Një replikë me Andi Bushatin që thotë se rilindasit nuk e donin pavarësinë nga Perandoria Osmane

Nga Kastriot Myftaraj /

Andi Bushati duke bërë gjoja sikur qorton Edi Ramën për keqpërdorim të historisë së Shqipërisë për qëllime politike, thotë gënjeshtra të trasha historike. Në një shkrim me titull “Miti i rremë etërve themelues” të postuar në portalin e tij Lapsi.al, thotë:
“Të gjithë historianët seriozë që janë marrë me Shqipërinë dhe Ballkanin, kanë vënë re një gjë unikale në lëvizjen kombëtare shqiptare, që e dallon atë nga ajo e vendeve përreth. Deri vonë ajo nuk ka qenë për shkëputjen nga sovraniteti i sulltanit. Deri në ditët e fundit, para 28 nëntorit 1912, ajo ka synuar një autonomi të zgjeruar nën Turqinë.”

rilindasit
Epo këta historianë që Bushati i quan seriozë nuk qenkan të tillë, meqënëse nuk dinë, ose shtiren kinse nuk e dine, një të vërtetë të thjeshtë, atë se rilindasit shqiptarë, kur artikulonin aspiratat kombëtare shqiptare, kishin parasysh “shinat” që kishin vendosur dokumentet e fuqive të mëdha për rregullimin e brendshëm të Perandorisë Osmane. Që nga koha e zbarkimit të Napoleonit në Egjipt, në 1798 (Egjipti në atë kohë ishte territor osman), Perandoria Osmane u bë protektorat i Britanisë së Madhe, që për interesat e saj strategjike (e donte Perandorinë Osmane si shtet-tampon në Mesdheun Lindor), e mori nën mbrojtje. Në atë kohë ushtritë osmane dhe britanike luftuan bashkërisht kundër francezëve. Që nga ajo kohë dhe deri në fillimin e luftrave ballkanike në 1912, çdokush që kërkonte t’ i shkëpuste territore shteti osman, përballej me forcën ushtarake britanike.
Kur në Luftën Ruso-Osmane të viteve 1828-29, Ushtria Ruse doli në portat e Stambollit, kryeministri britanik Wellingtoni i famshëm, fitimtari i Waterloo-së, e kërcënoi Rusinë me luftë nëse nuk tërhiqej dhe cari e tërhoqi ushtrinë. Në 1853, Britania e Madhe ndërhyri në Luftën Ruso-Osmane, duke çuar flotën detare dhe ushtrinë të luftonin në krah të osmanëve kundër rusëve, në Krime. Në 1878, Kryeministri britanik Lordi Beaconsfield (Disraeli) gjatë Luftës Ruso-Osmane të asaj kohe, kur ushtria ruse doli në portat e Stambollit dërgoi flotën britanike në Bosfor, për t’ i dhënë Rusisë kumtim e pagabueshëm se nëse nuk tërhiqej do të gjendej në luftë me Perandorinë Britanike.
Për këto arsye, të gjithë lëvizjet kombëtare në Ballkan, duke dashur të mos kishin kundër superfuqinë e kohës, Britaninë e Madhe, shpreheshin se donin autonomi brenda Perandorisë Osmane, duke pritur situatën e favorshme për të fituar pavarësinë. Serbia, Mali i Zi, Bullgaria, por edhe Rumania u krijuan si shtete autonome dhe e patën këtë status për një kohë të gjatë. Pavarësinë e një vend e jepte konferenca e përfaqësuesve të fuqive të mëdha. Kështu, Greqisë ia dha pavarësinë një konferencë e mbajtur në Londër. Serbisë, Malit të Zi dhe Rumanisë ua dha pavarësinë Kongresi i Berlinit, i vitit 1878.
Shpallja e pavarësisë së një territori brenda Perandorisë Osmane quhej dhunim i status quo (gjendjes ekzistuese gjeopolitike) për të cilën fuqitë e mëdha ishin pajtuar mes tyre që të ruhej deri kur një konferencë e përfaqësuesve të tyre të vendoste ndryshe.
Rilindasit tanë, të cilët ishin njohës të mirë të rendit gjeopolitik europian të vendosur nga fuqitë e mëdha, ishin të kujdesshëm që ta mbanin lëvizjen kombëtare shqiptare brenda këtyre “shinave”. Nëse fitohej autonomia, në një situatë më të favorshme mund të fitohej pavarësia. Prandaj rilindasit tanë kërkonin autonominë. Por kur status quo u prish në 1912, me fillimin e luftës ballkanike, atëherë rilindasit tanë mund të shpallnin pavarësinë pa u fajësuar për prishjen e rendit gjeoolitik europian.
Të gjitha këto nuk i dinë historianët e ashtuquajtur seriozë për të cilët flet Bushati. Andi kërkon të përmbysë kultin e rilindasve që të mbetet kulti i gjyshit të tij Hysni Kapos dhe i shokëve të tij, si etër themelues të komunizmit shqiptar. Andi më kot mendon se duket supermodern duke sharë etërit themelues të shtetit shqiptar. Me këtë Andi thjesht na provon se për shkak të frymës familjare te ai është rrënjosur mirë ai parimi bazik i Manifestit Komunist të Marksit dhe Engelsit se komunistët nuk kanë atdhe.