Kuq-e-zi-gol

TIRANE-Fitore historike e kombëtares shqiptare. Nëse dje krenoheshim me fitoren ndaj Norvegjisë, Shqipëria tashmë mund të mburret në arenën ndërkombëtare edhe me fitoren ndaj Portugalisë. Kuqezinjtë e drejtuar nga De Biazi kanë fituar 1-0 kundër luzitanëve, duke marrë tri pikët e para dhe duke hapur shpresën për të kualifikuar në Kampionatin Europian “Francë 2016”. Një ndeshje që do të mbahet mend gjatë nga të gjithë shqiptarët. Ka vendosur goli i Bekim Balajt në minutën e 51-të të ndeshjes, një gol i mrekullueshëm i sulmuesit shkodran, teksa me një gjysëm roveshate ka gjunëzuar portierin portugez. Më pas kuqezinjtë e kanë mbrojtur fort golin e avantazhit, edhe pse vendësit kanë rrezikuar disa herë portën e Berishës, madje duke goditur edhe shtyllën e portës sonë. Ka ndërhyrë edhe trajneri De Biazi me zëvendësimet e duhura, sidomos në fund të takimit, duke mos lejuar që ekipi ynë kombëtar të pësojë gol. Pas 4 minutave shtesë me shumë ankth mbyllet 0-1 në favorin tonë, duke ngritur gëzuar gjithë shqiptarët anembanë botës. Ndeshja e radhës për kombëtaren do të jetë më 11 tetor kundër Danimarkës në “Elbasan Arena”, dy kryesuesit e grupit I. Por ka kohë deri atëherë, le të shijojmë këtë fitore.

Pas fitores së kombëtares, dhjetëra qytetarë me flamuj kuq e zi dolën në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ dhe sheshin ‘Skëndërbej’ për të festuar fitoren, ndërsa policia është në gatishmëri për të garantuar sigurinë. Kryeministri Rama reagoi në rrjetin social ‘Twitter’ për fitoren e kombëtares. ‘Kuqezinjtë benë histori dhe ne u jemi mirënjohës! Na rikujtuan se asgjë s’është e pamundur, kur duam me gjithë zemër ta arrijmë. Dhe me e bukura ishte se u dukem si djemtë e Murinjos mu në atdheun e tij, ata sulmo e ne fito, ata gjuajtjet e ne pikët’, përfundon Rama. Ndërsa, ministrja e arsimit, Lindita Nikolla ndër të tjera është shprehur ‘Ndjehem e lumturuar prej fitores së parë të Shqipërisë dhe e mrekulluar prej super golit të Bekim Balajt, e padyshim magjikut Etrit Berisha’.

Kualifikuese “EURO 2016″, Grupi I
Stadiumi “Municipal de Aveiro”, Portugali
PORTUGALI-SHQIPERI 0-0
PORTUGALIA: Rui Patrício, João Pereira, Pepe, Ricardo Costa, Fábio Coentrão, André Gomes, William Carvalho, João Moutinho, Nani, Éder, Vieirinha. Trajner: Paulo Bento
SHQIPERIA: E.Berisha, Agolli, Mavraj, Cana, Hysaj, Kukeli, Roshi, Abrashi, T.Xhaka, Lenjani, Balaj. Trajner: De Biazi
Gjyqtarë: Ruddy Buquet, Frédéric Cano, Guillaume Debart (Francë)
Kartona të verdhë: Roshi 3′, Abrashi 22′, Xhaka 34′

PJESA E PARE
Ndeshja nis me ngulmim të natyrshëm të Portugalisë, por mesfusha kuqezi është mjaft e ngjeshur. Tanët luajnë afër njëri-tjetrit dhe duan ta mbajnë sa më larg kundërshtarin. Një ndërhyrje e Roshit ndaj Koentraos detyron gjyqtarin kryesor francez të nxjerrë shumë shpejt kartonin e verdhë, që në minutën e tretë. Më pas vjen goditja e dënimit, ekzekutuar nga Nani, që gjen të papërgatitur mbrojtjen tonë. Ndërhyrja e portierit Berisha është shpëtimtare. Duket qartë presioni mbi kuqezinjtë, sepse gabojnë në pasimin e parë, duke ua dhuruar luzitanëve shumë shpejt. Kukeli është rikthyer pas një viti e gjysmë në kombëtare, nërsa Taulant Xhaka e ka për herë të parë me Shqipërinë, ndaj emocionet te këta dy lojtarë janë evidente.
Udhëzimet e De Biazit janë për mbulim një për një në mesfushë. Portugezët nuk janë shumë fleksibël në sulm, ndaj lehtësohet disi puna e tanëve për t’i markuar në qendër. Daljet nga krahët e vendësve sa vijnë e bëhen me shqetësuese për prapavijën e Shqipërisë, që mbetet e tërhequr thellë, shumë pranë portierit Berisha.
Në minutën e 13-të i dhurojmë një asist Luis Nanit, që ka krejt hapësirën e duhur të shënojë, por godet keq para portierit tonë kuqezi. Gabim i Kukelit, që ka vështirësi ta nxjerrë topin përpara. Ai ka marrë rolin e Migjen Bashës, i dëmtuar, që mungon.
Goditja e parë nga këndi për tanët vjen në minutën e 20-të. Kjo është edhe dalja e parë e plotë në fazën ofensive të tanëve, që janë të detyruar të përveshin mëngët përballë furisë së sulmeve të njëpasnjëshme të luzitanëve. Fatmirësisht, portugezët gabojnë në finalizim. Edhe Abrashi merr karton të verdhë në minutën e 22-të, i dyti për tanët, cka dëshmon për duelet e forta në mesfushë. Ajo që bie në sy ka të bëjë me vendosje jot ë mirë të kuqezinjve në goditjet standard të kundërshtarit, i cili tenton me të gjitha mënyrat për ta zhbllokuar rezultatin. Megjithatë, Berisha është në gadishmëri. Bekim Bala, sulmuesi i vetëm i Shqipërisë, mbetet i izoluar në prapavijën portugeze, ku ka mbulimin nga afër të Pepes.
Në minutën e 30-të, Roshi fut një passim diagonal rrafsh me tokën, por portieri luzitan ndërhyn shpejt, para se Bala të krijojë ndonjë rrezik. Shqipëria mendon më së shumti si të mos pësojë, ndaj shihet pak në zonën kundërshtare. Megjithatë, me kalimin e minutave arrin t’i kundërvihet më mirë skuadrës vendëse, që nuk rresht së sulmuari në të gjitha drejtimet.
Edhe Taulant Xhaka merr karton të verdhë në minutën e 34-t, kohë kur Kukeli ndodhej jashtë dhe po mjekohej, pasi pësoi një dëmtim në dyluftim me kundërshtarin dhe krijoi makth te De Biazi e kuqezinjtë e tjerë, sepse ka kaluar dy operacione të njëpasnjëshme. Sidoqoftë, mesfushorët tanë duhet të kenë shumë kujdes tashmë, sepse e kanë nga një të verdhë dhe rrezikojnë ta lënë kombëtaren tonë në inferioritet numerik.
Pjesa e parë mbyllet me disa raste të rrezikshme në portën e Berishës. E vetmja mundësi e tanëve për të dalë nga gjysmëfusha e vet është topi i gjatë, por pa asnjë adresim të saktë. Bala nuk ka cfarë të bëjë, sepse është krejt i vetëm në fazën ofensive. Gjithsesi, ajo më e rëndësishmja është se 45 minutat e para i mbyllim pa pësuar, madje me Roshin mund të kishim rrezikuar në limit. I vetmi rast për tanët në pjesën e parë.

PJESA E DYTE
Fraksioni i dytë nis pa zëvendësim te tanët, ndërsa Paulo Bento bën një ndryshim në sulm. Eshtë e pritshme ofensiva e luzitanëve, që kanë në mbështetje të tyre edhe shumë tifozë, ndërsa ata kuqezinj janë të paktë në numër, diku te 100 vetë. Vetëm tri minuta kalojnë dhe Roshi sjell drithërima në portën portugeze, me krosimin tokazi nga e djathta. Bala zhytet për ta devijuar topin në rrjetën kundërshtare, por nuk është në kohë.
Minuta e 53-të është drithëruese për shqiptarët. Odise Roshi merr bukur krahun e djathtë dhe kroson në zonën luzitane, ku Bekim Bala godet fluturimthi, gati me kurriz nga porta vendëse, duke shënuar. Shokohet Portugalia, që ka shpërdoruar pa fund, ndërsa ndëshkohet në të paktat mundësi të krijuara nga kuqezinjtë.
Reagimi luzitan është imponues, e sposton lojën në gjsyëmfushën tonë, por aty ndesh një barrikadë të pakalueshme me Canën, Mavrajn e të tjerë. Luis Nani merr përsipër të bëjë liderin, godet nga distanca, por topi s’u bindet plotësisht këmbëve të tij. Tensioni rritet në maksimum te vendësit, cka i jep disi frymëmarrje e qetësi skuadrës sonë, e cila mbahet stoikisht në fushën e blertë, edhe pse thellësisht në qasje defensive.
Reagimi luzitan është imponues, e sposton lojën në gjsyëmfushën tonë, por aty ndesh një barrikadë të pakalueshme me Canën, Mavrajn e të tjerë. Luis Nani merr përsipër të bëjë liderin, godet nga distanca, por topi s’u bindet plotësisht këmbëve të tij. Tensioni rritet në maksimum te vendësit, cka i jep disi frymëmarrje e qetësi skuadrës sonë, e cila mbahet stoikisht në fushën e blertë, edhe pse thellësisht në qasje defensive. Në minutën e 75-të hidhet në lojë edhe Andi Lila. Ka vështirësi Lenjani, ndaj trajneri De Biazi vendos t’i besojë pjekurisë së kavajasit të PAS janinës. Janë minuta ankthi për kuqezinjtë, sepse loja zhvillohet tërësisht në zonën e Berishës. Rastet janë të shumta për luzitanët, por qetësia dhe kthejlltësia në finalizim shkon në favorin e Shqipërisë. Jemi me fat në ato mundësi të Luis Nanit, që humb raste tepër të favorshme.
Dhjetë minuta e fundit aktivizohet edhe Cikalleshi. Kavajasi zëvendëson “kokë për kokë” heroin e kësaj ndeshjeje, Bekim Bala, që shënoi atë supergol dhe u dha kuqezinjve tanë një fitore të artë e historike në Aveiro. Pas barazimit 0-0 në Braga, Shqipëria i bën goditjen e radhës skuadrës së Kristiano Ronaldos, që mungoi kësaj here, duke e mundur në shtëpi dhe bërë një start të mrekullueshëm fushatës eliminatore “Euro 2016”. Tri pikët e para, që japin moral të lartë për vazhdimësinë e garës.

Ëndrra e re e kombëtares nis sot me Portugalinë
Ora 07:00-Një cikël i ri nis sonte për kombëtaren shqiptare. Edhe pse me të njëjtin trajner dhe me disa lojtarë të konfirmuar, sidomos në prapavijë, duket se nis një epokë e re për kuqezinjtë. E themi këtë sepse pritet që sonte në fushën e lojës jo vetëm të ketë debutime, por edhe lojtarë të tjerë që në ndeshje zyrtare janë aktivizuar pak ose aspak. Sidomos në mesfushë dhe në sulm, duket se Shqipëria është bërë nga e para. Pavarësisht grupit të fortë ku bën pjesë ekipi ynë kombëtar, duket se është krijuar një frymë optimizmi, të paktën për ndeshjen e parë. Që nga trajneri De Biazi, për të vijuar me presidentin e FSHF-së, Armand Duka, ish-futbollistët e kombëtares, por edhe ata aktualë, duket se kanë besim se mund të marrin rezultat pozitiv në ndeshjen e parë sonte me Portugalinë, ndeshje e cila do të nisë në orën 20:45.

BESIMI
Të besosh në fitore është gjë e mirë, karikon edhe tifozët, luan pa ndrojtje dhe plot arsye të tjera. Por pse beson kjo kombëtare, pse beson trajneri De Biazi dhe vetë protagonistët që do të zbresin në fushën e lojës? Po të shohësh emrat, publikut nuk i jep shumë besim se kjo skuadër mund të shkojë përpara. Por po të shohësh moshën, ambicien, grintën që ata kanë paraqitur me skuadrat e tyre, të bën të besosh më shumë. Shto këtu edhe eksperiencën e lojtarëve të tillë, si Berisha në portë, Cana, Mavraj e Agolli në mbrojtje, që nuk tremben nga rivalët, cilido qoftë, besimi rritet edhe më shumë. Mbështetja e FSHF-së gjithashtu është maksimale. Shanset janë të vogla në grupin ku bën pjesë Shqipëria, por nëse niset mbarë, shanset shtohen. Vlerësimi maksimal që i ka bërë Portugalia kësaj ndeshjeje të bën të mendosh se ata kanë frikë nga një tjetër blof me shqiptarët. Dhe kjo stepje e tyre favorizon kuqezinjtë tanë, të cilët nuk kanë çfarë të humbin në Portugali, madje do të quhen sërish heronj nëse marrin një tjetër rezultat pozitiv në tokën luzitane.

FORMACIONI
De Biazi duket se nuk ka më dilema për formacionin. Lojtarë si Lila, Kaçe, Gashi, Salihi e Kapllani përfundojnë në stol, ndërsa për herë të parë do t’i jepet besim sulmuesit shkodran Bekim Balaj. Ky i fundit pritet ta nisë titullar, duke fituar duelin me patriotin e tij, Salihi, forma e të cilit nuk e ka bindur teknikun italian. Me Etrit Berishën të padiskutueshëm në portë, mbrojtja ka pësuar vetëm një ndryshim nga ndeshjet e kaluara. Në të djathtë Hysaj i ka zënë vendin Lilës, që nuk ka formën maksimale. Në pozicionet e tjera konfirmohet Cana dhe Mavraj në qendër, ndërsa Agolli në të majtë. Tre do të jenë lojtarët të rreshtuar përpara mbrojtjes. Bëhet fjalë për Xhakën, Kukelin dhe Abrashin. Me një mesfushë të ngjeshur, italiani u ka besuar nga krahët Roshit dhe Lenjanit. De Biazi ka projektuar një skemë 4-5-1. Në fazën mbrojtëse varianti taktik kthehet edhe në 5-4-1.

 

Euro 2016, kalendari i Shqipërisë

Shqipëria ka mësuar dhe kalendarin e ndeshjeve të saj për Euro 2016, ku kuqezinjtë e De Biasit do të kenë një start zjarri.

Euro 2016, takimet e tjera eliminatore:

11/10/2014 Shqipëri-Danimarke,

14/10/2014 Serbi-Shqipëri,

14/11/2014 Shqipëri-Francë,

29/03/2015 Shqipëri-Armeni,

13/06/2015 France-Shqipëri,

04/09/2015 Danimarke-Shqipëri,

07/09/ 2015 Shqipëri-Portugali,

08/10/2015 Shqipëri-Serbi,

11/10/2015 Armeni-Shqipëri