Aktori Sandër Ruci në një Show Artistik në Jacksonville Florida
-Nga Lek Gjoka
gazetavatra.com
Asnjëhere me parë “Cypress Recording Studio” në Jacksonville Beach jo shumë larg oqeanit Atlantik që duartrokiste me valë nuk kishte qeshur, gëzuar dhe argetuar shqip. Ishte një fundjave dhe një fund Marsi që kishte ngarkuar pranverën floridiane në shpinë që u shkrua me germa të arta në historinë e artit,kulturës së shqiptarëve të Jacksonville Floridës. Zoti Sandër Ruci aktori i humorit profesionist të qytetit të Shkodrës qytet ku buzeqeshja, humori lind në të njejtën kohë me lindjen e një shkodrani, organizoi “Sandër Ruci Show “ për miqtë e tij dhe biznesmet shqiptaro –amerikane. Nuk është rastesi që Sandri zgjodhi Atdheun e tij të dytë Floridën për të shpalosur talentin e tij artistik por kishte mjaft gëzime që donte ti ndante me miqtë e shokët e tij vetëm pak ditë para nisjes së turneut të tij të radhës “Nostalgji për Vendlindjen” në qytetin e tij të lindjes Shkodrën dhe metropolin shqiptar Tiranë.
Pasi ish miss Shkodra Suela Leka, si shkodrane që është, në fjalën e hapjes falenderoi pjesmarrësit në këtë natë magjike dhe si foli shkurtimisht për aktorin Ruci dhe për Shkodrën djepin e kulturës dhe humorit shqiptar ftoi aktorin Sandër Ruci në skenë. Në pak minuta atmosfera në “Cypress Recording Studio” ishte aq e zjarrtë me paroditë dhe humorin pa fund të aktorit Ruci saqë për një moment kujtoje se ishe në teatrin “Migjeni” në Shkoder ku trupa e humorit shkodran ku Sandri ishte anëtar edhe në kohën e diktaturës së egër komuniste në Shqipëri e mbushte shqiptarin e përvujtur me buzëqeshje shpirtërore, ia gëzonte pak jetën me atë humor brilant. Vallë cilat ishin të papriturat që aktori Ruci organizoi këtë Show artistik? Ato ishin të shumta. Nuk ishte thjeshtë paraqitja e tij para spektatorit shqiptar në Jacksonville sepse ai kishte dhënë dhjetëra herë performaca falas në disa koncerte organizuar nga dega e shoqatës “Pan Shqiptare Vatra” ku nga New York-u zoti Gjon Bucaj kryetari i shoqatës “Vatra” priste me mjaft dëshirë të gjitha ftesat dhe fliste gjithmone me plot fjalë zemre për humoristin brilant që fati e kishte sjellë të jetonte në mes shqiptarëve të Floridës. Njëri ndër gezimet e radhës së aktorit Ruci ishte edhe marrja e shtetësisë amerikane ku në një monolog të tijin me Shqipërinë ku fshikullonte me fjalë therëse e humor politikën shqiptare, politikanët shqiptare për rrugën pa krye që e kishin cuar kombin shqiptar, njeri nga aktorët e politikes që premton se do ta ndërtojë Shqipërinë e pyet aktorin Ruci në monologun e tij se pse po shqetësohet kaq shumë, aktori Ruci me humor e me lezet ia kthen se më dhimbset kombi im, më dhimbsen shqiptarët që jetojnë këtu në Shqipëri se për vete jam shumë mirë se Zoti ma ka bekuar Atdheun tim të dytë Amerikën.
Ajo natë e 29 Marsit 2014 sigurisht që do të mbetet në kujtesat e të gjithe spektatorit të cilët direkt apo edhe nëpërmjet intervistave që i dhanë gazetarit dhe producentit të “Kelmën TV” kanal televiziv i shqiptarëve në Jacksonville Florida zotit Mark Dukaj falenderonin me gjithë shpirt aktorin Ruci dhe i uronin suksese të mëtejshme artistike në Premieren e re që do të shpalosë në vendlindje. Në një bisedë miqësore disa miq dhe dashamirës të aktorit Ruci që nuk kishin deshirë të prononcoheshin direkt në intervisten që thanë për televizionin ndiheshin pak të indinjuar dhe buzëqeshja që iu kishte dhanë Sandri sikur iu ngriu pak në buzë.
-Nuk e kuptoj !- tha njëri- se përse shteti shqiptar luan rolin e një mosmirënjohësi me disa personaletite të artit, kulturës, letërsisë shqiptare këtu në Amerike sikur është aktori Ruci.
-E di , e di !- ia ktheu i qetë – Por kësaj here besoj që presidenti shqiptar Nishani do të zgjohet nga gjumi. Sigurisht që fajin për mos dërgimin e dosjes që vlereson aktorin Ruci në presidence duhet të filloje që nga Shkodra qyteti i tij i lindjes, që megjithëse e vleresoi punën e tij artistike që para dy vitesh propozimi për dhënien e titullit nuk arriti kurrë deri në Tiranë por besoj që në Premiren e re “Nostalgji për vendlindje” që do të organizoje në Tiranë edhe ky “gabim i vogël” do të kapërcehet dhe do të jetë njëra nga suprizat me të këndshme që ia kanë rezervur aktorit Ruci nga publiku shqiptar dhe presidendti, megjithëse nganjëhere titujt dhe dekorat në Shqipëri janë bërë si fletë-falenderimet që iu ndajnë fëmijëve në shkollat fillore të Amerikës për nxënës të mirë në mësime apo sjellje shembullore në shkollë.
Dalngadalë orët kaluan dhe po afrohet mesnata. Në Florida jo vetëm oqeani Atlantik por as njerëzit nuk flenë se duan të shijojnë cdo second të jetës. Edhe shqiptarët në “Cypress Recording Studio” në Jacksonville Beach pasi koncerti “Sander Ruci Show” mbaroi nuk donin të largoheshin. Vazhdoni të pinin dhe të bashkëbisedonin me plot humor me aktorin Ruci duke pritur që në një të ardhme të afërme dhe sa më shpesh të kemi netë të tilla artistike që iu mungojnë shumë shqiptarëve në Amerikë dhe kudo ku kanë mërguar.
Lek Gjoka
Jacksonville Florida
Mars 2014