Published On: Sat, Jan 6th, 2018

Theofan Stilian Noli, personalitet i shquar

noli_bishop

Fan Noli Bishop

 

Fan Noli (6 Janar 1882- 13 Mars 1965), i njohur edhe me emrin Theofan Stilian Noli, nuk qe vetëm një udhëheqës i shquar i bashkësisë shqiptaro-amerikane, por edhe një figurë madhore dhe e gjithanshme e letërsisë, kulturës, fesë dhe politikës shqiptare. Noli u lind më 6 janar 1882 në fshatin Ibrik Tepe, në jug të Edrenesë (Adrianopojë), në pjesën evropiane të Turqisë. I ati, Stilian Noli, ishte psallt i njohur në kishën ortodokse dhe i kishte futur të birit dashurinë për muzikën dhe traditën bizantine ortodokse. Fan Noli ndoqi shkollën e mesme greke në Edrene, dhe më 1900, pas një qëndrimi të shkurtër në Kostandinopojë, u vendos në Athinë, ku gjeti punë të rastit me pagë të ulët si kopist, sufler apo aktor. Me një teatër shëtitës që jepte shfaqje në ngulimet greqishtfolëse në Mesdheun lindor, Noli mbërriti për herë të parë në Egjipt. Në Aleksandri ai e braktisi teatrin, dhe nga marsi 1903 deri në mars 1905 gjeti punë si mësues i greqishtes dhe psallt i korit kishtar në Shibîn el Khôm, dhe nga marsi 1905 deri në prill 1906 në El Faiyûm, ku ishte vendosur një ngulim i vogël shqiptar. Këtu ai shkroi një numër artikujsh greqisht dhe përktheu në greqishte veprën e Sami Frashërit “Shqipëria – Ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë?”, që u botuan në shtypshkronjën shqipe në Sofje. Nga mësuesi i tij në Egjipt, murgu Nilos, Noli mësoi më shumë për traditat e muzikës bizantine që e tërhiqte aq shumë dhe vendosi të bëhej prift ortodoks. Atje ra në kontakt edhe me drejtues patriotë të bashkësisë shqiptare si Spiro Dine (1846?-1922), Jani Vruho (1863-1931) dhe Athanas Tashko (1863-1915), të cilët e nxitën të mërgonte në Amerikë, ku mund t’i përdorte më mirë talentet e tij. Noli i ri pranoi.

Në prill 1906, me një biletë avulloreje të klasit të dytë, paguar nga Spiro Dine, Fan Noli u nis për në Botën e Re duke kaluar nga Napoli dhe mbërriti në Nju Jork më 10 maj. Pasi ndenji tre muaj në Buffalo, ku punoi në një kombinat lënde drusore, Noli shkoi në Boston. Atje botuesi Sotir Peci (1873-1932) i dha një punë me pagë minimale si zëvendës-redaktor i gazetës së Bostonit “Kombi”, ku punoi deri në maj 1907 dhe ku botoi artikuj me pseudonimin Ali Baba Qyteza. Financiarisht dhe personalisht, këta ishin muaj vërtet të vështirë për Nolin, i cili nuk ndjehej aspak mirë në Amerikë dhe po mendonte seriozisht të mërgonte në Bukuresht. Megjithatë, ai pak nga pak hodhi rrënjë në bashkësinë shqiptare dhe më 6 janar 1907 bashkë-themeloi shoqërinë Besa-Besën në Boston.

Në këtë periudhë, shqiptarëve ortodoksë të Amerikës po u humbte gjithnjë e më shumë durimi me kontrollin grek mbi kishën e tyre. Tensioni arriti kulmin më 1907, kur një prift ortodoks grek nuk pranoi të bënte shërbesën në varrimin e një shqiptari në Hudson, Masaçusets, me arsyetimin se i ndjeri kishte qenë nacionalist, pra, rrjedhimisht, i shkishëruar. Me nismën e vet Noli thirri një mbledhje të shqiptarëve ortodoksë nga mbarë Nju Englandi, ku delegatët vendosën të themelojnë Kishën Ortodokse Autoqefale (autonome) Shqiptare, me Nolin si klerikun e saj të parë. Më 9 shkurt 1908, në moshën njëzetegjashtëvjeçare, Fan Noli u bë diakon (dhjak) në Bruklin, kurse më 8 mars 1908 Platoni, kryepeshkopi ortodoks rus i Nju Jorkut, e shuguroi si prift ortodoks. Vetëm dy javë më vonë, më 22 mars 1908, Noli i ri krenar mbajti për herë të parë liturgji në gjuhën shqipe, në Knights of Honor Hall në Boston. Ky ishte hapi i parë drejt organizimit dhe njohjes zyrtare të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.

 

Nga shkurti 1909 deri në korrik 1911 Noli botoi gazetën “Dielli”, zëdhënëse e bashkësisë shqiptare të Bostonit. Më 10 gusht 1911 ai u nis për në Evropë, ku ndenji katër muaj dhe kreu shërbesa kishtare në gjuhën shqipe për kolonitë në Kishinjov, Odesë, Bukuresht dhe Sofje. Më 28 prill 1912, bashkë me Faik bej Konicën, që kishte ardhur në Shtetet e Bashkuara më 1909, themeloi Federatën Panshqiptare Vatra të Amerikës, e cila shumë shpejt pati fatin të bëhej organizata më e fuqishme dhe më e rëndësishme e shqiptarëve në Amerikë. Fan Noli tashmë ishte udhëheqësi i pranuar i bashkësisë ortodokse shqiptare dhe njihej si shkrimtar e gazetar i afirmuar i lëvizjes kombëtare. Në nëntor 1912 Shqipëria u shpall e pavarur dhe Noli tridhjetëvjeçar, i sapo-diplomuar nga Universiteti i Harvardit, kthehet përsëri për në Evropë. Në marsin e vitit 1913 ai mori pjesë, ndër të tjera, në Kongresin Shqiptar të Triestes, i organizuar nga shoku dhe rivali i tij Faik bej Konica.

Në korrik 1913 Fan Noli shkoi për herë të parë në Shqipëri ku mbajti shërbesën e parë kishtare ortodokse në gjuhën shqipe në vend më 10 mars 1914, në prani të princit Vilhelm zu Vid, i cili kishte mbërritur në Durrës vetëm tri ditë më parë me një anije austro-hungareze. Në gusht 1914 Noli qëndroi për një farë kohe në Vjenë, por me afrimin e reve të zeza të luftës, u kthye në Shtetet e Bashkuara në maj 1915. Nga 21 dhjetori 1915 deri më 6 korrik 1916, u bë përsëri kryeredaktor i “Diellit” të Bostonit, tashmë gazetë e përditshme. Në korrik 1917 u bë edhe një herë kryetar i Federatës Vatra që, me gjendjen kaotike dhe zbrazëtinë politike në Shqipëri, e konsideronte veten si një farë qeverie shqiptare në mërgim. Në shtator të vitit 1918 Noli themeloi të përmuajshmen në anglishte The Adriatic Review (Revista e Adriatikut), që financohej nga Federata për të përhapur informacion për Shqipërinë dhe për kauzën e saj. Gjashtë muajt e parë revista u botua nga Noli, ndërsa më 1919, këtë detyrë e mori në dorë Kostandin Çekrezi (1892-1959). Me fondet e Vatrës, të mbledhura nën drejtimin e Nolit, u dërguan në Paris, Londër dhe Uashington delegatë shqiptaro-amerikanë për të promovuar njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Shqipërisë. Më 24 mars 1918, Noli u caktua administrator i Kishës Ortodokse Shqiptare në Shtetet e Bashkuara dhe në fillim të korrikut të atij viti mori pjesë në një konferencë për popujt e shtypur në Mount Vernon, Virxhinia, ku u takua me presidentin Udrou Uillson (Woodrow Wilson, 1856-1924), përkrahës i të drejtave të pakicave në Evropë. Më 27 korrik 1919 Noli u emërua peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, që tashmë ishte dioqezë e pavarur.

Një vit më pas, duke pasur parasysh rritjen e figurës së Nolit si udhëheqës politik e fetar i bashkësisë shqiptare dhe si shkrimtar, orator dhe komentator politik i talentuar, ishte e logjikshme që ai të zgjidhej kryetar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, ku arriti ta anëtarësonte Shqipërinë më 17 dhjetor 1920. Pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve Noli me të drejtë e konsideronte arritjen e tij më të madhe politike. Anëtarësimi në këtë organizatë i dha Shqipërisë për herë të parë njohje ndërkombëtare dhe, në retrospektivë, ai pa dyshim pati rëndësi më të madhe se shpallja e pavarësisë nga Ismail Qemal bej Vlora më 1912. Gazeta The Manchester Guardian,në një koment më 23 korrik 1924, e përshkruante Nolin si ‘një burrë që do të kishte qenë i shquar në çdo vend. Diplomat i përkryer, ekspert i politikës ndërkombëtare, mjeshtër i debatit, që prej fillimit ai la mbresa të thella në Gjenevë. Me shumë mjeshtëri, por gjithmonë me buzë në gaz, ai i vuri me shpatulla pas murit të gjithë kundërshtarët e tij ballkanas. Ai është një njeri me kulturë të pamasë, që ka lexuar çdo gjë që ia vlen të lexohet në anglishte dhe frëngjishte’.

noli_geneva1924

Fan S. Noli duke hyrë në Selinë e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë më 1924.

Suksesi në Lidhjen e Kombeve i dha Nolit vendin e figurës kryesore në jetën politike shqiptare. Nga Gjeneva u kthye në Shqipëri, dhe nga 1921 deri më 1922 përfaqësoi Federatën Vatra në parlamentin shqiptar. Më 1922 u emërua ministër i jashtëm në qeverinë e Xhafer bej Ypit (1880-1940), por disa muaj më vonë dha dorëheqjen. Më 21 nëntor 1923, u shugurua peshkop i Korçës dhe mitropolit i Durrësit. Tani ishte njëkohësisht kreu i Kishës Ortodokse në Shqipëri dhe udhëheqës i një partie politike liberale, opozita kryesore kundër forcave konservatore të Ahmet Zogut (1895-1961), që mbështeteshin kryesisht nga çifligarët feudalë. Më 23 shkurt 1924 u bë një atentat kundër Zogut në parlament, dhe pas dy muajsh, më 22 prill 1924, u vra deputeti dhe patrioti Avni Rustemi (1895-1924), mendohet se nga forcat zogiste. Në varrimin e Avni Rustemit, Fan Noli mbajti një fjalim të zjarrtë që ngjalli zemërimin e papërmbajtur të opozitës liberale kundër Zogut, i cili u detyrua të arratiset në Jugosllavi gjatë të ashtuquajturit Revolucioni i Qershorit.

Më 17 qershor 1924 Fan Noli u shpall zyrtarisht kryeministër dhe pak më vonë, regjent i Shqipërisë. Për gjashtë muaj, ai drejtoi një qeveri demokratike që u mundua me të gjitha forcat t’i jepte zgjidhje problemeve katastrofike politike dhe ekonomike me të cilat përballej shteti i ri shqiptar. Por programi i tij me njëzet pika për modernizimin dhe demokratizimin e Shqipërisë, ndër të cilat edhe reforma agrare, ishte tejet i nxituar e idealist për një vend të prapambetur pa tradita parlamentare. Më vonë ai i shkroi arsyet e dështimit të tij në një letër që ia drejtonte një mikut të tij anglez “Duke këmbëngulur tek reformat agrare, zgjova zemërimin e aristokracisë çifligare; duke mos i zbatuar reformat, humba mbështetjen e masave fshatare”.

Me përmbysjen e qeverisë së tij nga forcat zogiste, natën e Krishtlindjeve 1924, Noli u largua përgjithmonë nga Shqipëria dhe qëndroi disa muaj në Itali me ftesë të Benito Musolinit (1883-1945). Kur Duçja më në fund arriti një marrëveshje me Zogun për koncesionet e naftës në Shqipëri, Noli dhe pasuesit e tij e kuptuan se prania e tyre në Itali ishte e padëshirueshme. Pas kësaj, Noli qëndroi disa vjet në Evropën qendrore, kryesisht në Gjermani dhe Austri. Në nëntor 1927 vizitoi Rusinë si delegat i Ballkanit në Kongresin ‘Miqtë e Bashkimit Sovjetik’ me rastin e dhjetëvjetorit të Revolucionit të Tetorit, dhe më 1930, pasi mori një vizë gjashtëmujore, u kthye në Shtetet e Bashkuara.

Me kthimin e tij në Boston, Noli themeloi të përjavshmen “Republika”, vetë emri i së cilës i bënte sfidë të hapur Ahmet Zogut, i cili më 1 shtator 1928 u vetëshpall Zogu I, Mbreti i Shqiptarëve. “Republika” u botua edhe si opozitë ndaj “Diellit”, tashmë nën drejtimin e Faik Konicës, i cili ishte pajtuar me mbretin Zog dhe ishte bërë ministër i plotfuqishëm i Shqipërisë në Uashington. Me mbarimin e afatit të vizës, gjashtë muaj më vonë, Noli u detyrua të kthehet në Evropë dhe “Republika” mbeti nën drejtimin e Anastas Tashkos, deri sa u mbyll më 1932. Më 1932, me ndihmën e pasuesve të tij, mundi të kthehej nga Gjermania në Shtetet e Bashkuara, ku fitoi edhe lejen për qëndrim të përhershëm. Noli u tërhoq nga jeta politike dhe nga ky moment iu kushtua përsëri detyrave si drejtues i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Në dhjetor 1933 u sëmur rëndë dhe nuk ishte në gjendje t’i përballonte shpenzimet trajtimit mjekësor për të cilin kishte aq shumë nevojë, deri sa mori si dhuratë 3000 franga ari nga Shqipëria, që për ironi të fatit ia dhuroi armiku i tij i betuar, Ahmet Zogu. Ky gjest arriti pikërisht qëllimin për të cilin ishte nisur: një farë pajtimi midis Nolit dhe Zogut, si dhe një përmirësim të marrëdhënieve shpesh të acaruara të Nolit me Faik Konicën.

Në vitin 1935 Noli iu kthye njërit prej pasioneve të tij të hershme – muzikës – dhe në moshën pesëdhjetetrevjeçare u regjistrua në Konservatorin e Muzikës të Nju England, në Boston, nga i cili u diplomua më 1938.

Më 12 prill 1937, Nolit iu plotësua ëndrra e madhe për një kishë kombëtare shqiptare kur Patrikana e Stambollit njohu zyrtarisht Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare.

noli1908

Noli nuk u mjaftua vetëm me detyrat kishtare dhe filloi studimet pasuniversitare në Universitetin e Bostonit, ku mori doktoratën më 1945 me një disertacion për Skënderbeun. Në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore, Noli pati marrëdhënie pak a shumë të mira me regjimin e ri komunist në Tiranë dhe ushtroi ndikimin e vet për ta bindur qeverinë amerikane që ta njihte atë. Madje nami i tij si ‘peshkopi i kuq’ shkaktoi shumë armiqësi dhe ndarje në qarqet e mërgimtarëve në Amerikë. Më 1953, në moshën shtatëdhjetë e një vjeç, Fan Nolit iu dhurua shuma prej 20 000 dollarësh nga Federata Vatra, me të cilën bleu një shtëpi në Fort Lodërdejll (Fort Lauderdale), Florida, ku vdiq më 13 mars 1965 në moshën tetëdhjetë e tre vjeçare.

 

Ky është incizimi i një fjalimit të Fan Nolit dhënë Shoqatës shqiptaro-amerikane Vatra në vitin 1962. Incizimi, i ruajtur nga Peter Prifti (San Diego), u dha në dispozicion të publikut nga Kryepeshkopia Ortodokse në Amerikë (Boston) dhe u digjitalizua në CD nga Avni Spahiu dhe Baki Jashari (Prishtinë), të cilëve jam mirënjohës për lejen për ta prezantuar këtu.

Burimi  Robert Elsie  dhe Yotube