Forcat e policisë kanë anulluar ndeshjen miqësore mes Gjermanisë dhe Hollandës, pasi evakuan stadiumin në Hanover ditën e sotme, kur gjetën brenda një ‘objekt të dyshimtë’.
Policia në lajmërimin e saj informoi spektatorët rreth një ore e gjysmë përpara ndeshjes dhe u tha se ‘duhet të largohen shpejt, pa përhapur panik dhe të kthehen në shtëpi’. “Ju lutem shkoni në grupe të vogla në shtëpi, është më mirë kështu”, thuhej në njoftim.
Shefi i policisë së Hanoverit, Volker Kluwe , në një intervistë për televizionin gjerman NDR, tha se ‘u zbulua një kërcënim konkret’. Sipas tij ishin gjetur prova serioze të një sulmi me bombë.
Pas kësaj, të gjithë trenat që largoheshin nga stadiumi u ndaluan dhe njerëzve iu kërkua të ecin në këmbë, larg stadiumit sa më shpejt të ishte e mundur. Policia i kishte hapur dyert fillimisht për ndeshjen dhe fansat po popullonin stadiumin, por pas kësaj stadiumi u evakua dhe loja u anullua.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe ministra të tjerë të kabinetit qeveritar pritej të ndiqnin ndeshjen, që po zhvillohej katër ditë pas sulmeve terroriste në Paris. Dy ministre hollandeze që do të ndiqnin ndeshjen, Jeanine Hennes Ministre e Mbrojtjes dhe Edith Schippers, Ministre e Shëndetit dhe Sportit, u nisën drejt aeroportit për t’u kthyer në shtëpi.
Skuadra gjermane nuk donte që ndeshja të zhvillohej fillimisht, pasi luajtën kundër Francës të premten, ku përjetuan valën e sulmeve në qytet, ku mbetën të vrarë 129 persona. Skuadra e gjermanëve, e përbërë nga 80 veta, përfshirë këtu lojtarët, trajnerët dhe stafi, e kaluan natën të izoluar në dhomat e zhveshjes në Stadiumin e Francës, ndërsa iu drejtuan menjëherë aeroportit mëngjesin e së shtunës.
Sidoqoftë lojtarët, trajneri dhe Federata Kombëtare e Futbollit, vendosën të vazhdojnë me ndeshjen, në emër të unitetit me francezët.
Gjithashtu është anuluar dhe ndeshja mes Belgjikës dhe Spanjës. Ndërsa ajo mes Anglisë dhe Francës pritet të luhet.