Published On: Sun, Nov 5th, 2017

Tonin Çobani shkrimtar dhe kritik i shquar letrar

Tonin Çobani  lindi më 5 Nëntor të vitit 1947 në Shkodër.

Tonin Çobani është graduar Doktor Shkencash (PhD) në fushën e letërsisë duke mbrojtur tezën “Ngjizja mitologjike në ‘Lahutën e Malcis'” pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike (QSA), Tiranë. Është pedagog i jashtëm i Shkrimit Akademik pranë Universitetit “Kristal” (Tiranë) që nga viti akademik 2008-2009 e në vazhdim. Më parë ka qenë aktivizuar, po si pedagog i jashtëm, në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” (ku ka titullin “Profesor i asociuar”), si lektor i Letërsi shqipe (1997-1998) dhe aktualisht i Eseistikës në Departamentin e Gazetarisë (2008-2009 e në vazhdim) . Në Tiranë, ku jeton familjarisht nga viti 1998, ka punuar gazetar i rubrikave kulturore dhe në vazhdim ushtron funksione të ndryshme pranë Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit (sot AMA).

tonin_cobani

Tonin Çobani

Gjatë vitit akademik 1977-1978, ka kryer me shkëputje nga puna studimet pasuniversitare për kritikë letrare, pranë Institutit të Lartë Arteve (sot Universiteti i Arteve, Tiranë), duke mbrojtur tezën “Qëndrimi ndaj Figurës së Naim Frashërit dhe veprës së tij gjatë viteve 1912-1939”. Pas këtij kualifikimi pasuniversitar ai i kushtohet seriozisht kritikës letrare (dhe artistike) dhe studimeve historiko-letrare, duke publikuar në shtypin qendror artikuj, studime dhe përmbledhje me studime, ku mund të veçohen monografitë dhe botimet e shumta për jetën dhe veprën e Gjergj Fishtës, të Lekë Dukagjinit, Frang Bardhit, Pjetër Zarishit dhe Nënë Terezës.

Mësimet fillore i ka nisur në qytetin e lindjes, Shkodër, ku prezenca e familjes Çobani dokumentohet në regjistrat e kishës nga viti 1734. Gjatë viteve 1961-1965 ka kryer shkollën e mesme pedagogjike të atij qyteti me rezultate të shkëlqyera. Ato rezultate kanë përcaktuar vazhdimin e studimeve të larta në Universitetin e Tiranës, pranë Fakultetit Histori-filologji, dega Gjuhë-letërsi shqipe (1965-1969) dhe emërimin e tij si mësues letërsie në gjimnazin e qytetit të Lezhës qysh në moshë 22-vjeçare.
Krahas mësimdhënies në gjimnaz e qytetit të Lezhës (1969- 80; 1986-87; 1991-98), u mor me muzikë (si orkestrant pranë Pallatit të Kulturës dhe si kompozitor amator); organizoi aktivitetet artistike të gjimnazit: krijoi dhe drejtoi orkestrën e korin e shkollës, teatrin dhe estradën. Ndërkohë dha kontributin e tij me studime pedagogjike dhe kulturore, një pjesë e të cilave gjetën dritën e botimit në shtypin lokal. Më 1979 nga Presidiumi i Kuvendit Popullor i akordohet medalja “Naim Frashëri”. Të gjitha këto bënë që të marrë detyra drejtuese në sektorët e kulturës të qytetit dhe të rrethit: Drejtor i Drejtorisë Kulturore (1980-86) dhe Shef Kulture (1987-91).

Shkrimin e parë kritiko-letrar e ka botuar në gazetën “Drita” 1976, ndërsa 2 vjet më vonë fiton një nga çmimet vjetore të revistës “Nëntori” për recension libri artistik. Në vitin 1988 boton librin e parë “Kërkime letrare” me recensentë: prof.dr. Dhimitër Shuteriqi, prof.dr.Jup Kastrati dhe prof.dr.Razi Brahimi. Vetëm pas viteve ’90 provoi të botonte tregime (Çmimi i Parë në takimi e dytë të shkrimtarëve ndërkufitarë, Pogradec 2004) dhe t’i kushtohej më intensivisht publicistikës, gjegjësisht eseistikë (Çmimi “Velia 1999”) e studimeve historiko-letrare dhe sociologjike. Ka marrë pjesë me kumtesa në disa veprimtari shkencore brenda dhe jashtë vendit.

Krijimtaria e tij ka gjetur vlerësime në rritje në shtypin e ditës dhe në atë shkencor nga personalitete të njohura të letrave shqipe.

Libra të botuar
Monografi shkencore:
1. “Princi i përfolur Lekë Dukagjini”, monografi (resume anglisht), EB Listan & TOENA: Tiranë, 2003.

2. “Frang Bardhi dhe relacionet e tij”, monografi, Misioni Katolik Shqiptar: Zagreb, 2006.

3. “Pjetër Zarishi dhe Krijimi i rruzullimit”, monografi, TOENA:Tiranë, 2007.

4. “Figurat mitologjike në Lahutë të Malcis”, monografi (resume anglisht), TOENA: Tiranë, 2008.

5. “Nënë Tereza, nderimi në trevat shqiptare” album shqip-anglisht (bashkautor), Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës: Prishtinë, 2010.

6. “Lahuta e Malcis, ngjizja mitologjike dhe fjalori i figurave mitologjike”, monografi (resume anglisht), Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë,2012.

7. “Eseistika”, monografi (resume anglisht), Botimet Gjergj Fishta, Tiranë, 2013.

 

Përmbledhje me studime dhe ese:
8. “Kërkime letrare”, studime dhe kritika letrare, SHB Naim Frashëri: Tiranë, 1988.

9. “Miti dhe antimiti fishtjan”, dhjetë ese për Fishtën, EB Lisitan: Tiranë, 1999.

10. “Paralele kulturore të një qyteti”, artikuj dhe studime, EB Lisitan: Tiranë, 2001.

11. “Fishtologji, studme, EB Gjergj Fishta: Lezhë, 2006.

 

Tregime dhe novela:
12. “Puthje pa puthje”, tregime, EB Lisitan: Lezhë, 1996.

13. “Një grua përballë vetvetes”, novelë, EB Lisitan: Lezhë, 1997.

14. “Etyde në prozë, gjashtë triptikë”, tregime, TOENA: Tiranë, 2002.

15. “Variacione me fjalën komb”, eseistikë, EB Lisitan: Tiranë, 2004.