Verheijen: S’mund të rregullosh shtratin, kur shtëpia juaj ndodhet ende në flakë
Ndryshe nga seç pritej, kundër dhënies së statusit kandidat për Shqipërinë nuk ka dalë vetëm Holanda. I mendimit për shtyrjen e dhënies së statusit për në qershor të vitit të ardhshëm janë shprehur dhe Gjermania, Britania e Madhe, Franca dhe Danimarka.
Qëndrimi i pesë vendeve skeptike është bërë i ditur në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së sot në Bruksel.
Ministri danez është shprehur se, Shqipëria ka ende nevojë për të treguar se është duke bërë çmos, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Në një kohë që këto pesë vende mendojnë se Shqipëria ende nuk është gati, 23 vendet e tjera të BE-së janë shprehur pro.
Holanda ishte vendi i parë dhe vendi më skeptik. Parlamenti i saj miratoi dhe një mocion ku i kërkonte qeverisë të “bllokonte” dhënien e statusit.
Deputeti i VVD-së (parti në pushtet), Mark Verheijen në një intervistë për gazetën “Elsevier”, ka shprehur shqetësim lidhur me planin e Brukselit për zgjerimin e BE-së.
Ai ka theksuar se nuk e kupton propozimin e Komisionit Evropian për të bërë Shqipërinë vend kandidat për anëtarësim. “Shqipëria është vendi më i korruptuar në Evropë. Nuk mund të rregullosh shtratin, kur shtëpia juaj ndodhet ende në flakë”, shprehet deputeti holandez. “Evropa nuk duhet të humbë qytetarinë. Edhe ata që janë pro-Evropianë të pamat, duhet të kuptojnë se ka ende shumë gjëra për të rregulluar.”