani dhe lidhjet me komunitetin katolik të shqiptareve në Jacksonville Florida si dhe burgosja e tij sepse mbajti meshën për presidentin  amerikan Xhon Kenedin .
Dom Ernest Troshani gjithmone e donte shtetin  kampioni boteror të lirisë  SH.B.A-kës.Madje edhe u burgos për meshën që mbajti për presidentin amerikan Xhon Kenedin .

 

Me gjithë moshën e thyer dhe vuajtjet nëpër burgjet dhe kampet e persekutimit të diktaturës komunistë nuk arritën ta përulin dot shpirtin e Dom Ernestit.Ishtë shpirti i tij i madhe që fali shokun e tij spiunin që bëri dëshmi të rreme dhe vetem fale Zotit i shpëtoi pushkatimit.Megjithese në moshë të thyer disa here ka kaluar oqeanin Atlantik dhe ka zbritur në Jacksonville Florida.Janë dhjetera mesha që ka drejtuar për shqiptaret e Jacksonvilles.Ka bëkuar mijëra shqiptare,qindra shtëpia me fjalen dhe bekimin e të madhit Jezu Krisht.
Udhetimet e tija të gjata në Amerike i nderrmerrte edhe për të mbledhur pak të mira matetiale për kumunitetin ku shërben në fshatrat e Shkodrës që të shëronte sadopak varfërinë dhe hallet e përditshmë të tyrë.

Ndaj shpirtërisht edhe në shqiptaret e Amerikes u përlotëm me historinë e tij të vuajtjeve në diktaturen komunistë.Si të mos përlotemi nga ato vuajtje që përlotën edhe Papa Franceskun dhe i treguan gjithë botës së si një komb vogël si Shqipëria mu në mes të Evropes u martirizua nga diktatura me e eger në botë komunizmi.Por jeta vazhdon.Shqipëria ka trokitur në shtëpinë e Zotit dhe Ai ja ka hapur portat, e ka beguar bashkë me bekimin e fundit edhe të Papa Franceskut.Bashke në udhëtimin shpirtëror drejt Zotit shqiptatet kanë shtuar shinat e jetes për në udhetimin në familjen e madhe të Bashkimit Evropian.

dom ernest troshani1
Dom Ernest Troshani

Jacksonville Florida
21 Shtator 2014