Më 17 shtator 2014 u nda nga jeta gazetari Kiço Fotiadhi. Kiço për një kohë shumë të gjatë është i njohur nga publiku shqiptar si fytyra e lajmeve të Televizionit, ai është figura e parë e historisë së Televizionit në vendin tonë. Jeta e tij në ekran ka filluar më 13 mars të vitit 1963, kur ishte vetëm 23 vjeç dhe studionte për aktrim, ka dhënë emisionin e parë të lajmeve në historinë e saponisur të Televizionit Shqiptar ku qëndroi deri në vitin 1994. Kiço kishte filluar të aktivizohej si bashkëpunëtor në Radio Difuzion (emri i vjetër i Radio Tiranës), që në 1959 kur ishte 19 vjeç, nxënës i Liceut Artistik “Jordan Misja”.

Në vitin 1963, Kiço do të jepte lajmet në një studio, kur vetë nuk kishte parë ende me sytë e tij një aparat televizori. Në atë kohë në gjithë Tiranën nuk kishte më shumë se 20-30 familje që kishin televizorë.
Më vonë ai vetë do të tregonte: – Më thirri drejtori i atëhershëm i televizionit, Petro Kita, dhe më tha se kishin vendosur që unë të jepja emisionin e parë të lajmeve në televizion. Është pak të thuash që ndjeva befasi, kënaqësi, emocion. Janë një univers ndjesish që të përfshijnë në çaste të tilla, sa edhe vetë fjalët duken të pafuqishme për të shprehur gjithë këtë univers. Sepse nuk bëhej fjalë thjesht për një emision lajmesh. Bëhej fjalë për çeljen e një historie të re zhvillimi të televizionit eksperimental shqiptar. Fati më kishte përzgjedhur mua. Unë u isha dhe u jam mirënjohës të gjithëve: atyre që më vlerësuan dhe më zgjodhën për të qenë ikona e parë e emisionit të lajmeve, prindërve që më sollën në jetë me këtë zë dhe me këtë pamje, fatit që në atë rast më buzëqeshi…”.

kico-fotjadhi2
Kiço Fotiadhi

Duke njohur vlerat e zërit tij të artë, e ngarkojnë me detyrën e transmetimit të artikujve të gazetave dhe materialeve të tjera shumë të rëndësishme që botoheshin në atë kohë për Kosovën. Artikujt e gazetave të lexuara prej tij patën një jehonë të jashtëzakonshme këtej dhe matanë kufirit. Leximi me nivel të lartë artistik, përdorimi i nuancave, theksimeve e pauzave e emociononte dëgjuesin e telespektatorin.
Hera e fundit që ai ka dalë në ekranin magjik të Televizionit Shqiptar ka qenë në vitin 1992.
Kiço Fotiadhi është dekoruar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi me Urdhërin “Naim Frashëri” i Artë me motivacionin: “Protagonist i shquar i ekranit televiziv, promovues i eventeve me rëndësi kombëtare, gazetar i njohur novator”.

Emisioni i lajmeve i vitit 1986 me spiker Kiço Fotiadhin: