Nga Kastriot Myftaraj /
Të gjithë nderimet shtetërore që po i bëhen këto ditë Adem Demaçit me rastin e vdekjes së tij fizike, zhvlerësohen kundrejt faktit që Adem Demaçi ka vdekur tashmë moralisht që prej 19 viteve, saktësisht që në 22 shkurt 1999.
Në këtë ditë ndodhi biseda e famshme (videokonferencë)e Sekretares së Departamentit të Shtetit Madeleine Albright me Demaçin, i cili gjendej në Lubljanë të Sllovenisë. Ishte koha e Konferencës së Rambouillet për Kosovën madje momentet më dramatike të konferencës. Amerikanët nuk po arrinin ta bindnin pjesën e UÇK-së të delegacionit shqiptar të Kosovës, që të nënshkruanin marrëveshjen e arritur në konferencë të cilën e kundërshtonte pala serbe. Amerikanët iu thoshin delegatëve të UÇK-së se mjaftonte vetëm nënshkrimi i tyre që në mungesë të nënshkrimit nga pala serbe, t’ i mundësonte NATO-s që të niste fushatën ajrore kundër Serbisë. E megjithatë një pjesë e delegacionit të shqiptarëve të Kosovës, ata të UÇK nuk bindeshin të nënshkruanin aktin e dalë nga konferenca.
Në 19 shkurt 1999 Hashim Thaçi kërkoi lejen e organizatorëve të konferencës për t’ u larguar dy ditë prej saj me qëllim që të këshillohej me Adem Demaçin, që gjendej në Lubljanë. Adem Demaçi kishte qenë përfaqësues politik i UÇK-së dhe kishte dhënë dorëheqjen në shenjë kundërshtimi ndaj pranimit të UÇK-së për të marrë pjesë në konferencë.
Kur amerikanët panë rëndësinë që i jepte Thaçi Demaçit menduan të ndikojnë te Demaçi, dhe Zonja Albright i kërkoi Demaçit një bisedë që u realizua si videokonferencë. Adem Demaçi, për 45 minuta kundërshtoi të gjithë arsyetimin e Zonjës Albrigt se i duhej nënshkrimi i shqiptarëve që të niste bombardimi i Serbisë. Demaçi nuk ndryshoi qëndrim as kur Zonja Albright i tha se pas kundërshtimit shqiptarët e Kosovës do të mbeteshin vetëm dhe Amerika e NATO nuk do të merreshin më me ta.
Demaçi si përgjigje ndaj këtyre fjalëve, seç llomotiti për ushtrinë e tij që ishte gati në Kosovë dhe se ia vlente të vdisnin edhe 30 mijë vetë, që gjërat të shkonin ashtu siç duhej.
A thua vërtet nuk e dinte Demaçi se në mungesë të ndërhyrjes së NATO-s, nuk do të ndryshonte asgjë as edhe nëse vriteshin edhe 30 mijë shqiptarë të tjerë, ndonëse qëkurse kishte nisur lufta në 1998 e deri në shkurt 1999 nuk ishin vrarë 30 mijë?!
Është e qartë se Demaçi po kërkonte të pengonte mësymjen e NATO-s kundër Serbisë. Pas luftës Demaçit nuk iu kërkua kurrë shpjegim për këtë sjellje të tij. Por, sipas analizës së shërbimeve inteligjente (kundërspiunazhit), sjellja e Demaçit është ajo e agjentit ndikues të shtetit të interesuar për të penguar një aksion kundër tij.
Zonja Albright, e cila e përshkruan bisedën me Demaçin në librin e saj me kujtime, thotë se kjo bisedë i la një ndjenjë të pështirë.
Nderimet shtetërore që i bëhen sot Demaçit nga autoritetet më të larta të Kosovës, Shqipërisë dhe ato shqiptare të Maqedonisë duhet të shihen si një symptomë e mendësisë shqiptare, që tregon se ne shqiptarët nuk i marrim seriozisht gjërat e rënda./Kastriot Myftaraj