Published On: Sat, Jul 22nd, 2017

Voskopoja – qyteti i lavdisë së harruar

Nga Ndoc Selimi

Për Voskopojën, e njohur ndryshe si Moskopelles, Moscopoli, Moscopole në aromene, është folur e njohur pak sidomos në kohët pas goditjes për vdekje, deri sa sot dëshmitë duhen nxjerrë nga dheu. Hahn thotë se është 1388, vit i themelimit të këtij qyteti nga një pinjolle e familjes Muzakajve, ndërsa Martiniani i mbështetur në Kodikun e Shën Prodhomit të Voskopojës jep vitin 1330. Më interesant është Pukëvil, i cili hedh mendimin se themelimi i Voskopojës është i shekullit XI dhe më andej citon: “…nga një fushë e thjeshtë barinjsh, arriti të bëhej metropoli tregtar i Epirit”.


Pra “Metropoli Tregtar i Epirit” i cili në shekullin e XVIII hynte në qytetet e mëdha të Ballkanit dhe qendra kryesore kulturore e tregëtare aromune pasi numëronte në këto vite rreth 6000 shtepi dhe me 1750 popullohej nga 45.000 banorë për të arritë te viti 1788 me shifrën rekord të banorëve me mbi 60.000 të tillë duke iu prezentuar kohës si një qytet i madh dhe plot jetë e lëvizje tregtare, kulturore, shoqërore, arsimore etj. Dokumente të ndryshëm flasin për mbi 20 zeje të organizuara në esnafe ose siç quheshin ndryshe rufete. Tregëtarët voskopojarë takoheshin në gjithë vendet e botës dhe kjo falë gjallërisë dhe mendësisë së vllehëve si kryesore, por edhe shqiptarë e grekë, të cilët organizuan dhe i dhanë tonin jetës qytetare e kulturale të vendit. Me të huajt vendin e parë në tregëti e zinte Venediku dhe brigjet danubiane si dhe portet me rëndësi të Adriatikut si Trieste e Ankona, por shekulli i XVIII do ti gjente nëpër shetet e Europës si në Gjermani, Austri, Hungari etj. Kjo veprimtari tregëtare e prodhuese do të ndikonte në zhvillimin dhe gjallërimin e jetës kulturale dhe ndërtimore në qytet. Kështu kemi arritjet më të mëdha të kohës siç ishin shtypshkronja (1730) e para në Ballkan dhe shkolla e mesme, ose e quajtur ndryshe “Akademia e Re” (1744). Funksiononin rregullisht 20 – 25 kisha, nga të cilat ruhen deri sot pesë bazilika dhe një manastir. Në kamjen e këtij qyteti bënte pjesë pazari në qendër, ndërsa kishat përbënin njifarë kompozimi të lagjeve, ku mirrnin edhe emrin. Më e përmendura ishte lagja e Shën Janit, ku ndodhej ndërtesa e shkollës, shtypshkronja, spitali, jetimorja etj. Rrugët e kalldrëmuara dhe shtëpitë të tëra prej guri lidheshin në harmoni me njera tjetrën duke nxjerrë në pah çesmat e shumta po prej guri.
Akademia e re ishte e një kalibri me ato të vendeve të botës si Bukuresht, Konstandinopojë, Janinë, Mecovë etj. Akademia së bashku me shtypshkronjën dhe bibliotekën përbënin trekëndëshin kulturor unikal në Ballkan. Shumë shqiptarë, vllehë, grekë u shkolluan këtu dhe sipas E. Jaqcues (Shqiptarët – historia nga lashtësia në ditët e sotme” fq. 315 thotë se : “Diplomatët e huaj u siguronin nxënësve shqiptarë të dalë nga kjo Akademi hyrjen me lehtësi në universitetet europiane”. Pikërisht këtu lëvrohej gjuha shqipe krahas romene e greke dhe shohim përpjekjet e para për një alfabet shqip. Të tillë janë Teodor Bogomili (Dhaskal Todri), Grigor Voskopojari, Anastas Kavalioti, të cilët përkthyen edhe “Dhjatën” në shqip . Kavalioti arriti të botojë edhe një fjalor greko – vllaho – shqiptar. Po ashtu është shtypur një libër me përmasa mbi jetën e Shën Klementit. Këtë na e thotë Jan Klod Faverial te “Historia më  vjetë re Shqipërisë” fq 147: “Jeta e Shën Klementit u shtyp më 1742 në Moskopojë, nën pseudonimin e Teofilaktit, të njërit prej ipeshkëve të Ohrit” . Kujtojmë se mesha e shenjtë thuej në shqip, po ashtu edhe mësuesit klerikë të krishterë jepnin mësimet në shqip (pasi thuhet se vllehet nuk kishin prifterinjt e tyre). Influenca e kësaj shkolle i kaloi kufijt dhe u pa si një rrezik për fqinjtë dhe për Portën. Përgjigjen e pyetjes se si u zhvillua ky qytet – shtet nën sytë e portës së Lartë, e gjejmë te disa dokumente. R.Mantrani te “Historia e perandorisë osmane” fq. 314 thotë se “Voskopoja ishte qytet autonom brenda perandorisë osmane” dhe të tjerë thonë se “trajtohej si vend jashtë Shqipërisë”. E njejta gjë thuhet edhe te studimi A.Plasari “Fenomeni Voskopojë” fq. 15, i cili merr në konsideratë edhe thënien e V.Papacosteas që e përcakton Voskopojën si ” Qytet jashtë Portës së Lartë”.

voskopoja1
Vendi, lavdia dhe përhapja e gjuhës shqipe ishin kulmi i Voskopojës dhe ndoshta vdekja e saj.
Ky qytet lakmitar nuk mund ti shpëtonte botës së egër turko – shqiptare. Në Kodikun e Shën Prodhromit janë regjistruar kronikat e shkatërrimeve që pësoi qyteti më 1769 nga osmanet dhe plaçkitja e tij. Më 1772 pësoi grabitje të mëdha, ndërsa trupat e Ali Pashë Tepelenës e rrafshuan plotësisht më 1789. Viti më i zi ishte 1916 me bandat e Sali Butkës dhe trazirat ballkanike që e ktheu këtë perlë vetëm në një fshat pa rëndësi me rreth vetëm 2000 banorë. Sot shihen shenjat e një kulture të harruar , objekte që munden ti shpëtonin dorës shkatrrimtare e barbare të njeriut si Manastiri i Shën Prodhromit, Ura e Shën Prodhomit, Kisha “Fjetja e Shën Mërisë”, Kisha e Shën Kollit, Kisha e Shën Mëhillit, Kisha e Shën Thanasit, dhe kisha e Profet Ilisë. Afresket e shpëtuara kanë dorën e artistëve të shquar të asaj kohe si David Selenica e vëllezërit Zegrafi . Si më e përmendura kishë është katedralja “Fjetja e Shën Mërisë” me dimensione 38 m me 15.5 m dhe është një nga ndërtimet bazilikale më të mëdha në Shqipëri dhe me një kapacitet mbledhës njerëzor me mbi 1000 persona. Vetëm ky fakt tregon rëndësinë dhe zhvillimin e këtij qyteti në shekullin e XVII.

voskopoja2
Gjatë një vizite para ca kohësh në këtë qytet me shumë nëntokë se mbi tokë, pashë punimet që kanë filluar ta gjallërojnë si dikur këtë Metropol gjigand të dikurshem me shtrimet e rrugeve me kalldrëme dhe se përdorimi i gurit fillon te ndërtesat dhe përfundon te çesmet kaq të bukura.
Pak fjalë mbi banorët e parë dhe disiplinat antagoniste që shohim sot në shtyp dhe rrjetet sociale. E them me bindje se Voskopoja është kryeqyteti shpirtëror i Vllehëve. Kjo fjali mbështetet në një sëri argumentesh të thënë nga vendas e të huaj. Në një intervistë të profesor Korkurtit thuhet se tregëtia kryesore ishte leshi dhe produktet blegtorale. Kjo përcakton atë se vllehët ishin shumë blegtore sa arrinin deri me mijëra kokë bagëti. Është pikërisht koha kur kërkohej nga tregjet e huaja lëkura, gjalpi, djathi e sidomos leshi i bagëtive. Tregu kryesor për tregetimin e leshit ishte fronti i gjatë danubian austro – turk me një mbrapavijë që furnizohej kryesisht nga Voskopoja për ushqim e veshje.
Emri Vlach ka origjinë gjermane dhe përfaqëson “i huaj”, “i jashtëm”, pra për popujt që flisnin latisht, por edhe për keltët fqinj. Tre hipotezat e hedhura deri tani; e para sipas literaturës italiane “Dizionario mondiale di storia” fq. 1125 thuhet se janë kolonë latine të dërguar në kohën e romës për ruajtjen e vijës Egnatia dhe vinë nga Toscana”. Më vonë u pronuncuan rumenët dhe greket. Por mbi të gjitha Vllehët janë popullsi thrako – ilire të ngjizur në tokën ballkanike dhe, mendoj, të gjitha hipotezat tjera nuk jane bindëse. Bashkëjetesa me shqiptarët në të gjitha periudhat historike që ka kaluar Europa, i ka vënë vllehët përkrah shqiptarëve. (Për më shumë do të gjeni te “Storia del regno di Dalmazia e di Croazia” me autor Giovanni Lucio përkthyer nga latinishtja nga Paulo Clemente Miossich, 1896).
Miku im Gaqo Cyfeku në një postim te tij në faqen sociale fb thotë: 
“Tashmë dihet që në Kishat Mesjetare u ngjiz Rilindja Shqiptare. Atje shtypej letra në Shqip me shkronjat e latine të kohës nga Teodor Cavalioti, Boiagi etj. Vendimet e rëndësishme politiko shoqërore përcaktoheshin nga Danil Voskopojari e Grabovari te ramun në Vithkuq e më pas në Bukuresht si dhe Naum Veqilharxhi me Evetarin 1,2, të cilët janë helmuar të tërë në Bosfor nga qarqe të interesuara.! Akademik Aleks Buda thotë: “Nuk mund të themi se Voskopoja është Rilindja Kombëtare Shqiptare, porse Djepi i saj”. 
Ndoshta 275 vjetori i hapjes së “Akademisë së Re” do ta rikthejë këtë qytet në imazhin e ditëve të madhështisë e të lavdisë së tij dhe do t’i japë vendin që i takon në histori.