Nga Faik Konica /
Të gjith’ ata që kanë njohur mirë vëndin tonë, shkrojnë që dheu i Shqipërisë munt të japë bukë nji zet mijon shpirtëve: e dini që jemi tre mijonë edhe që dy mijonë prej nesh ngordhin urije; Shkrojnë që Shqiptarët janë miaft të mënçurë me punuem për mirësin’ edhe për dritën e gjithë njerëzisë1: e dini mirë që Shqiptarët të mësuarë janë më të rallë se fjalë të vërteta në gojë të priftit. Cilët prejtin bukën e barkut, cilët prejtin bukën e mëndies?
Kemi armiq. Për atë, të gjithë bashkohen në nji zë. Vetëm për këtë ndahen, që të gjithë nuk tregojnë nji armik. Ca zgjatin gjishtin drejt dhelpëris’ e Grekut, ca dëftojnë gjarpërimin e Shqevet, ca të tjerë emërojnë, me zë të unjtë, trashërin’ e Halldupëve.
Kur dëgjojmë të tilla, neve na vjen nji i pambajtur gas. Armiqt’ e Shqipërisë janë Shqiptarët, jo të tjerë.
Shqiptarët kanë shkruar me gjakn’ e tyre më tepër se një faqe në histori të Evropës. Nga më të vogëlat të trazuarat gjer në luftat më të gjakta, Shqiptari ka hequr hark, vetëtitur kordhë e zbrasur pushkë. A ka gjë më të turpëshmë, më të unjtë se historia e këtij kombi që – për pakë të qelbur ergjënt – shet mish njeriu në ç’do luftë, edhe kujt s’i erdhi dëshërim, nga aqë qint vjet që e shkelin edhe e kurvërojnë të huajtë, s’i erdhi dëshërim të japë dy pika gjak për lirin’ e vetëhesë?
Të dojin Shqiptarët lirin’ e Shqipërisë, lehtazi e bëjin; po rinë të pa-tundurë, edhe andej dëftojnë që s’e duan Shqipërinë, dëftojnë që janë armiqt’ e saj.
Dëgjoni mirë, në mos e dini: S’janë armiq vetëm duke ndënjur duartë në gji, po ditë për ditë edhe ndryshe punojnë kundrë mëmëdheut. Sa të fëlliqura shkrohen në Greqi, a tjatërkund, kundrë të mjerëve Shqiptarëve, kundrë Paloarvanitëve, sa kanune linden në Stamboll për të therur Shqipërinë (Pis-Arnautluk), të tëra Shqiptarët i nxjerin.
Shkaku i këtyre të ligave është se Shqiptarët s’kanë shpirtin miaft të lartë për të dashur lirinë; Shqiptarët psherëtitin nat’ e ditë pas orës tek do të mundin të jenë fare robër nënë Turkun a nënë Grekun, të hidhen në gjunjë përpara Gjorgos, t’i qërojnë thonjët më gjuhë.
Veç zakonës, qi ryri në gjak të Shqiptarëve, të veshin gjithënjë lëkurën e Turkut, e Grekut a nonji tjetërit zotit, është dhe shkaku i gjuhave e i besave.
Ata prej nesh që s’e kuvëndojnë shqipen, arisin lehtazi të besojnë që s’janë Shqiptarë. Ç’ka të bëjë gjuha në këtë punën? Helvecianët, për tregim, kuvëndojnë ca frëngjishten, ca gjermanishten: po janë nji komb. Pse? Se kanë një rrëzë, edhe kombi është punë rrëze, jo gjuhe.
Tjetëri shkak është që ca prej Shqiptarëvet janë të sunetisurë, ca të pagëzuarë. Këto të dy punërat miaft për të qeshur janë, edhe – në qoftë që nonji këndonjës nuk i njeh – ja, shkurt, qysh bëhen.
Kur aritet nji djalë shtat a tet vjeçar, i at’ i tij fton miqtë, han’ e pinë dhe këndojnë; pastaj, duke rënë vjolitë, nji maskara i qaset të gjorës foshnjës – e cila ulërin dhe përpiqet – edhe me një gërshërë në dorë i pret një thelë mish te nji vënt që është turp t’a emëronj.
Janë Shqiptarët qi s’e bëjnë këtë punën; por ata, kur lindet nji djalë, ja shpien nji prifti mjekërqelburi, i cili e mer edhe e kllet lakuriq brënda në një magje plot me ujë.
Mos e mirni shtrëmbër mëndimin tim, u lutem; unë s’kuvëndonj kundrë këtyrave punërave: të mira a të liga, ç’do njeri ësht i lir t’i besojë edhe t’i mbajë. Vetëm një pjetje ju kam për të kërkuar, duke falur nderjes: A kuptoni si munt t’i ndrohet rrëza nji njeriut sepse – kur qe djalë – i këputnë një copë mish a e vunë brënda në një magje? Mua s’m’a pret mëndia.
“ALBANIA”, 1897