Bisedoi Kozeta Zylo /
Bisedë me aktorin e Teatrit Kombëtar, z. Anil Frashëri, të birin e Aktorit te madh Naim Frashëri. Artisti i Popullit Naim Frashëri vjen nga i njejti trung me Rilindasin e madh Naim Frashërin.
Anili është djali i Naim Frashërit, i cili është një nga pionierët e themelimit dhe aktorët e mëdhenj të Teatrit Kombëtar dhe Kinematografisë shqiptare. Anili ka luajtur 43 role të para, të dyta dhe të treta, në pjesë teatrale të autorëve klasik dhe kontemporan.
Disa role janë: Kapiteni “Nata e dymbëdhjete”, At Koronili: tek Monserat“, Avokatin “Valsi i Titanikut”, Smerci tek “Gersheti i Shotes” Andoni “Darka e gabuar” ” ish Gjenerali tek Gjenerali i ushtrise se vdekur” Shiti tek “Arturo Ui” Vurko tek “Pas Vdekjes” “Bjondello “Zbutja e Kryeneces” etj…
Ndërsa Naim Frasheri ka luajtur në filmin “Skënderbeu”, rolin e Pal Muzakës, në filmin “Tana”, Valeri në “Tartufi”, Smithi në “Çështja ruse”, Gjenerali në “Gjenerali i ushtrise së vdekur”, Ferdinanti “Intrigë dhe dashuri”, Hamleti “Hamleti”, Jonuz Bruga “Familja e Peshkatarit” etj… Për fat të keq roli i Jonuzit ishte i 80-ti dhe i fundit i tij.
Ka interpretuar 8 role ne filmin artistik.dhe mjaft role të tjera kryesore që e kanë bërë të jetë në piedestal të Teatrit Kombëtar dhe Kinematografisë shqiptare…
Z.Anil, sot babai juaj ka 89 vjetorin e lindjes, përpos krenarisë që ndjeni si biri i një superylli të artit shqiptar, lexova nga ju homazhin për babain tuaj në rrjetin social FB dhe ndjeva gjer në eshtër heshtjen e institucioneve të kulturës dhe të shtetit shqiptar për këtë aktor të madh që i ka dhënë aq shumë Kombit, si ndiheni përballë kësaj heshtjeje?
Sa i përket indiferencës së institucioneve dhe mediave të ndryshme në lidhje me përvjetorin e ditëlindjes së babait tim mund të them se për ne nuk është një gjë e re ndaj dhe nuk më preokupon shumë. Jemi mësuar tashmë me heshtjen dhe indiferencën e këtyre instancave dhe kjo ndodh për ata aktorë të shquar në mbarë vendin tonë. Për mua personalisht është një turp i madh që u bëhet këtyre aktorëve dhe një tentativë për t’i fshirë nga memorja e kombit të tyre dhe nga arti në përgjithësi.
Sa kohë jetuat me babain tuaj dhe cilat janë disa nga kujtimet më mbresëlënëse si baba dhe aktor?
Unë kam jetuar me babanë tim për 17 vjet, mbresat dhe kujtimet janë ato si i një fëmije ndaj prindit të tij. Por tek ai kam parë dashurinë për artin në përgjithësi dhe teatrin në veçanti si dhe një dashuri të pakufishme për popullin e tij, gjë të cilën na i nguliti dhe ne fëmijëve të tij. Punonte shumë me rolet e shfaqjeve dhe ne shpesh bëheshim protagonistët e provave të tij në shtëpi. Ishte shumë këmbëngulës dhe shumë i drejtë me këdo. Kishte një zë shumë të bukur dhe shpesh herë kur ishte në çaste gëzimi ( sado të rralla) këndonte arie nga opera të ndryshme nga muzika operistike botërore. Ishte shumë korrekt në familje. Në familjen tonë mbizotëronte një harmoni e bukur dhe e domosdoshme për atë që ishte në process krijues. Për ne fëmijët e tij ai ishte shumë i thjeshtë dhe shumë i prekshëm ndaj se vinim re madhështine e tij si aktor Hamletin. Vetëm pas vdekjes së tij kuptuam se në mes tonë kishte jetuar një aktor gjigand në baze të materialeve shkresore dhe materialeve filmike që në atë kohë egzistonin në Kinostudio apo në RTVSH.
Cili ishte pengu i Naim Frashërit në botën shqiptare dhe artistike?
Babi im nuk ka pasur ndonje peng në lidhje me rolet e tij se ato që ka dashur i ka realizuar me sukses të plotë. Ndoshta pengu i tij i madh ka qenë ta shikonte artin jashtë kontureve politike për të cilën luftoi shumë, por dihen qëndrimet e kohës.
Po si aktor? Sa ndikoi Ai ne talentin tuaj?
Tek mua që ndoqa më vonë rrugën e tij nuk ka pasur ndonje ndikim të drejtpërdrejtë për t’u bërë aktor, por puna e tij, bisedat që bënte në familje për Artin dhe Teatrin më bënë
që të dashurohesha me këtë profesion sa i bukur po aq dhe fisnik. Me një fjalë rrugën e artit unë e ndoqa me dëshirën time dhe qysh herët në shkollën 8 vjeçare për mos t’ju ndarë më kurrë.
Në kohën e diktaturës ishit i privilegjuar si biri i një artisti të madh?
Sa i përket pyetjes suaj se a ishte ai i privilegjuar apo ne si familje e shoh këtë pyetje me shumë rezervë.
Në atë kohë as bëhej fjalë për privilegje personale apo familjare siç ndodh sot rëndom në shoqërinë tonë, por kishte vetëm punë dhe ta përligjje atë. Ai kishte vetëm një kostum me të cilin u varros dhe një pallto që bashkëqytetarët e tij e mbajnë mend shumë mirë. Sa i përket ne fëmijëve as që bëhet fjalë, ne jetonim dhe studionim si të gjithë ata bij dhe bija nënash që jetonin dhe rriteshim në atë regjim.
Është një koiçidencë e bukur që në botën e artit kemi dy emra të mëdhenj, të njejtë për nga emri e mbiemri, por në kohëra të ndryshme, Naim Frashëri Rilindas dhe poet i madh, dhe Naim Frasheri aktor i madh, ka qenë rastësi apo ndonjë ëndërr e gjyshërve për pagëzimin që i kanë bërë?
Babai im rrjedh nga një familje Bejlerësh të Përmetit dhe vendlindja e tij është pikërisht Frashëri ku atje jetonin të tria familjet e mëdha te Frashëllinjve, dhe kur lindi Naimi ynë për nder të figurës së Poetit të madh i vunë emrin dhe babait tim, pa e ditur që nesër do dilte një kolos tjeter i madh, por kësaj radhe aktor, ndryshe s’ka se si justfikohet ai harmonizim i zërit të Babait me vargjet e mrekullueshme të të madhit Poet… Flas për interpretimin që i ka bërë poemës madhështore “Bagëti e Bujqësi”…
Aktori Naim Frashëri interpreton mjeshtërisht poemën “Bagëti e Bujqësi” të Naim Frasherit poet, keni ndonjë kujtim nga babai juaj per këtë interpretim?
Për punimin e pjesës që do ta recitonte Babai ka bërë shumë punë dhe provuar disa herë në mënyrë që vibracionet e zërit të tij të kishin një ngjashmëri me cicërimat e zogjve, me blegërimat e bagëtis, me fëshfërimën e erës dhe me gurgullimet e lumenjve, dhe unë besoj se ja ka arritur qëllimit plotësisht.
Babai juaj ka luajtur në filmin “Skënderbeu” një nga rolet kryesore, Pal Muzakën me regjisorin rus, cilat ishin disa nga përshtypjet dhe ndonjë gjë intime nga rolet e tij?
Meqë po më bëni një pyetje për xhirimet e filmit “Skënderbeu”, Babai ka pasur një ngjarje sa të bukur për momentin po dhe aq të hidhur shumë vite mbrapa.
Bëhet fjalë për skenën e martesës së Mamicës ku dihet se Naimi ( Pal) e dashuronte, dhe kur aktori i madh që luante Skenderbeun Ataki Harova i lutej që ta falte dhe ta harronte Mamicën, Naimi në çdo dubël që bëhej qante dhe lotohej. Kjo i ra në sy regjisorit të famshëm Jutkeviç i cili pasi e pa i tha :’’ Me këtë temperament që ke ti djalosh do shuhesh shumë i ri’’ dhe profecia e Jutkeviçit nuk gaboi dhe doli. Babai vdiq shumë i ri në moshën 52 vjeçare kur ishte në kulmin e karierës së tij. E rëndë… shumë e rëndë për atë vetë, për ne familjarët që humbëm një baba, një shok, një bashkëshort, por dhe për kolegët dhe popullin e tij qe ai e donte siç e donte dhe vetë populli atë, ndaj e quajti Artist i Popullit.
Cilat janë rolet tuaja më të dashura në kinematografi dhe Teatër?
Rolet e mia më të dashura në teatër janë disa, por po përmend disa prej tyre :
At Koronili tek “Monserat”, Vurko tek “Pas Vdekjes”, Bjondello tek “Zbutja e Kryeneces”, Turio tek ‘Dy Zotërinj nga Verona “etj.
Gjatë xhirimeve keni pasur flirt me ndonjë aktore ose dashuri reale?
Gjatë atyre pak filmave që kam luajtur as kam flirtuar dhe as kam rënë në dashuri me ndonjë partneren time dhe në përgjithësi gjatë gjithë jetës sime si aktor me koleget e mia.
Si e vlerësoni sot si një aktor profesionist Kinematografinë shqiptare dhe Teatrin?
Sot tregu i aktorëve që mbarojnë shkollën është shumë i madh dhe s’di me saktësi të jap ndonjë mendim specifik për aftësitë e tyre se si kam parë. Disa që kanë luajtur në teatër dhe i kam pasur dhe partnere më duken të talentuar, por do t’u rekomandoja më shumë kërkesa ndaj vetes dhe profesionit dhe sa më shumë modest të jenë për emrin që mbartin në kurriz.
Në emër të lexuesve ju urojmë role me realizime sa më cilësore në Kinematografi dhe Teatër!
Ju faleminderit z.Frashëri.
Ju falënderoj nga zemra për intervistën.