Shorti i Europianit ashtu si në mediat shqiptare është komentuar dhe në mediat e kundërshtarëve të grupit tonë A, me zviceranët, rumunët e francezët që i kanë kushtuar vëmendje Shqipërisë si rivale në grup.
Francezja “Lekuip” e cilëson një terren të njohur ndeshjen e Gjelave ndaj kundërshtarëve të saj, përfshi dhe Shqipërinë, ndërsa në brendësi ka përpiluar dhe kalendarin e këtyre sfidave teksa shkruan se Gjelat do të përballen në Marsejë me Shqipërinë që i mundi 1-0 në muajin qershor duke kujtuar gjithashtu se udhëheqësi i Shqipërisë në fushë përballë francezëve do të jetë Lorik Cana, një idhull i “Velodrome” nga periudha kur luante me Olimpique. “France Football” propozon në faqe të parë 3 ndeshjet e francezëve në këtë europian.
Në Zvicër, ndërkohë e përditshmja “Blick” është hapur gjithashtu në faqe të parë me shortin duke shkruajtur, “Franca, Rumania dhe Shqipëria janë kundërshtarët tanë, të gjithë njohje të vjetra”.
Në Rumani, media më e madhe sportive në vend “Digisport” gjithashtu vendos shortin e europianit në faqen e saj kryesore, duke parë si rivale direkte pikërisht Shqipërinë, me të cilën do të luajnë ndeshjen e fundit në grup. Në brendësi “Digisport” jep dhe bilancin e sfidave mes dy vendeve duke kujtuar se kemi luajtur 16 herë me shqiptarët, teksa kemi arritur 11 fitore, 3 barazime dhe 2 humbje, ndërsa takimin e fundit, një miqësore e kanë fituar rumunët më 31 maj 2014 me rezultatin 1-0.