kastriot_myftaraj
Kastriot Myftaraj

Nga Kastriot Myftaraj

Kur turma e protestuesve të opozitës, në 8 dhjetor 2015, iu drejtua bunkerit të ndërtuar, sipas idesë së Kryeministrit Rama, në cep të ndërtesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme, drejtuesit e protestës dhe protestuesit menduan se bunkeri do të shembej lehtë. Ata kishin menduar se Kryeministri Rama kishte ndërtuar një bunker dekorativ, të përbërë nga një shtresë e hollë betoni, e veshur me kartonxhez, që mund të thyhej lehtësisht. Ata u ndeshën me një të papritur të madhe kur panë se pas shtresës së kartonxhezit doli një bunker i vërtetë prej betoni, i trashë sa bunkerët e vërtetë të ndërtuar nga shteti komunist. Kur Kryeministri Rama ideoi dhe urdhëroi ndërtimin e bunkerit te Ministria e Brendshme, ai e dinte se opozita nuk mund të mos e sulmonte atë. Simbolika e bunkerit te Ministria e Punëve të Brendshme ishte thjesht një provokim dhe nuk kishte tw bwnte me denoncimin e diktaturws komuniste. Në kohën e shtetit komunist, bunkerët nuk i ndërtonte Ministria e Punëve të Brendshme, por Ministria e Mbrojtjes. Sigurimi i Shtetit nuk i ndrynte njerëzit në bunkerë. Ironikisht, bunkerët mund të frekuentoheshin lirisht dhe përdoreshin si nevojtore, një mënyrë kjo e disidencës masive të shqiptarëve në rrethanat e kohës.
Prandaj, ndërtimi i bunkerit te Ministria e Punëve të Brendshme nuk mund të ketë simbolikën e denoncimit të diktaturës komuniste, por atë të fuqisë së regjimit të sotëm të Edi Ramës. Prandaj bunkeri ishte një simbol që e joshte opozitën për sulm. Opozita e sulmoi bunkerin në të njëjtën mënyrë siç sulmoi shtatoren e Enver Hoxhës në 20 shkurt 1991. Atëherë monumenti i Enver Hoxhës ra me një lehtësi shumë të dyshimtë, i tërhequr me litar nga turma. Kjo ndodhi sepse gjate natës njerëzit e regjimit komunist ishin liruar vidat (kunjat) që e mbanin shtatoren të mbërthyer pas piedestalit. Pasardhësi i Enver Hoxhës, Ramiz Alia po e përdorte urrejtjen popullore ndaj diktaturës komuniste, për të pastruar simbolikën që kishte të bënte me paraardhësin e tij, dhe që i bëhej pengesë atij për t’ u paraqitur si drejtues i proceseve demokratike, duke u bërë i pari president i Shqipërisë paskomuniste. Prandaj i liroi vidat e shtatores.
Shtatorja e Enver Hoxhës ishte e ndërtuar me funksionin e simbolikës së izolimit që përfaqësohej nga bunkerët. Shtatorja e Enver Hoxhës ishte me shpinë nga Perëndimi dhe ecte drejt Lindjes. Rrëzimi me lehtësi të dyshimtë i shtatores së Enver Hoxhës ishte një tregues se përmbysja e diktaturës komuniste në Shqipëri ishte një skenar i vetë diktaturës komuniste, me synimin për të ruajtur atë që ishte instrumenti i pushtetit, partinë. Partia Komuniste, e quajtur Partia e Punës, u “reformua” me rastin e proceseve demokratike duke u bërë Parti Socialiste, kinse e llojit perëndimor. Kuptohet se në sistemin e ri politiko-shoqëror do të kishte dhe parti të tjera, për të cilat do të bëhej kujdes që të dilnin nga kulisat e Partisë Komuniste.
Bunkenveri ra, së paku simbolikisht. Atë vizion që kishte Ramiz Alia për përshtatjen e diktaturës komuniste me rrethanat e reja të pluralizmit politik dhe ekonomisë kapitaliste, në këta 25 vite, nuk ka arritur askush më mirë se Edi Rama, që ta ndërtojë si sistem të kontrollit të politikës, ekonomisë, shoqërisë, institucioneve të pavarura (Gjykata, Prokurori, shërbime të fshehta), medias etj. Këtë diktaturë të re e simbolizon bunkeri i ndërtuar te Ministria e Punëve të Brendshme. Ky bunker është në fakt Bunkedi. Dështimi i opozitës në sulmin e saj për të shkatërruar bunkerin është shumë domethënës. Bunkedi rezistoi në 8 dhjetor 2015, ndryshe nga Bunkenveri në 20 shkurt 1991. Kumti është i qartë për të gjithë. Simboli që ra në 20 shkurt 1991 u rindërtua dhe i rezistoi goditjes në 2015. Kjo është e vërteta e Rilindjes së Edi Ramës. Tërheqja e opozitës para bunkedit sot dhe shpallja si fitore e djegies së kartonxhezit me të cilin ishte i veshur bunkeri, është dështim fatal i saj, është ana tjetër e medaljes së rreme të meritës së saj për rrëzimin e shtatores së Enver Hoxhës, në shkurt 1991. Opozita duhet të kishte qëndruar përreth bunkerit dhe të ngrinte çadra atje, deri kur ta shkatërronte atë duke i hequr copëzë pas copëze. Ose të pajisej me mjete teknike që përdoren në raste të tilla. Por opozita e sotme është ajo që ka arritur fitoren e rreme të 20 shkurtit 1991 dhe është mësuar që në luftën me simbolet të arrijë fitore të rreme, të lehta.
Regjimi i sotëm, i dalë nga zgjedhjet e vitit 2013, me bunkedin i lejoi vetes një shprehje arrogance politike, me anë të simbolikës. Dhe nga arroganca bëri një gabim të madh duke e mbrojtur bunkerin te Ministria e Punëve të Brendshme me policë. Policia e Shtetit ka detyra të përcaktuara qartë në ligj dhe mbrojtja e bunkerit nuk lidhet aspak me atributet ligjore të saj.
Opozita sot tregoi paaftësinë e saj për të mposhtur regjimin që ka si simbolikë bunkedin. Jo se do të rrëzonte qeverinë me këtë protestë por së paku simbolikën e paligjshme të regjimit të sotëm duhet ta kishte rrëzuar. Nëse opozita pati sot një disfatë të qartë, qeveria pati një fitore shumë të dyshimtë. Qeveria e ruajti simbolin e saj bunkerin, që tashmë më tepër se kurrë është bunked. Dhe tashmë çdo veprim i kësaj qeverie do të shihet nën prizmin e këtij bunkeri, apo në sfondin e tij. Kjo e deligjitom regjimin në mënyrë katastrofale.

 

Burimi Facebook : Kastriot Myftaraj , Public Figure