Opinion nga Lek Gjoka
Jacksonville Florida
A ishte rastësi që një nga figurat kryesore te Shoqatës Pan Shqiptare Vatra në Amerikë zoti Faik Konica i shkruante këto fjale?
“Në qoftë se Shqipëria do të vdiste ndonjëherë, atëherë në epitafin e saj do të duhej të shkruhej:
“Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët.”
Shqipëria vërtete lindi nga Zoti shpëtoi nga rastësia e zhdukjes së kombit në 1913 dhe sot mos valle po i përgatitet shtrati i vdekjes nga politikanet shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, pa harruar as Çamërinë martire ku Faik Konica përsëri patë thënë për shqiptaret e atëhershëm të Greqisë: “Kombësia jonë zuri të humbasë kur u ngjall Greqia. Gjer atëherë, shqiptarët e krishterë rronin vëllazërisht me të tjerët; por pasi fitoi pavarësinë Greqia, nga njëra anë shqiptarët myslimanë u shtrënguan t’i lidhen më fort Turqisë, nga tjetra anë të krishterët shqiptarë iu afruan shtetit të vogël të krishterë, gjer sa u bënë fare, fare grekër. Në këtë mënyrë, Greqia e ngjallur prej shqiptarëve, u bë shkak për vdekjen e tyre.”
Ndaj Rilindësit e mëdhenj u bashkuan në të gjithë botën dhe fale edhe SH.B.A-kës Vatrës dhe shoqatave te tjera patriotike kudo ne bote ku kishte koloni shqiptaresh arritën ta shpëtojnë kombit në mos copëtimin e plote në Konferencën e Paqes. Jo më kot përsëri Faik Konica doli më thënie brilante në atë kohë ku zhdukja e kombit shqiptar ishte në fije të perit, ku mbi fe vendosi kombin dhe flamurin kuq e zi kur tha: “Nëse vëllazëria përcaktohet nëpërmjet fesë, a i bie se nëse sot jam mysliman, vëllezër kam turqit dhe arabët, nesër jam katolik vëllezër kam italianët, pasnesër jam ortodoks vëllezër kam serbët dhe grekët, dhe po të bëhem budist kam vëllezër kinezët?
Ç‘ është kjo vëllazëri që paska mundësi të ndërrosh vëllezërit brenda disa ditëve? Aleancë me të gjithë për të mirën e Mëmëdheut por fundja secili në oborr të vet!
Shqiptari ka vëlla vetëm shqiptarin, pa dallim feje e krahine! Populli shqiptarë nuk e formoi kombin e vet siç bënë boshnjakët që e formuan kombin e tyre mbi fenë Islame, siç bënë serbët dhe grekët që e formuan kombin e tyre mbi Ortodoksin dhe italianët mbi Katolicizmin! Që të gjithë këta kanë një fe unike dhe nëse nuk i takon asaj feje e përjashtojnë vëllain e tyre nga etnia!
Populli shqiptarë e formoi kombin mbi Shqiptarinë! Ne nuk e përjashtojmë nga etnia asnjë shqiptar pa dallim feje, për ne janë vëllezër që të gjithë shqiptarët dhe kjo është një pasuri e madhe e kombit tonë! Ngjyrat kuq e zi ka të drejtë ti mbajë secili shqiptar dhe kurora jonë është shqiponja që i rri secilit shqiptar mbi kokë! Pranojmë secilën fe brenda kësaj shqiptarie dhe nuk përjashtojmë asnjë dhe kush tjetër mund ta bëjë këtë përveç popullit shqiptarë?”.
Gjithashtu përsa i përket identitetit kombëtar të shqiptarit edhe poeti i madh Naim Frashëri pati thënë :“Fjalëve t ‘armiqve t ‘egër kurrë mos u vini veshin,
Se ata duan gjithmonë me intriga të urrejtshme,
me çdo mjet ta bëjnë fenë vegël të shkatërrimit tonë,
Ata duan të na ndajnë për interesa të tyre.
Duhet mbi çdo gjë, patjetër, kombësia të fitojë.”
Sigurisht vetëm falë rilindësve tanë kombi i copëtuar shqiptar arriti të mbijetoje. Ndërsa sot duket sikur fjalët e Nolit po i afrohen frazës së fundit atë që politikanet shqiptare po na e vrasin kombin. Te njëjtën panorame e shikojmë në Tiranë, Prishtinë, Shkup dhe Podgoricë pa le pastaj Çamërinë sa ia përmendin emrin politika greke e fut shtatë pash nën dhe dukë iu bërë presion edhe politikaneve shqiptare mundohet ta fshijë nga historia.
Aq shumë i është afruar shtratit të vdekjes kombi shqiptar saqë ka edhe shqiptare që kanë kaluar në pesimizëm ekstrem. Dukë lundruar online në facebook në një profil Faqe për Fan S. Nolin dikush kishte shkruar këto fjale: “Nëse dikush u thotë se “shqiptarët e duan lirinë” kundërshtojeni dhe thoni se nuk është e saktë! Ne nuk jemi ata shqiptarët në të cilën përshkruhemi nëpër libra, ne përqafojmë robërinë, ne shitemi, ne korruptohemi, ne spiunojmë, ne shesim patriotizëm folklorik, ne nuk e bëjmë nesër atë që e themi sot, ne nuk e mbajmë sot as besën, ne fyejmë dhe minimizojmë figurat historike aspak më larg se 17 vite, ne pështyjmë mbi varrin e dëshmorëve, ne nuk mësojmë, ne japim votën për një kafe, ne në vitin 1998-99 mes miliona shqiptarëve morëm pjesë 15.000 shqiptarë dhe pritnim ta fitojmë luftën , ne nuk punojmë, ne luftojmë mendimin për bashkim, ne për qahemi, ne nuk njohim fe, ne nuk njohim Zot, ne nuk duam Shqipërinë, nënën, babanë, vëllanë, motrën, ne nuk duam as veten, ne, ne, ne s’jemi më ne!
Pra, ne nuk duam lirinë dhe mjerimi është mbi supe tona! Për ta zbutur pak gjendjen alarmante e për ti dhënë grimcë shprese mund ta ngushëllojmë vetën duke thënë “shqiptarët e donin lirinë” por “nuk e duan më!”..
Sigurisht po ta shikosh shpërthimit e autorit të mësipërm të dukët si mesazh përçarës por po të lundrosh me kujdes në jetën e përditshëm të shqiptareve në trojet etnike madje edhe në Diasporën shqiptare mjaft thënia që janë vërtete të hidhura janë reale ku i prekim çdo ditë. Vërtetë dhe fatkeqësisht sot shqiptaret kanë humbur shumë gjëra të vyera që kishin të paret tanë. Faji sigurisht nuk është i kombit shqiptar por janë shumë faktorë të ndryshëm shqiptar dhe të huaj sidomos kojshitë tanë si Greqia, Turqia, Serbia etj. e dëshirojnë vdekjen e kombit tonë. Është diktatura komunistë që u mundua të vriste Zotin, vrau besën, solli spiunllëkun në çdo familje shqiptare dhe na la në dere përveç varfërisë ekstreme një klasë të korruptuar politikanësh. Kjo klase e korruptuar jo vetëm që e rrjep popullin por po mundohet ta vrase dhe ta varrose kombin shqiptar. E njëjta atmosfere e hidhur është edhe në shtetin e dytë në gadishullin ilirik Kosovë ku sot dëshmoret lihen në heshtje nga politikanet e korruptuar, ku liria nuk ka me vlerën e dikurshme, ku flamuri kuq e zi nuk është me flamuri për të cilin derdhen gjakun shqiptaret etnikë të Kosovës, ku Malit i Zi kërkon të rrëmbeje si në 1913 pjese të tokave të Kosovës dhe politikanet kosovarë duan ta bëjnë një sy qorr!
Gjithsesi po na afrohet vija e kuqe e thënies se Fan S. Nolit që politikanet shqiptarë po mundohen për interesa personale, ekonomike, epshore ta vrasin dhe ta varrosin kombi shqiptar por e vetmja shpresë është rinia e sotme sidomos rinia e Diasporës Shqiptare e lindur dhe e rritur me një kulture të madhe që se bashku me intelektualet në trojet etnikë si dhe në Diaspore sidomos në Diasporën Shqiptare të Amerikës ku dhe me përkrahjen edhe të shtetit amerikan nuk do ti lejojnë politikanët shqiptare t ‘na vrasin dhe të na e varrosin kombin me të vjetër të Evropës kombin kuq e zi me shqiponjën kryelarte dhe krenare kudo në botë.
Jacksonville Florida
Korrik 2016