Studjues, redaktor, shkrimtar, akademik.
Nga Pjerin Logoreci /
Mark Krasniqi u lind në fshatin Shëngjon-Kokaj afër Pejës më 19 tetor 1920 dhe vdiq me 28 Gusht 2015. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, kurse më 1941 kreu gjimnazin në Prizren. Prej vitit 1941 deri me 1943 ka studiuar për letërsi në Universitetin e Padovës në Itali, e me pas ka studiuar per gjeografi dhe etnografi në Universitetin e Beogradit nga ku u diplomua ne vitin 1950. Më 1945-1946 ka qenë gazetar-redaktor i gazetës Rilindja në Prizren, kurse prej vitit 1947-1949 ka punuar në Redaksinë e emisioneve në gjuhën shqipe në Radio-Beograd.
Prej 1950-1961 ka punuar në Akademinë Serbe të Shkencave në Beograd si asistent, pastaj bashkëpunëtor shkencor. Eshtë diplomuar më 1950 në Beograd, kurse më 1960 ka marrë titullin Doktor në Universitetin e Lubjanës në Slloveni.
Prej 1961-1981 ka qenë profesor në Universitetin e Prishtinës. Ka qenë disa herë prodekan e dekan si dhe Nënkryetar, Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Që nga viti 1993 është zgjedhur Kryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës.
Eshtë anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe anetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Ka botuar më se 35 libra shkencorë, letrarë, publicistikë e tekste shkollore dhe ka përkthyer disa romane e vellime poetike. Akademiku Mark Krasniqi u nda nga jeta më 28 gusht 2015.
Vepra shkencore:
Ndryshimet bashkëkohore gjeografiko-shoqërore në Kosovë e Dukagjin, 341 f. 1963
Gjurmë e gjurmime – Studime etnografike, 465 f., 1979.
Lugu i Baranit – monografi etnogjeografike, 202 f., 1985.
Rugova – monografi etnogjeografike (koautor), 205 f., 1987.
Nga gurra e traditës – Studime etnografike, 450 f., 1991.
Aspekte mitologjike – besime e bestytni , 350 f., 1997.
Rrënjët tona etnike, 310 f., 2001.
Tekste shkollore:
Gjeografia ekonomike – Tekst i përhershëm universitar, botim i katërt 1985, 350 f.,(botuar 3 herë edhe serbisht).
Gjeografia e Jugosllavisë, për kl. IV gjimnaz, 200 f., 1975.
Gjeografia për klasën VIII të fillores, 130 f., botim i tretë,1978.
Publicistikë:
Qëndrime e reagime (4 vëllime, Prishtinë 1995).
Kosova sot (referat i mbajtur në Senatin belg më 1992 (botuar shqip, gjermanisht e anglisht).
Përpjekje për Kosovën, 650 f., 2001.
Vepra letrare (poezi):
Jehona e kohës 1972.
Përrallat e gjyshit, 1953.
Drita e parë, 1956.
Posta e porositur, 1959.
Lepuri analfabet, 1974.
Postieri i maleve, 1984.
Kulla e buburrecit, 1989.
Borëbardha (adaptim) 1956.
Vjersha të zgjedhura për fëmijë, 1998.
Përkthime letrare:
Marimangat – roman nga Ivo Qipiko.
Shërbëtori Jernej dhe e drejta e tij – roman nga Ivan Cankar.
Zambarja e shelqes – përmbledhje poezish nga Grigor Vitez.
Shkrimtarët maqedonas për fëmijë – përmbledhje poezish.
Lexo e gjezdis Kinë e Paris – poezi nga Majakovski (bashkautor me E. Mekulin).
Gjeli i artë – poezi , A. Pushkin (bashkautor me E. Mekulin).
Legjenda mbi carin Salltan – poezi, A. Pushkin.
Vjeti i madh – dëshmi letrare për LNÇ (autorë jugosllavë).
Mark Krasniqi ka bërë edhe një numër të madh punimesh si: artikuj, kumtesa, polemika, recensione e përshkrime gjeografike, të botuara në organe të ndryshme si dhe të mbajtura në aktivitete brenda dhe jashtë vendit.