Kosova, në këto ditë, asht në valën e fushatës elektorale për votimet e 3 nandorit, kur populli do të zgjedhi bijt e bijat ma të përshtatshëm për të marrë në dorë pushtetin vendor.
Tue marrë parasyshë randësinë që kanë këto zgjedhje për jetën e qytetarëve dhe për të ardhmen e Kosovës, “Vatra” po ndjek me vemendje zhvillimin e fushatës dhe parashikimet për drejtimin që rezultatet do t’i japin jetës së shoqnisë kosovare.
Të shtymë nga dashunia për atë popull që aq shumë vuejti e sakrifikoi për lirinë dhe për të drejtën me vendosë vetë për fatin e vet, i urojmë fushatë të qetë e të pastër dhe fitore kandidatëvet ma të mirë e ma të ndershëm.
Vota asht nji ndër të drejtat themelore të njeriut, por asht edhe detyrë qytetare, prandej të gjithë duhet t’a kryejnë këtë detyrë. Vota asht shprehja e ndërgjegjes, prandej duhet përdorë për kandidatin ma të mirë. Ndërgjegja nuk shitet as nuk blehet, përndryshej ndimon korrupsionin që ia ka nxanë frymën ekonomisë e përparimit dhe ka i hapë rrugën vorfnisë e dëshprimit.
Duhet dhanë hapsinë edhe të rijvet që janë ushqye me arsim e kulturë përendimore, prej nga Kosovës i ka ardhë ndimë e përkrahje në ditët ma të vështira.
Shtetit i përket të krijojë klimën e sigurisë, për mbarëvajtjen e fushatës dhe të procesit zgjedhor, kundër dhunës e kërcnimeve. Me zgjedhje të ndershme e të drejta, Kosova duhet të dëshmojë se ecë e sigurtë në rrugën e konsolidimit të shtetit ligjor dhe të integrimevet.
Populli i Kosovës dijti të tregojë nivelin e lartë të civilizimit me zgjedhje demokratike në kushtet e terrorit dhe, krahas me lëvizjen e guximshme për liri, krijoi i pari sistemin pluralist në hapsinën e Ballkanit. Kemi shpresë se edhe provën e këtyne zgjedhjeve do t’a kalojë me dinjitet e vendosmëni, për dobinë e një ardhmënie ma të mirë e ma të sigurtë, në frymën e amanetit t’atyne që për Kosovën e lirë e dhanë edhe jetën.
Kryetari: Dr. Gjon Bucaj
New York, 15 tetor 2013