Published On: Thu, Dec 14th, 2017

Violinisti virtuoz shkodran Mark Kaftalli

Mark Kaftalli ka lindur në Shkodër më 14 dhjetor 1933. Mësimet e para i mori në qytetin e lindjes. Kreu kursin e violinës pranë Shtëpisë së Kulturës, nën drejtimin e mësuesit Zef Alimhilli në vitin 1949-1952. Pranë Ansamblit të Ushtrisë në Tiranë në vitet 1952-1955, kreu shërbimin ushtarak, ku vazhdoi studimet për violinë nën kujdesin e kompozitorit-violinist Nikolla Zoraqi. Në vitin 1955 deri në vitin 1969, punoi për mësimin e harmonisë dhe kompozicionit. Ai ka punuar me pasion duke shfaqur një talent te madh për 30 vjet rresht në Teatrin “Migjeni”, si udhëheqës artistik deri në daljen në pension.

mark-kaftalli-1
Kaftalli, për të parën herë në vitin 1962 realizoi festivalin e parë të muzikës së lehtë në Shkodër, ku me kontributin dhe punën e tij profesionale, si dhe të kompozitorit Prenk Jakova me një orkestër të përbërë prej 15 instrumentistësh pati një sukses shumë të madh. Po në këtë vit u realizua dhe festivali i parë i muzikës së lehtë në Tiranë. Drejtues i orkestrës së Estradës për rreth 30 vite në Shkodër, si dhe drejtues i formacionit të Kafes së Madhe ( formacion i muzikës argëtuese).

Ka marrë pjesë si violinist në formacione të ndryshme artistike në turne jashtë Shqipërisë si: Kinë, Kore, Vietnam, Mongoli, Bashkimin Sovjetik (1955), Romani (1971), Turqi (1981), me orkestër private në Francë e Gjermani (1994), etj.
Kaftalli si kompozitor ka marrë pjesë në shumë festivale të këngës në Radio-Televizion, në festivalet e këngës popullore dhe të këngës për fëmijë. Ai ka kompozuar mbi 750 këngë, transkiptoi dhe harmonizoi mbi 400 këngë popullore shkodrane. Gjithashtu Mark Kaftalli është autor i shtatë operetave.
Është nderuar me çmime dhe urdhërat:
“Naim Frashëri” i klasit të dytë në vitin 1969
“Naim Frashëri” i klasit të parë në vitin 1983
Titullin “Mirënjohje e Qytetit, akorduar nga Bashkia e qytetit të Shkodrës.

Me 16 tetor 2014 u shua artisti Mark Kaftalli, krijues dhe kompozitor, Paganini shkodran i violinës.

Mark Kaftalli, simbol i muzikës – StarPlusTv Shkodër